Inkontinenca urinare (humbja e pavullnetshme e urinës) është një simptomë që shfaqet shpesh pas lindjes. Në pjesën më të madhe të rasteve kjo ndodh, sepse nënat e reja nuk edukohen si duhet për frymëmarrjen, veprimet dhe lëvizjet që duhet të kryejnë gjatë lindjes.
Cilët janë muskujt që duhen stërvitur?
Dyshemeja i pelvisit përbëhet nga një kompleks ligamentesh dhe muskujsh që mbyllin pjesën e poshtme të legenit. Këto muskuj i ofrojnë mbështetje jo vetëm vaginës, vezikës dhe uretrës (kanali i vogël që shërben për të transportuar urinën jashtë nga vezika dhe që hapet në pjesën e përparme të vaginës), por janë pjesë integrale e gjithë sistemit dhe arrijnë të ndërthuren me njëra-tjetrën dhe me sfinkerin urinar (muskuli i vogël në brendësi të uretrës që kontrollon hapjen dhe mbylljen e fluksit urinar).
Nuk është e lehtë të kryhen lëvizjet e duhura apo të kesh vetëndërgjegjësimin se cilët muskuj duhet të aktivizohen, prandaj herët e para këshillohet t’i drejtoheni personelit mjekësor. Nëse nuk e keni të mundur këshillimin, një mënyrë praktike individuale për të kuptuar se cilët janë muskujt që duhen aktivizuar, është të provoni që gjatë urinimit të ndaloni fluksin e urinës. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se cilët janë muskujt e duhur që duhet të përdoren.
Si realizohen ushtrimet?
Ushtrimet bazë janë shumë të thjeshta dhe nevojiten vetëm 10 min.
Kronologjia e veprimeve është e tillë:
- Fillimisht është mirë të jeni të shtrira në shtrat dhe të relaksuara.
- Një dorë duhet vendosur në bark dhe tjetra tek kofsha.
- Frymëmarrja duhet të vazhdojë rregullisht gjatë gjithë lëvizjeve.
- Duhet të shtrëngoni pjesën e poshtme të vaginës, si për të ndaluar urinën kur shpëton fort.
- Duhet vetëm të shtrëngoni dhe jo të shtyni.
- Duart kontrollojnë që muskujt e barkut dhe të kofshëve të mos aktivizohen dhe të jenë të buta.
- Mbani shtrënguar për 3 sekonda.
- Ndërkohë fymëmarrja vazhdon e qetë. Mos e mbani frymën!
- Pas tre sekondave lëshoni muskujt në gjendje qetësie.
- Pushoni një sekondë dhe përsëriteni gjithë ciklin për të paktën 10 herë.
- E gjithë procedura duhet bërë të paktën dy herë në ditë (në mëngjes dhe në darkë).