Hipertensioni radhitet si shkaktari numër një i vdekjeve në të gjithë botën, duke qenë faktori kryesor i rrezikut për patologjitë e tjera të zemrës. Qarkullimi i gjakut me presion më të lartë se normalja zakonisht nuk jep simptoma të dukshme deri në momentin që shfaqen komplikacionet, prandaj është e rëndësishme që të gjithë njerëzit mbi moshën 3 vjeçare të bëjnë një kontroll të presionit të gjakut të paktën një herë në vit. Sigurisht, për të bërë një diagnozë të saktë duhet bërë detyrimisht vizitë tek mjeku kardiolog.
Nëse jeni diagnostifikuar dhe trajtoheni nga hipertensioni, duhet të tregoni një kujdes të veçantë në përdorimin e disa medikamenteve që mund të kenë si efekt anësor rritjen e presionit të gjakut.
Në farmaci mund të merren pa recetë një gamë e gjerë medikamentesh, përdorimi i të cilave nuk kërkon detyrimisht rekomandimin e mjekut. Këto medikamente mund të përdoren për trajtimin e simptomave të tilla si: gripi, kolla, diareja, djegie të stomakut, dhembje të lehta etj. Por përdorimi i disa prej këtyre barnave nga pacientë që vuajnë nga hipertensioni e ka të këshillueshme e madje në disa raste të detyrueshme konsultimin me mjekun kardiolog që i mban në mbikqyrje të vazhdueshme. Kjo ndodh, sepse, për shembull, antiinflamatorët, si ibuprofeni apo naproxeni, të cilët përdoren gjerësisht për lehtësimin e dhembjeve, mund të rrisin presionin e gjakut. Gjithashtu, medikamente që mund të përdoren për ftohjen dhe lehtësimin e frymëmarrjes, si oxymetazolinë, fenilefrine e pseudoefedrine, mund të kenë kenë si efekt anësor rritjen e presionit të gjakut.
Këshillimi me mjekun ose farmacistin ju jep një informacion më të plotë për sigurinë e përdorimit dhe për mundësitë e përzgjedhjes së një medikamenti alternativ, i cili mund të ketë efekte anësore me ndikim më të vogël, të përshtatshëm për pacientët që vuajnë nga hipertensioni.
Për ta konkretizuar këtë që sapo thamë, mund të themi që për këta pacientë një zgjedhje më e përshtatshme për lehtësimin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes është përdorimi i një spray për hundën me përbërje bazë kripën, apo i karameleve me mentol.
Suplementët ushqimorë po marrin çdo ditë e më shumë një përdorim të gjerë, si zëvendësues ose plotësues të dietës ushqimore. Përdorimi i tyre është pjesë e një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Ne këtu duam të tërheqim vëmendjen e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, të cilët duhet të tregojnë një kujdes të veçantë në përzgjedhjen dhe përdorimin e vazhdueshëm të tyre. Suplementët ushqimorë mund të kenë në përbërjen e tyre lëndë që rrisin presionin e gjakut. Mund të përmendim: kafeinën, ginsengun, kondroitinën, glukozaminën etj, të cilat të marra në doza të larta dhe për një periudhë relativisht të gjatë përbëjnë një faktor të shtuar rreziku.
Për sigurinë e të gjithë pacientëve që vuajnë dhe trajtohen periodikish për hipertension, këshilla më e mirë që mund të japim është që, përpara se të përdorin një medikament otc (që merret pa recetë) apo një suplement ushqimor, të planifikojnë një këshillim me mjekun ose farmacistin.