Të shtyrë nga kurioziteti, shpeshherë ndodh që kur marrim në dorë rezultatet e analizave të
gjakut, t’i hapim ato pa shkuar akoma tek mjeku.
Gjëja e parë që bëjmë është të shohim nëse ka ndonjë vlerë anormale e treguar me shenjën yll
(*) duke u munduar ta deshifrojmë atë. Për shumicën prej nesh, rezultatet nuk janë të thjeshta për t’u interpretuar dhe ndonjëherë mund të na bëjnë të alarmohemi pa qenë e nevojshme. Logjikisht, është mjeku specialist që duhet t’i interpretojë analizat, pasi jo gjithmonë vlerat jonormale janë tregues i një sëmundjeje, sepse ato mund të jenë dhe pasojë e një gjendje të përkohshme.
Në këtë shkrim, do të japim informacionin bazë për t’i kuptuar, para se të shkojmë tek konsulta me mjekun.
Analiza e gjakut, është një nga provat mjekësore më të përdorura dhe me më shumë rëndësi në praktikën e përditshme klinike. Ajo konsiston në marrjen e një kampioni gjaku dhe përpunimin në një laborator të specializuar për të përcaktuar përbërjen e tij. Në kohët e sotme,
përparimi i shpejtë i shkencës dhe i teknologjisë ka bërë të mundur që duke analizuar qoftë edhe një pikë gjaku të marrim qindra të dhëna mbi gjendjen tonë shëndetësore. Disa lloje analizash janë aq specifike, saqë përveç vlerave të thjeshta, si: niveli i glukozës dhe kolesterolit, mund të na tregojnë nëse vuajmë nga sëmundje të rënda, si: ato kancerogjene ose çrregullime neurologjike, si: Alzaimeri.
Në raste të caktuara mjeku i familjes ju ka kërkuar të bëni një analizë gjaku për të kuptuar gjendjen e organeve të ndryshme të trupit tuaj, si: mëlçia, veshkat, sistemi endokrin etj, ose për të parë nëse jeni duke u ushqyer në mënyrën e duhur, gjë të cilën e tregojnë vlerat e kolesterolit, glukozës apo dhe të hekurit.
Për t’ju ndihmuar që të kuptoni më mirë vlerat analitike dhe në këtë mënyrë të jeni në gjendje t’i bëni pyetjet e duhura mjekut, do t’ju tregojmë si t’i interpretoni të dhënat më të rëndësishme që shfaqen në raportin e analizave rutinë të gjakut dhe çfarë nënkuptojnë ato.
Rruazat e kuqe: A vjen lodhja fizike prej mungesës së hekurit?
Siç e përmendëm në artikullin e mëparshëm, Eritrocitet kanë si funksion kryesor transportimin e oksigjenit me anë të Hemoglobinës (e paraqitur me shenjën HGB tek analizat) në të gjitha organet dhe indet e trupit. Edhe pse nivelet e këtyre parametrave mund të ndryshojnë lehtësisht sipas gjinisë, vlerat e tyre mesatare duhet të jenë si më poshtë:
- Rruazat e kuqe: 4,1 deri në 6 milionë për milimetër kub (mm3)
- Hemoglobina (HGB): 11,8 deri në 15,6 gram për decilitër (g/dl)
- M.C.V: 80 deri ne 96 femtolitër (1 fl = 10-15 L)
Vlerat e ulëta të këtyre parametrave janë shenjë anemie, gjendje shëndetësore ku numri dhe forma e rruazave të kuqe ose sasia e hemoglobinës ndikohet për arsye të ndryshme. Forma më e përhapur e anemisë është ajo prej mungesës së hekurit, gjë që rezulton në lodhje fizike të vazhdueshme. Megjithatë, për të detektuar specifikisht origjinën e anemisë, duhet të vëmë re vlerën MCV (nga anglishtja Mean Corpuscular Volume) që tregon madhësinë e rruazave të kuqe. Në qoftë se këto janë më të vogla se vlerat normale atëherë mund të kemi të bëjmë me mungesë hekuri. Kur rruazat e kuqe janë më të mëdha se vlerat e zakonshme, mund të jetë indikator i mungesës së vitaminës B12 ose acidit folik si pasojë e problemeve me përthithjen e disa ushqimeve bazë ose sëmundjeve të sistemit tretës.
Edhe vlerat e larta nuk janë shenjë e mirë: Rritja e numrit të rruazave të kuqe (Eritrocitosis), mund të vijë si pasojë e faktorëve të ndryshëm shëndetësor dhe mund të jetë tregues i sëmundjeve të rralla gjenetike që prekin indin e palcës së kockës,si për shembull: Policitemia Vera (Iperproliferim i Eritrociteve).
Rruazat e bardha: Në ç’gjendje ndodhet sistemi imunitar?
Rruazat e bardha ose Leukocitet, kanë si funksion mbrojtjen e organizmit nga infeksionet e ndryshme. Për këtë arsye, kur kemi të bëjmë me një gjendje infeksioni numri i tyre rritet mbi vlerat normale që variojnë nga 4.000 deri në 11.000 qeliza për mm3.
Në rast se vlerat janë pak më të larta (deri në 14.000), mund të jetë për shkak të stimulimit të sistemit imunitar nga një infeksion viral ose bakterial. Për më tepër, duhet të kemi parasysh vlerat e llojeve të ndryshme të leukociteve (neutrofilet, linfocitet…). Për shembull; një numër i lartë i Neutrofileve mund të jetë tregues i një infeksioni bakterial.
Nga ana tjetër, nëse vlerat leukocitare janë disi të ulëta (3.000 deri në 4.000), nuk është diçka për t’u shqetësuar, pasi mund të jetë pasojë e ndonjë trajtimi me antibiotikë ose anti-inflamatorë.
Në rast se vlerat janë teje mase të larta ose të ulëta (nën 3000 ose mbi 14.000), është shenjë paralajmëruese për probleme të indit të palcës së kockës që mund të rezultojë në prodhimin e çrregullt të qelizave të gjakut dhe formimin e sëmundjeve më të rënda, si për shembull: Leuçemitë.
Shënim: Vlerat e latpërmendura janë ato të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (www.who.int), por mund të pësojnë variacione të vogla në bazë të referencës së çdo laboratori.
Glukoza: A jemi të rrezikuar nga diabeti?
Yndyrnat: A po i monitorojmë siç duhet?