Infeksionet e rrezikshme për jetën e nënës dhe të fetusit

infeksione nene

Një ndër shqetësimet kryesore për ato femra që presin të bëhen nëna është parandalimi i sëmundjeve infektive te foshnja e tyre. Zgjidhja më e mirë për një shtatzëni pa probleme dhe më të sigurtë, është kryerja e testimeve depistuese serologjike. Gruaja shtatzënë duhet të mbikëqyret nga mjeku i saj gjinekolog dhe njëherazi të ndjekë këshillat shëndetësore shoqëruese, e veçanërisht në këtë kontekst parandalimi i sëmundjeve infektive është shumë i rëndësishëm.

Disa infeksione gjatë shtatzënisë zhvillohen pa simptoma klinike ose pa dëmtime si për nënën dhe për fetusin. Ndërkohë disa të tjera mund të jenë të rrezikshme për fetusin, veçanërisht në fazat e para të zhvillimit të tij.

Duhet theksuar se gjatë shtatzënisë, ndjeshmëria ndaj infeksioneve (veçanërisht atyre virale) është më e madhe. Ndër shumë ndryshime fiziologjike që pëson nëna, një nga më të rëndësishmet ndodh pikërisht në sistemin e saj imunitar1,2.

Pasojat te fetusi varen nga lloji i patogjenit dhe moshës së shtatzanisë në të cilën ndodh infeksioni. Pasojat mund të përfshijnë: infeksione neonatale simptomatike ose asimptomatike, vonesë rritjeje intrauterine ( brenda mitrës), lindje e parakohshme. Në rastet më të rënda mund të kemi  keqformime kongenitale ( të lindura) dhe aborte spontane1,2.

Si transmetohen këto infeksione?

Infeksionet e ndryshme mund transmetohen nga nëna tek fetusi nëpërmjet mënyrave të ndryshme në varësi të mekanizmave që përdorin organizmat patogjenë.

  1. Transmetimi transplacentar ose vertikal: mund të ndodhë në çdo kohë para lindjes. Patogjeni tejkalon barrierën placentare dhe bën të mundur infektimin e fetusit.
  2. Transmetimi ashendent ose me ngjitje: zakonisht shkaktohet nga bakteret e florës vaginale, të cilat ngjiten nga kanali vaginal deri në mitër dhe shkaktojnë inflamacion të membranave fetale (korioamniositis).
  3. Transmetimi perinatal: ndodh gjatë lindjes atëherë kur foshnja bie në kontakt me sekrecione të infektuara vaginale.

Cilët janë patogjenët më të zakonshëm që transmetohen gjatë shtatzënisë?

  • Toksoplazmoza
  • Citomegalovirus
  • Parvovirus B19
  • Virusi i Rubeolës
  • Sifilizi
  • Variçela
  • HIV dhe Hepatiti B/C të cilat transmetohen më rrallë përmes rrugës transplacentare.

Shqyrtimi i hershëm i infeksioneve të mësipërme rekomandohet prej udhëzimeve të gjinekologjisë dhe obstetrikës veçanërisht në tremujorin e parë të shtatzanisë sepse:

  • tremujori i parë i shtatzanisë është periudha më delikate në zhvillimin embrional (organogjenezë)
  • placenta arrin pjekurinë e plotë vetëm në muajin e katërt (duke ushtruar një funksion mbrojtës kundër patogjenëve).

Lexo edhe:

Shtatzënia dhe Vaksinimi Anti-COVID-19

 Referencat:

1.WHO guideline: WHO recommendations for prevention and treatment of maternal peripartum infections
https://apps.who.int/iris/bitstream/handle/10665/186171/9789241549363_eng.pdf;jsessionid=8D2684B6C709B649FB86AC245A9A6660?sequence=1

2. Istituto Superiore della Sanità, ISS guideline, L’agenda della Gravidanza
https://www.epicentro.iss.it/itoss/pdf/agenda_gravidanza_fisiologica.pdf