Ekzistojnë trilionë mikroorganizma që jetojnë brenda nesh dhe mbi ne, duke formuar kështu një ekosistem kompleks, plot jetë, të përbërë prej bakteresh, virusesh, arkeash dhe myqesh. Këto organizma mikroskopikë, formojnë, në mënyrë kolektive, atë që quhet Mikrobiota ose Mikrobioma njerëzore, e cila duket se luan disa role kyçe në rregullimin dhe kontrollin e gjendjes tonë shëndetësore.
- Sot ka të dhëna të mjaftueshme shkencore, të cilat tregojnë qartë rolin e rëndësishëm dhe potencialin që ka mikrobiota në mbështetjen e tretjes dhe ushqyerjes, si dhe në orkestrimin e sistemit imunitar.
- Nga ana tjetër, çrregullime në mikrobiotë janë shoqëruar shpesh me sëmundje inflamatore e disa lloje kanceri.
- Hulumtime të reja tregojnë edhe rolin thelbësor të saj në zhvillimin e sistemit nervor qendror.
Megjithatë, pyetja që shtohet është se si arritëm në këtë kuptueshmëri aktuale shkencore?
- Edhe pse konsiderohet si një fushë relativisht e re kërkimore-shkencore, gjithçka filloi me përshkrimet e para të mikrobiotës njerëzore, në kohën kur Antonie van Leeuwenhoek filloi të përdorë mikroskopin e tij, në vitet 1670-1680.
- Më pas do të kalonte shumë pak kohë derisa komuniteti shkencor të zbulonte se si mund të kultivoheshin këto mikroorganizma dhe kjo lejoi krijimin e një mase të mjaftueshme mikroorganizmash, që mundësonte një pamje më të qartë, matje të cilësive të ndryshme të tyre, si dhe vëzhgimin e reaksioneve të ndryshme biokimike që zhvilloheshin në këto kultura.
- Më tej, me mbërritjen e teknologjisë së sekuencimit të ADN-së, ARN-së dhe proteinave u bë e mundur të kuptohej struktura e metabolitëve dhe proceseve metabolike kyçe me një rëndësi të veçantë për shëndetin e njeriut. Duke vëzhguar diferencat e ADN-së, ARN-së dhe proteinave, u bë e mundur të krijonim identitete specifike për secilën specie, të përcaktonim cilit grup mikroorganizmash i përkisnin, cilat ishin metabolitet që këto mikroorganizma prodhonin dhe si këto metabolite ndikonin në shëndetin e njeriut.
- Këto zhvillime realizuan zhvendosjen e studimit të disa shtameve të kufizuara të mikroorganizmave nëpër pjata petri, drejt hulumtimit të marrëdhënieve dhe ndërveprimeve komplekse që ekzistonin në komunitetet mikrobiale në organizmin e njeriut.
- Ky ishte dhe fillimi i fushës së re shkencore të mikrobiomës njerëzore që filloi të shihej si entitet i konsoliduar shkencor rreth viteve 1990.
Mirëpo cilat ishin disa nga eksperimentet kyçe që formuan identitetin e kësaj fushe kërkimore?
- Një nga studimet më të rëndësishme u realizua në vitin 1999, kur një grup studiuesish sekuencuan ARN-në ribozomike e mikroorganizmave tek foshnjat 85 deri në 220 ditësh dhe zbuluan marrëdhënien dhe motivet e kolonizimit të këtyre mikroorganizmave në koloninë e këtyre subjekteve (Figura 1).
- Kërkimet e mëtejshme do të zbulonin se mikrobioma njerëzore do të ishte një prej linjave më të rëndësishme në luftën kundër mikroorganizmave sëmundje-shkaktues të jashtëm, si, për shembull, salmonela e cila mund të shkaktojë salmonelozën, vetëm në rast se shumohet pa kontroll.
- Në fund të viteve 1960 u vu re se në disa eksperimente me kafshë, kur administroheshin antibiotikë për të trajtuar sëmundje infektive të caktuara, këto kafshë bëheshin më suseptibël (më të ndjeshme) ndaj salmonelozës ose infeksioneve të ngjashme, mekanizmat e të cilës sot i kuptojmë më mirë.
- Zbulim tjetër i rëndësishëm ka qenë roli i mikrobiomës në nutricion, në orkestrimin e sistemit tonë imunitar, në zhvillimin e obezitetit dhe në sëmundje të tjera kronike të tilla, si: sëmundja inflamatore e zorrëve.
- Në një seri eksperimentesh u zbulua se, kur kavjeve identike aksenike (pa mikrobiomë, sterile) u transferohej mikrobiomë nga subjekte njerëzore të shëndetshëm dhe obezë, e më pas trajtoheshin me të njëjtat kushte mjedisore dhe me dietë identike, shihej se kavjet me mikrobiomën e individëve të shëndetshëm vazhdonin të kishin një peshë relativisht normale dhe nuk zhvillonin obezitet, kurse kavjet me mikrobiomën e individëve obezë zhvillonin çrregullime në peshë dhe obezitet (Figura 2).
Si rezultat i eksperimenteve të tilla dhe zbulimeve prej këtyre gjetjeve, komuniteti shkencor po përpiqet të lidhë aspekte të kompozimit të mikrobiotës, me aspekte të ndryshme të shëndetit njerëzor.
Megjithatë, ajo që është evidentuar deri tani është një variacion ndërindividual i jashtëzakonshëm dhe se nuk ekziston vetëm një kombinim i shëndetshëm i mikrobeve në komunitetin e mikrobiotës.
Ne të gjithë jemi unikë!
Pavarësisht këtyre gjetjeve, ky variacion është çelësi i zbulimit të kompozimit ideal mikrobial. Ajo që pritet të kompletojë panoramën aktuale, është kuptueshmëria e faktorëve mjedisorë dhe individualë.
Nevojiten më tepër studime në popullsi dhe në kultura të ndryshme anembanë botës për të kuptuar dhe përdorur variacionin që ekziston ndërmjet njerëzve.
Përpjekje të tilla janë duke ndodhur dhe jemi duke pritur copëzat e puzzle-it të bashkohen.
Vëmendja në këtë moment të historisë shkencore është tek kombinimi i mikrobiomës në individë të shëndetshëm dhe të sëmurë. Në këtë mënyrë mund të gjendet mënyra për të ripërtëritur ose rikthyer mikrobiomën në kompozimin ‘e shëndetshëm’.
Qëllimi kryesor është të kuptohen më mirë potencialet e mikrobiomës dhe si ajo mund të përmirësojë shëndetin e njeriut.