Dhembja e gjurit dhe trajtimi i dëmtimeve të tij

Shumë njerëz ankojnë për dhembje të gjurit.  Problemet me gjunjtë mund të shkaktohen nga dëmtime aksidentale, nga artriti apo sëmundje të tjera. 

Problematika të tilla mund të shfaqin si meshkujt ashtu edhe femra, por dhe fëmijët. Simptomat varen nga shkalla e dëmtimit, por në vija të përgjithshme shkaktojnë dhembje deri në masën që të pengojnë lëvizjen normale të gjurit.

Dëmtimet e gjurit

Dëmtimet e gjurit mund të shkaktohen nga probleme mekanike, aksidentale dhe tipe të ndryshme artritesh. 

  • Në rast se kemi osteoartrit, që është dhe artriti më i shpeshtë i gjurit, ndjejmë dhembje e ngurtësi, sepse në këtë rast sasia e kërcit në gju pakësohet.
  • Në artritin reumatoid simptomat që shfaqen janë: dhembje, ngurtësi, enjtje, skuqje e nxehtësi në prekje.
  • Dëmtimet fizike mund të përfshijnë secilin nga ligamentet, tendinat, lëngun sinovial, kockat e kërcin. Dëmtimet më të shpeshta janë ato të ligamentit anterior krucial (ACL). Këto dëmtime ndeshen më shumë tek sportistët që praktikojnë basketboll, futboll apo sporte të tjera që kërkojnë ndryshime të menjëhershme të drejtimit.

Diagnostikimi

Mjeku bazohen në historinë familjare të pacientit, duke realizuar ekzaminime fizike dhe teste të posaçme.

  • Ai do të kontrollojë për ënjtje, dhembje, ngurtësim, nxehtësi apo nxirje të dukshme.
  • Kontrollon sa lëvizje mund të kryeni, shtyp apo tërheq artikulacionin për të parë strukturën e gjurit.
  • Mund të kërkojë grafi, skaner, rezonancë magnetike, eko dhe teste laboratorike.

Trajtimi varet nga tipi dëmtimit që shkakton dhembjen.

Mjeku mund të rekomandojë medikamente që qetësojnë dhembjen dhe trajtojnë probleme të tjera, si artritet. Ndonjëherë mund të këshillojë përdorimin e disa medikamenteve që injektohen direkt në gju, si:

  • Antiinflamatorë steroid, të cilët ndihmojnë në reduktimin e dhembjeve dhe të simptomave të artritit. Efekt që mund të zgjasë disa muaj.
  • Acid ialuronik, i cili lubrifikon artikulacionin duke lehtësuar lëvizjet dhe dhembjen.
  • PRP (Plazma e pasuruar me trombocite) përmban një koncentrat të faktorëve të rritjes, të cilët duket të kenë një efekt në reduktimin e inflamacionit dhe të përshpejtojnë shërimin.

Në raste specifike mjeku mund të këshillojë të kryhen ndërhyrje, të cilat mund të jenë:

  • Artroskopi, e cila mund të ketë qëllim të largojë copëza të shkëputura në gju, të heqë apo riparojë kartilagjenen e dëmtuar dhe të bëjë rikonstruksion të ligamenteve të shkëputura.
  • Proteza parciale ose totale.

Disa probleme, si aksidentet, janë të pashmangshme, por disa situata të tjera mund të parandalohen.

Të gjithë pacientët që jetojnë me probleme të gjunjëve, duhet të praktikojnë rregullisht ushtrime fizike. Në qoftë se kemi një masë muskulare të zhvilluar, ajo do na mbrojë nga dëmtimet e gjurit. Nëse vuajmë nga  artriti, duhet të bëjmë kujdes me tipin e ushtrimeve që realizojmë, sepse mund të dëmtohemi më shumë.

Trajtimet shtëpiake për një gju të dëmtuar përfshijnë:

  • Pushim.
  • Vendosje akulli për jo më shumë se 20 minuta. Redukton dhembjen dhe inflamacionin.
  • Vendosje e një borse me ujë të nxehtë, e cila mund të qetësojë dhembjen për pak kohë.
  • Mbështjellje me bende elastike, duke e shtrënguar aq sa duhet për të fiksuar shtrirjen e gjurit dhe për ta mbajtur të qëndrueshëm.
  • Për të qetësuar enjtjen, gjurin mund ta ngrejmë në lartësi me anë të një jastëku.
  • Integratorët me përmbajtje glukozamine dhe kondroitinë ndihmojnë në qetësimin e dhembjes nga osteoartriti.