Akne Vulgaris është një nga patologjitë më të shpeshta dermatologjike, që prek më shumë se 80% të njerëzve, në një fazë të caktuar të jetës. Akne nuk mund të konsiderohet si një sëmundje e rëndë apo që ndikon në jetëgjatësi, por mund të ketë një ndikim të ndjeshëm në cilësinë e jetës së personave të prekur.
Akne prek miliona njerëz çdo vit. Mosha, kur ndeshet më tepër, është përgjithësisht ajo e adoleshencës. Tek femrat shfaqet në një moshë më të hershme, kjo lidhur dhe me pubertetin më të hershëm. Tek meshkujt, dhe pse shfaqet më vonë, ka prirjen të ketë forma më të rënda, por që kanë ecuri më të shkurtër, sesa tek femrat. Mbi bazën e statistikave të mbledhura është parë se akne prek më shumë se 80% të djemve dhe vajzave të moshës 16 vjeçare.
Kjo patologji tani nuk trajtohet më si një problem që i përket vetëm adoleshencës, sepse në shumë raste vazhdon dhe pas pubertetit. Pas kësaj moshe, sigurisht që vihet re një ulje drastike e rasteve me akne, por deri në moshën 45 vjeçare vazhdojnë të kenë këtë patologji rreth 3% të meshkujve dhe 11-12% të femrave.
Akne konsiderohet si një sëmundje me bazë inflamatore, që ndikohet nga faktorë androgjenikë dhe ambientalë, të cilët janë në gjendje të ndërpresin ciklin natural të folikujve sebace, gjë që çon në formimin e komedoneve dhe lezioneve inflamatore. Është një sëmundje komplekse, që shfaqet me intensitet të ndryshëm. Ashpërsia e shfaqjes së sëmundjes varion në secilin individ nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm.
Një nga tiparet karakteristike të akneve është segmentimi i simptomave në disa faza:
- Faza jo-inflamatore e saj mund të vihet re që në moshën e parapubertetit, me një prodhim të shtuar të sebumit në fytyrë, në kraharor, në shpinë dhe në shpatulla. Kjo mund të shoqërohet edhe me zmadhim të poreve dhe me praninë e komedoneve.
- Faza inflamatore është faza e paraqitjes klinike. Tashmë kemi prani të lezioneve që në vijim të sëmundjes mund të bëhen shkak për t’u pasuar nga shenja. Në këtë fazë kemi shfaqjen në shumë forma të aknes, si: me papula, me pustula, me noduj dhe me kiste ose një kombinim të tyre.
- Faza postinflamatore shoqërohet me ndryshime të ngjyrës së lëkurës, e cila mund të mbesë e kuqe ose e hiperpigmentuar në varësi të ndryshimeve inflamatore. Tek disa pacientë dëmtimet e mëdha inflamatore mund të lënë shenja. Këto shenja mund të jenë pasojë e dëmtimeve që kanë ndodhur në dermën e thellë dhe sipërfaqësore, mund të lidhen me eritemën dhe më rrallë mund të vinë si rezultat i ndryshimit të pigmentit.
Fatkeqësisht, këto shenja prekin 95% të pacientëve dhe janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e sëmundjes, para se të fillojë trajtimi i duhur. Mënyra më e mirë për të parandaluar shenjat dhe për të minimizuar efektet dhe pasojat e aknes është trajtimi i hershëm dhe i efektshëm i tyre.
Terapitë që mund të përdoren, janë të shumta, të ndryshme dhe individuale në bazë të veçorive të paraqitjes së aknes. Një trajtim që mund të jetë i efektshëm e me rezultate të mira për një pacient, nuk vepron tek një pacient tjetër. Për të dhënë rezultatet e pritura, trajtimi kërkon kohën e tij dhe, mbi të gjitha, kërkon zbatimin me përpikmëri të rekomandimeve të mjekut dermatolog për mënyrat e përdorimit të medikamenteve.