Pandemia po shton rrezikun e obezitetit, veçanërisht te fëmijët

Obeziteti

Çakordimet që pandemia ka sjellë në arsim (mësimi online), anullimin e veprimtarive sportive e sociale, si dhe qëndrimin e shtuar në shtëpi, po shtojnë seriozisht rrezikun për një shtim në peshë që mund të ketë pasoja afat-gjata tek shëndeti i fëmijëve. Studentët janë duke u kequshqyer (studimet për Shqipërinë këtu) dhe po kryejnë më pak aktivitet fizik. Në këto kushte është e natyrshme dhe e arsyeshme të ngremë shqetësimin për një prirje të rrezikshme të trajektores aktuale së obezitetit ndër të rinjtë në Shqipëri. Kjo pandemi po i vendos veçanërisht fëmijët në një rrezik më të madh për obezitet, gjë që do të shtojë në mënyrë drastike rrezikun në këto grupmosha për diabet të tipit 2, astmë, depresion dhe sëmundje të tjera kronike. Në shumë raste mund të keni dëgjuar apo parë fëmijë të cilët kanë shtuar në peshë këto kohë. Nga pikëpamja nutricionale fëmijët e moshave 6 deri në 12 janë ata që mund të shtojnë më shpejtë në peshë. Të qenit në klasë i ndihmon fëmijët të jenë më aktivë dhe të shëndetshëm (konsulto këtu).

Për më tepër në këto kohë është shtuar depresioni dhe rreziku për të abuzuar me substanca (konsulto këtu). Konstatime profesionale tregojnë se fëmijët ndjejnë mungesën e shkollës dhe të miqve të tyre (konsulto këtu). Studimet tregojnë gjithashtu se një pjesë e mirë janë duke rënë nga mësimet (konsulto këtu) dhe janë shtuar ushqimet nga jashtë dhe me porosi (konsulto këtu) – që zakonisht janë të pashëndetshme. Duke konsideruar këto gjetje dhe duke marrë parasysh që pandemia ka prekur ekonominë, jo vetëm të vendit tonë, por gjithandej, mund të deduktojmë se ekziston rreziku që të kemi një rritje të kequshqyerjes, që do të thotë se shumë familje nuk do të mund të kenë akses ndaj një ushqyerje të shëndetshme dhe adekuate – një faktor që e vendos shëndetin e popullatës në rrezik në një kohë të pafavorshme.

Çfarë të bëjmë?

Një zgjidhje e qëndrueshme dhe e nevojshme:

Në një situatë të tillë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm nevojitet një udhëzues kombëtar i ushqyerjes i bazuar në fakte dhe që merr parasysh nevojat specifike të shqiptarëve, sipas grup-moshave të ndryshme, pasi udhëzuesi i shkuar nuk është  përditësuar qysh prej vitit 2008 dhe është jo profesional për standartet dhe sfidat e sotme shëndetësore (konsulto këtu). Gjithashtu nevojitet urgjentisht një survejancë nutricionale periodike (minimumi çdo 3 muaj) për të ndjekur trajektoret e kompozimit ushqimor, ushqyerjes, peshës, indikatorëve të zhvillimit dhe parametrave të tjerë të nevojshëm, veçanërisht për moshat pediatrike. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të gjykojmë bazuar në fakte dhe shifra se si të adresojmë sfidat shëndetësore që po i kanosen shqiptarëve dhe veçanërisht brezit të ri.

Nëse sot nuk investojmë në këtë drejtim, nesër do të na kushtojë shtrenjtë!