Ndërhyrje kirugjikale pas infektimit me COVID-19: Kur?

nderhyrje kirurgjikale

Miliona ndërhyrje kirurgjikale jo urgjente të cilat u anulluan gjatë fazës së hershme të pandemisë COVID-19, do të rifillojnë së shpejti1.  Ne kemi parë që pacientët me infeksion SARS-CoV-2, gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, kanë një rrezik të shtuar për vdekje dhe ndërlikime pulmonare post operatore.

Atëherë lind pyetja: kur është koha optimale për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale pas infektimit me SARS-CoV 2?

Studimi i fundit ndërkombëtar i cili u krye në 1674 spitale në 116 vende të botës, përfshirë dhe Shqipërinë, ku u përfshinë një total prej 140.231 pacientësh, i përgjigjet kësaj pyetjeje3.

Gjatë tetorit 2020, pacientët e infektuar me SARS-CoV-2 para ndërhyrjes kirurgjikale u krahasuan me ata pa infeksion të mëparshëm. Nga totali i pacientëve (140.231) që u morën në konsideratë, vetëm 3127 prej tyre (2.2%) kishin një diagnozë pre-operative me SARS-CoV-2.

Rezultatet e studimit te këta pacientë treguan se:

  • Pacientët e infektuar më parë me SARS-CoV-2 që u operuan brenda  0-2 javëve , 3-4 javëve dhe 5-6 javëve pas infeksionit kishin një shkallë më të lartë të vdekshmërisë dhe të komplikacioneve  pulmonare, se pacientët që nuk u infektuan kurrë me SARS-CoV-2.
  • Kirurgjia e kryer pas më shumë se 7 javëve nga diagnostifikimi me koronavirusin e ri u shoqërua me një rrezik të ngjashëm të vdekshmërisë me nivelin fillestar. Këto gjetje ishin konsistente si në nëngrupe me rrezik të ulët ashtu edhe me rrezik të lartë
  • Studimi tregon gjithashtu se pas një vonese 7 javore në kryerjen e një ndërhyrje kirugjikale, pas infektimit me SARS-CoV-2, pacientët që ishin ende me simptoma kishin një vdekshmëri më të lartë se pacientët simptomat e të cilëve ishin zhdukur ose që kishin qenë asimptomatikë. Si të tillë, këta pacientë mund të përfitojnë nga një shtyerje të ndërhyrjes derisa simptomat e tyre të qetësohen.

Ky studim këshillon:

Kur është e mundur, ndërhyrja kirurgjikale  duhet të shtyhet  për të paktën 7 javë pas infektimit me SARS-CoV-2 për të zvogëluar rrezikun e vdekshmërisë postoperative dhe komplikacioneve pulmonare

  • Pacientët me simptoma të vazhdueshme edhe pas 7 javëve nga diagnoza mund ta shtyjnë edhe më shumë kohën e ndërhyrjes.
  • Rezultatet e këtij studimi duhet të mbështesin vendimmarrjen e përbashkët të informuar nga anestezistët, kirurgët dhe pacientët.
  • Vendimet duhet të përshtaten për secilin pacient, pasi avantazhet e mundshme të vonesave të ndërhyrjeve kirurgjikale për të paktën 7 javë pas diagnozës SARS‐CoV‐2 duhet të ekuilibrohen kundrejt rreziqeve që mund të sjellë kjo vonesë, si p.sh procedura kirurgjikale urgjente siç është heqja e tumoreve të përparuara.

Të dhënat e mbledhura gjatë këtij studimi janë shumë informuese dhe shumë të nevojshme. Ky studim historik do të informojë protokollet e kirurgjisë, veçanërisht tani që po i afrohemi një kohe vaksinimesh,  ku operacionet e shtyra mund të fillojnë përsëri. Në javët dhe muajt e ardhshem, artikuj të tjerë do të botohen nga këto të dhëna (të tilla si përfitimet e vaksinimit para operacionit në kirurgjinë jo urgjernte).

Referencat

  1. COVIDSurg Collaborative. Elective surgery cancellations due to the COVID‐19 pandemic: global predictive modelling to inform surgical recovery plans. British Journal of Surgery 2020; 107: 1440–9.
  2. COVIDSurg Collaborative. Mortality and pulmonary complications in patients undergoing surgery with perioperative SARS‐CoV‐2 infection: an international cohort study. Lancet 2020; 396: 27–38.
  3. COVIDSurg Collaborative. GlobalSurg Collaborative Timing of surgery following SARS‐CoV‐2 infection: an international prospective cohort study. Anaesthesia. https://doi.org/10.1111/anae.15458