Pas kërkesave të shumta në adresë të HEDA Albania, mbi studimet kontradiktore të cilat kanë paraqitur evidenca shkencore shumë të dobëta dhe që bien ndesh drejtpërdrejtë me hulumtimet shkencore, po ju paraqesim faktet dhe një analizë të shkurtër të këtyre studimeve, duke ju ftuar t’i verifikoni vetë të gjitha pohimet.
Së fundmi, një studiuese nga Universtieti i Bath-it, në Mbretërinë e Bashkuar botoi një rishikim të literaturës (e gjeni këtu) ku ekzaminoheshin të dhënat e dy studimeve të çuditshme, të publikuara në Francë. Këto studime kanë krijuar një zhurmë e shqetësim të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm për komunitetin e Shëndetit Publik në mbarë botën, pasi aty deklarohet se duhanpirja ose nikotina mund të reduktojë rrezikun për COVID-19. Fatkeqësisht, rrjetet sociale dhe mediatike i kanë shpërndarë gjerësisht këto deklarata dhe si pasojë janë shtuar raportimet për njerëz të cilët kanë filluar duhanpirjen ose kanë blerë apo keqpërdorur produkte të nikotinës.
Ndërkohë që baza e evidencave dhe hulumtimeve është duke ndryshuar me shpejtësi, rishikimi i botuar sqaron qartë se gjetjet e këtyre publikimeve janë kontradiktore e të papërputhshme me literaturën e gjerë kërkimore (lexoni këtu) dhe qëndrimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (lexoni këtu) mbi lidhjen që ekziston ndërmjet duhanpirjes dhe COVID-19. Për më tepër autori kryesor i botimit Francez, ka lidhje afat-gjata dhe të njohura me industrinë e duhanit.
Përtej zhurmës dhe kontradiktave, po ju paraqesim në mënyrë të detajuar e të përmbledhur gabimet dhe të metat e metodologjisë së përdorur në këto hulumtime.
Studimi i parë (e gjeni këtu) ka mangësi madhore si më poshtë vijon:
1.Ky studim ka nënvlerësuar lidhjen ndërmjet duhanpirjes dhe COVID-19:
- Një pjesë e rasteve të analizuara në këtë studim janë punonjës të kujdesit shëndetësor të cilët përgjithësisht konsumojnë më pak duhan se popullata e përgjithshme në kontekstin aktual;
- Rastet më të ashpra të sëmundjes u përjashtuan nga analiza, pavarësisht të dhënave që lidhin duhanprijen me ashpërsim të sëmundjes;
2. Studimi bazohet në të dhëna spitalore, duke përfshirë një numër të madh të dhënash për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Duke qenë se punonjësit e kujdesit shëndetësor (mjek, infermierë, laborant, etj.) kanë më shumë gjasa të infektohen në këtë situatë të vështirë, rezultatet e studimit janë kryekëput të ‘infektuara’ me mangësi, pasi nuk mund të dëftojnë saktësisht lidhjen ndërmjet duhanpirjes dhe rrezikut për t’u infektuar me SARS-CoV-2 në popullatë.
3. Edhe pse madhësia e grupit të pacientëve duhanpirës ishte më e ulët nga ajo që pritej, madhësia e grupit të ish-duhanpirësve ishte shumë herë më e madhe. Autorët kanë dështuar të adresojnë faktin që shumë ish-duhanpirës përdorin nikotinë ose produkte të nikotinës! Pa marrë parasysh këtë fakt, është e pamundur të dilet në përfundime për efektet mbrojtëse të nikotinës.
4. Studimi vuan nga mangësi metodologjike duke paraqitur modele përshkruese dhe jo shkakësore (shkak – pasojë)!
Studimi i dytë (që nuk është studim por HIPOTEZË) i titulluar ‘Një hipotezë nikotinike për COVID-19 me implikime parandaluese dhe terapeutike’ (e gjeni këtu) bazohet tek studimi i mangët i analizuar më sipër dhe propozon një HIPOTEZË mbi mënyrën se si infeksioni ndodh dhe si mund të trajtohet me nikotinë.
Të dyja studimet janë inkonsistente me qëndrimin e OBSH (lexoni këtu) dhe literaturën shkencore serioze (lexoni këtu) për lidhjen e duhanit me infeksionin COVID-19.
Megjithëse autorët deklarojnë se nuk kanë konflikt interesi financiar, po ju bëjmë me dije se autori kryesor ka lidhje të evidentuara me industrinë e duhanit. Ndërmjet vitit 1995 dhe 1998 i nderuari Jean-Pierre Changeux ka përfituar 220,000$ nga Këshilli i Hulumtimeve të Duhanit (organizatë e financuar nga industria e duhanit) (verifikoni këtu, këtu dhe këtu).
Në fund të viteve 90 ky studiues ka qenë bashkëpunëtor dhe këshilltar i Targacept, që është një kompani farmaceutike e financuar prej kompanisë së duhanit RJ Reynolds (verifikoni këtu dhe këtu) dhe në vitet 2006/2007 ky person kishte mbikëqyrur dhe botuar studime të financuara nga Philip Morris International (verifikoni këtu dhe këtu).
Si përfundim, revista ku këto studime janë publikuar nuk bën pjesë fare në elitën e revistave shkencore. Ju lutem lexoni faktet dhe publikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe qëndroni larg keqinformimit.
Jo panikut dhe Jo Duhanit!
Studime të tilla synojnë të krijojnë konfuzion dhe të keqorientojnë median dhe publikun me kryetituj të tillë si ‘Duhanpirësit janë 4 herë më pak të rrezikuar se të tjerët për tu infektuar me COVID-19’ (shikoni këtu), ‘Duhanpirja mund të ul rrezikun për koronavirus’ (shikoni këtu) apo ‘A ndihmon niktoina kundër koronaviurist të ri’ (shikoni këtu) për të sugjeruar se duhanipirja dhe si pasojë nikotina mund të reduktojnë rrezikun për COVID-19.
Më lejoni t’ju rikujtoj se duhanpirja vret 8 milion njerëz cdo vit, nga të cilët 7 milion vdesin prej duhanpirjes aktive (të drejtëpërdrejtë) kurse 1.2 milion prej duhanpirjes pasive (të dorës së dytë) (verifikoni këtu). Mos i harroni faktet!