Çrregullimet “e turpshme” që dëmtojnë cilësinë e jetës së gruas

Dyshemeja pelvike ose perineumi është tërësia e strukturave anatomike që mbyllin pjesën e poshtme të legenit.

Përbëhet nga një kompleks muskujsh dhe ligamentesh dhe shërben si mbështetëse (muskujt) dhe balancuese (ligamentet dhe fashat muskulare) e organeve të brendshme. Ajo kryen edhe shumë funksione të rëndësishme gjenito-urinare.

Qëndrueshmëria e të gjitha këtyre strukturave dhe lidhjet nervore janë thelbësore për të garantuar  një pozicionim të duhur të organeve në hapsirën e legenit e si rrjedhojë një funksionim normal urinar, fekal dhe seksual. Pozicionimi i duhur është përgjegjës edhe për mbajtjen e peshës së shtatzënisë dhe  luan një rol thelbësor gjatë procesit të  kalimit të fëmijës në momentin e lindjes.

Puberteti, riprodhimi, shtatzënia, lindja, lehonia, ushqyerja me gji, menopauza dhe klimateri janë faza të ndryshimit biologjik me rëndësi themelore në proceset psikike dhe sociale të gruas.

Perineumi është zona ku përqendrohen ndryshimet e lartpërmendura. Aty gruaja kupton dhe vëzhgon ndryshimet që ndodhin në jetën e saj. Këto ndryshime kthehen në elemente vendimtare për ndërtimin e identitetit femëror. 

Ai është përgjegjës për ndjesitë që kemi për trupin tonë, për sjelljen tonë dhe si rrjedhojë edhe për imazhin tonë të brendshëm dhe të jashtëm. Arrin të reflektojë e të ndikohet nga një “oqean” emocionesh. E kur ato janë negative e mbyllin, ndërsa ato pozitive e hapin.

Nëse  muskulatura pelvike nuk është e stërvitur, ndryshimet biologjike gjatë ciklit jetësor, bëjnë që të humbasë forcën, elasticitetin dhe të rrezikojë integritetin.

Pasojat në mos funksionimin e duhur të saj mund të jenë:

  • humbja e pakontrolluar e urinës gjatë sforcimit, kollitjes a të qeshurave të forta
  • urgjencë në urinim dhe fekalim
  • dhimbje gjatë raporteve seksuale
  • dhimbje pelvike kronike

Këto simptoma mund të favorizohen nga obeziteti, puna ose sporti i rëndë, kapsllëku, kolla kronike, predispozicioni i familjes etj.

Çrregullimet që shpesh kalohen në heshtje për shkak të turpit, kanë një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së gruas. Nuk e lejojnë atë të kryejnë aktivitetet normale të përditshme, ndryshojnë zakonet: fillojnë të shohin më pak miq, braktisin hobin dhe aktivitetin fizik, i shmangen ambienteve me shumë njerëz nga frika që të tjerët do ta vënë re.

Pak gra e njohin këtë pjesë të trupit të tyre dhe aq më pak janë të vetëdijshme për funksionet e saj. Kjo zonë meriton vëmendje, jo vetëm kur lindin probleme, por edhe më parë, si praktikë e përditshme shëndetësore.

Për parandalimin e mosfunksionimit normal të perineumit dhe për të favorizuar shëndetin e kësaj pjese të trupit, pak të njohur dhe shpesh të harruar, mund të ndërhyhet në të gjitha fazat e ciklit jetësor dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Referenca:

Pierluigi Paparella. Pavimento pelvico femminile: fisiologia e disfunzioni. 2004

Paolo di Benedetto. Riabilitazione uroginecologica. 2004

Klein MC, Gauthier RJ, Robins JM at al. Relationship of episiotomy to perinal trauma and morbosita, sexual dysfunction and pelvic flop relaxation. Am J Obstet Gynecol 1994