Këto ditë të gjithë kemi ndjekur lajme, postime e intervista të cilat flasin për mutacione që ka pësuar virusi dhe për mundësinë e rikthimit të masave ekstreme për ta kufizuar përhapjen e tij.
Fillimisht, duhet të qartësojmë që, siç e kemi theksuar dhe herë të tjera, komunikimi shkencor është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në këtë situatë.
Pavarësisht se COVID-19 lindi si një problem shëndetësor, tashmë ai nuk është vetëm një problem i tillë, por është kthyer në një krizë informacioni dhe një sfidë socio-ekonomike.
Përpara se të shpjegojmë situatën aktuale të pandemisë dhe implikimet potenciale që vinë si rrjedhojë e saj, është thelbësore të kuptohet nevojshmëria e një strategjie kombëtare të komunikimit të riskut dhe të angazhimit të komunitetit në këtë situatë të vështirë. Rëndësia e një strategjie të tillë bëhet dhe më thelbësore kur kuptojmë se mjetet biomjekësore jetëshpëtuese që na nevojiten, të tilla si vaksinat apo terapitë, nuk janë ende gjerësisht të aksesueshme për pjesën më të madhe të popullatës. Për pasojë, sjellja jonë kolektive vazhdon të mbetet arma më e fuqishme për parandalimin e përhapjes së virusit.
Të dhënat e analizave më serioze sociologjike dhe psiko-sociale, tregojnë se njerëzit janë në gjendje të kuptojnë rëndësinë e masave themelore parandaluese për kufizimin e përhapjes së COVID-19. Por me kalimin e javëve dhe muajve njerëzit në përgjithësi janë duke ndjerë më pak vetëbesim në aftësitë e tyre dhe në qëndrueshmërinë e zbatimit të masave parandaluese për të parandaluar përhapjen e virusit. Në këtë situatë ku pandemia po tejzgjatet, çdo ditë e më shumë po fillon të ndihet ajo që njihet ndryshe si ‘rraskapitja pandemike’. Kjo lodhje e kombinuar me stresin nga paqartësia dhe pasiguria, mund të shkaktojë rënie të besimit në autoritetet shëndetësore dhe në të njëjtën kohë nënvlerësim të rrezikut aktual. Të marra së bashku, këto fenomene mund të ndikojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në mirëfunksionimin e komuniteteve tona. Në këto kushte, komunikimi shkencor dhe angazhimi i publikut është më i domosdoshëm se kurrë. Për këtë arsye, siç kemi bërë dhe deri tani, ekipi ynë po mundohet të bëjë analiza dhe shqyrtime objektive mbi lajmet e fundit të cilat për arsye nga më të ndryshmet kanë ngjallur interes të gjerë për publikun.