Kolesteroli është një lloj yndyre shumë e rëndësishme për funksionimin optimal të organizmit tonë. Kur nivelet e tij në gjak rriten më shumë se ç’duhet mund të prekin arteriet dhe për pasojë bëhet faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare.
Vlerat ideale të yndyrnave në gjak duhet të jenë si më poshtë:
- Kolesteroli total: Më pak se 200 mg/dl
- LDL (kolesteroli i keq): Më pak se 130 mg/dl
- HDL (kolesteroli i mirë): Më shumë se 35 mg/dl
- Trigliceridet: Më pak se 150 mg/dl
Në rast se niveli i kolesterolit është më i lartë se vlerat normale, me shumë mundësi mjeku do të na rekomandojë disa analiza më specifike përpara se të konstatojë një problem metabolik të natyrës yndyrore që do të ishte një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Kjo, për shkak se shpeshherë në analizat rutinë tregohet vetëm vlera totale dhe nuk bëhet dallimi midis
kolesterolit “të mirë” (HDL) dhe atij “të keq” (LDL).
Po trigliceridet, çfarë tregojnë?
Trigliceridet janë lloji më i shpeshtë i yndyrave që gjenden në trupin tonë. Nivelet e tyre në gjak korrespondojnë me yndyrnat që marrim me anë të dietës, për këtë arsye trigliceridet rriten, në qoftë se ushqimi është i pasur me yndyrna, qofshin ato bimore apo shtazore. Njësoj si kolesteroli, edhe nivelet e larta të triglicerideve përtej 150 mg/dl mund të bëhen faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare.
Shënim: Vlerat e latpërmendura janë ato të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (www.who.int), por mund të pësojnë variacione të vogla në bazë të referencës së çdo laboratori.
Si ti lexojmë dhe interpretojmë analizat e gjakut?
Glukoza: A jemi te rrezikuar nga diabeti?