Inkontinenca urinare pas lindjes

Inkontinencë urinare quhet çdo lloj humbje e pavullnetshme e urinës, e cila mund të jetë në sasi të ndryshme, nga disa pika, deri në zbrazje pothuajse të plotë të vezikës.

Zakonisht shfaqet gjatë një veprimi nën sforco, si:

  • kollitja
  • teshtima
  • e qeshura
  • vrapi
  • zbritja dhe ngjitja e shkallëve
  • ngritja e peshave të rënda etj.

Rrallëherë mund të ndodhë pa ndonjë sforcim, si një urgjencë të pakontrollueshme për të urinuar dhe, me shumë mundësi, sasia e urinës që humb në këto raste është më e madhe.

Çfarë ndikon në shfaqjen e inkontinencës urinare?

Janë të shumtë faktorët që marrin pjesë në shfaqjen e IU (inkontinenca urinare).

Këtu mund të përmendim:

  • Diabetin e pakontrolluar
  • Obezitetin
  • Sëmundjet neurologjike, si: Skleroza Multiple
  • Sëmundjet e moshës së avancuar, si: Parkinsoni apo Alzheimeri
  • Të gjitha ndryshimet hormonale që shfaqen gjatë menopauzës dhe që kanë si pasojë një humbje të elasticitetit të indeve të vaginës, uretrës, sfinkterit urinar dhe të gjithë kompleksit të dyshemesë të legenit (dyshemeja e pelvisit).

Por faktori kryesor që ndikon në shfaqjen e IU është: LINDJA.

Gjatë lindjes natyrale, koka dhe trupi i foshnjës kalojnë përmes kanalit vaginal duke shtypur dhe tërhequr uretrën dhe të gjithë muskujt dhe ligamentet e dyshemesë të pelvisit (legenit).

Presioni që ushtron trupi i fëmijës shtyp muskujt dhe indet duke i lënë në ishemi (pa gjak dhe oksigjen), por njëkohësisht provokon dhe tërheqje të tyre, duke sjellë dëmtimin/plasaritjen e muskujve në disa pika ku si pasojë do të formohen çikatrice.

Tërësia e këtyre mikrotraumave sjell një humbje të elasticitetit.

Faktorët që nxisin shfaqjen e IU pas lindjes janë:

  • Mosha e madhe e nënës në lindjen e parë.
  • Pesha e madhe e fëmijës.
  • Lindjet binjake.
  • Lindjet e shumta.
  • Pozicionet fetale të vështira (kur fëmija nuk është kthyer dhe paraqitet në pozicion podalik/me këmbë apo me shpatull)
  • Shtërzimi i stërzgjatur.
  • Manovrat obstetrike, si: përdorimi i ventozës (tërheqje me vakum) apo epiziotomia (inçizion/prerje e pjesës së poshtme të vaginës deri në muskujt e poshtëm për t’i krijuar hapësirë foshnjës dhe për të evituar çarje/plasje të pakontrolluara).

Si mund të parandalohet?

  • Gjatë shtatzënësisë duhet mbajtur nën kontroll presioni i gjakut dhe glicemia (sheqeri ne gjak).
  • Duhet kontrolluar rritja dhe pesha e foshnjës dhe e nënës.
  • Nënat e reja duhet të edukohen për frymëmarrjen dhe lëvizjet e duhura që duhen bërë gjatë lindjes (si dhe kur të shtyjnë etj).
  • Por gjëja më e rëndësishme është fizioterapia e dyshemesë së pelvisit, e cila i përgatit muskujt për lindjen dhe i ndihmon që të jenë më elastikë.

Në rast se IU zgjatet përtej muajit të parë pas lindjes, pacientja duhet të kryejë një vizitë tek mjeku urolog që do ta këshillojë për kontrollet e duhura.