Kur kryhet ‘Peeling kimik’

Peeling kimik

Peeling kimik është një teknikë që përdoret për të përmirësuar paraqitjen e lëkurës së fytyrës, qafës ose të duarve. Përdoret gjithashtu dhe për të përmirësuar e zbutur linjat e fytyrës. Ai është një trajtim i efektshëm për problemet e fytyrës, rrudhat dhe për pigmentimin e lëkurës. Me anë të peeling kimik hiqet shtresa e sipërme me qeliza të vdekura dhe nxirret në pah një shtresë  e re lëkure, me tonus  dhe me cilësi të përmirësuar. Përveç një rinimi të plotë të fytyrës disa lloje peeling të lëkurës mund të përdoren edhe për zona të tjera të trupit, si p.sh për të hequr strijat etj.

Peeling kimik është një nga procedurat më të vjetra kozmetike në botë, e cila është përdorur që në kohën e Egjiptit të lashtë, në Greqi dhe Romë, për të ndihmuar njerëzit që të kishin lëkurë më të butë e më të bukur.

Në ditët e sotme, peeling kimik është bërë shumë i përhapur  sepse ofron rezultate të menjëhershme me një teknikë të thjeshtë, pa patur nevojë për shtrim në spital.

Në përgjithësi, pacientët me lëkurë të bardhë dhe flokë të hapur ose me ngjyrë jo shumë të errët lëkure janë kandidatët ideal për peeling kimik. Megjithatë  kjo nuk përjashton dhe pacientët me ngjyrë tjetër lëkure apo flokësh.

Para se pacienti t’i nënshtrohet çdo lloj procedure atij i kryhet një anamnezë e detajuar dhe një ekzaminim lëkure. Theksojmë që është e rëndësishme që ai të gëzojë shëndet të plotë e të mos jetë përdorues duhani.

Peeling kimik mund të jetë procedura e duhur për ata pacientë që kanë nevojë:

  • të trajtojnë aknet që janë në fazë jo aktive
  • të pakësojnë shenjat e akneve,
  • të zbusin rrudhat e imta,
  • të përmirësojnë butësine e fytyrës,
  • të unifikojnë ngjyrën e lëkurës
  • të eleminojnë shenjat e moshës, ose të pakësojnë efektin e diellit në lëkurë

Llojet e peeling

Ekzistojnë lloje të ndryshme të peeling kimik me përbërës të ndryshëm që arrijnë në 3 nivele të thellësisë së depërtimit në lëkurë.

Peeling sipërfaqësor:  Për këtë lloj peeling përdoren alfa-hydroksi acide ose acide të tjera të buta për të depërtuar në shtresën sipërfaqësore të lëkurës dhe me lehtësi ta zhveshin atë. Ky trajtim është i përshtatshëm për ndryshime sipërfaqësore të ngjyrës së lëkurës dhe lëkurës së ashpër që krijohet në fytyrë, qafë, kraharor dhe duar.

Peeling i mesëm; në këtë rast acidet e përdorura arrijnë në shtresat e mesme të lëkurës dhe largojnë qelizat e dëmtuara të saj. Ky trajtim është i nevojshëm për të përmirësuar shenjat e kohës, rrudhat e lehta dhe ndryshime të lehta të pigmentit të lëkurës.

Peeling i thellë: në këtë rast përdoret acidi trikloracetik ose fenoli për të depërtuar thellë në shtresën e mesme të lëkurës për të larguar qelizat e dëmtuara. Ky trajtim largon rrudhat e lehta, shenjat e moshës, qukat dhe dëmtimet sipërfaqësore. Pacientët shohin një përmirësim shumë të dukshëm në lëkurën e tyre. Kjo procedurë  përdoret vetëm në fytyrë dhe mund të kryhet vetëm njëherë.

Dermatologu përcakton një formulë specifike për peeling kimik të bazuar në karakteristikat e lëkurës suaj dhe rezultatet që prisni.

Referenca:

American Society of Plastic Surgeons
American Academy of Dermatology