Peeling kimik është një teknikë që përdoret gjerësisht për të përmirësuar paraqitjen e lëkurës së fytyrës, të qafës dhe të duarve. Është një nga trajtimet e efektshme për zgjidhjen e problemeve të fytyrës, rrudhave dhe pigmentimit të lëkurës. Me anë të peeling hiqet shtresa e sipërme me qeliza të vdekura dhe nxirret në pah një shtresë e re lëkure, e cila ka tonifikim dhe cilësi të përmirësuara. Nga kjo teknikë përfitohet një rinim i plotë i fytyrës. Disa lloje peeling të lëkurës mund të përdoren për zona të caktuara të trupit me qëllimin e heqjes se strijat apo për të rinuar lëkurën në pjesë të veçanta të trupit.
Peeling kimik është një nga procedurat kozmetike më të vjetra në botë. Ka ndihmuar njerëzit të kishin lëkurë më të butë dhe më të bukur, që në kohët e lashta në Egjipt, në Greqi dhe në Romë. Në ditët e sotme, peeling kimik ka marrë një përhapje dhe përdorim të gjerë, sepse i siguron përdoruesve rezultate të menjëhershme, falë një teknike të thjeshtë, pa patur nevojë për shtrim në spital.
Peeling kimik mund të jetë procedura e duhur për pacientët që kanë nevojë të pakësojnë shenjat e akneve, të zbusin rrudhat, të përmirësojnë lëmueshmërinë e fytyrës, të eleminojnë shenjat e moshës ose të pakësojnë efektet negative të diellit në lëkurë.
Përgjithësisht pacientët me lëkurë të bardhë dhe me flokë në ngjyrë të çelur janë kandidatët idealë për peeling kimik, megjithatë kjo nuk përjashton dhe pacientët me lëkurë apo flokë të një ngjyre më të errët. Është e rëndësishme që ai apo ajo të gëzojë shëndet të plotë dhe të mos jetë përdorues duhani.
Para se pacienti t’i nënshtrohet kësaj lloj procedure, është e nevojshme që mjeku dermatolog të bëjë një anamnezë e detajuar dhe një ekzaminim i plotë i lëkurës, për të përcaktuar një formulë specifike të realizimit të saj. Kjo duhet bërë, sepse ekzistojnë disa lloje të peeling kimik që si bazë kanë përbërës të ndryshëm, për të arritur në 3 nivele të thellësisë së depërtimit në lëkurë.
- Peeling sipërfaqësor Për këtë lloj përdoren alfa-hydroksi acide ose acide të tjera të buta, që depërtojnë në shtresën sipërfaqësore të lëkurës dhe e zhveshin atë me lehtësi. Ky trajtim është i përshtatshëm për ndryshime sipërfaqësore të ngjyrës së lëkurës dhe për zbutjen e lëkurës së ashpër, që krijohet në fytyrë, qafë, krahëror dhe duar.
- Peeling i mesëm Në këtë rast acidet e përdorura arrijnë në shtresat e mesme të lëkurës dhe largojnë qelizat e dëmtuara të saj. Ky trajtim përmirëson shenjat e kohës, rrudhat e lehta dhe ndryshimet e lehta të pigmentit të lëkurës.
- Peeling i thellë Për të depërtuar thellë në shtresën e mesme të lëkurës dhe për të larguar qelizat e dëmtuara përdoret acidi trichloracetik ose fenoli. Ky trajtim largon rrudhat e lehta, shenjat e moshës, qukat dhe dëmtimet sipërfaqësore. Pacientët shohin një përmirësim lehtësisht të dukshëm në lëkurën e tyre. Kjo procedurë përdoret vetëm në fytyrë dhe mund të kryhet vetëm një herë.