Pagjumësia është një shqetësim që ndeshet shumë shpesh.
Shoqata Amerikane e Psikiatrisë raporton një prevalencë prej 6-10% në rang botëror. Vetëm në Itali rreth 9 milion individë vuajnë nga pagjumësia kronike, 45% e popullsisë vuan nga pagjumësia akute dhe kjo problematikë duket se ka një tendecë në rritje.
- Pagjumësia ndikon negativisht në cilësinë e jetës dhe është vlerësuar si faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, imunitare, neurologjike dhe mendore.
- Nga ana tjetër gjumi cilësor është faktor i rëndësishëm për shëndetin psikofizik.
Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit (AASM), e cila përcakton udhëzime ndërkombëtare për trajtimin e çrregullimeve të gjumit, njeh CBT-I (Cognitive Behavioural Therapy for Insomnia- Terapinë konjitive-komportamentale për pagjumësinë) si zgjedhje e parë për trajtimin e pagjumësisë, me një efikasitet të krahasueshëm me atë të barnave hipnotike.
CBT-I nuk është një lloj psikoterapie, por një ndërhyrje e përqendruar në çrregullimin e gjumit. Ajo bazohet në modele psikofiziologjike të çrregullimit të gjumit dhe vepron tek faktorët që mbështesin këtë gjendje (faktorë të sjelljes, fiziologjikë dhe konjitivë). Kjo është arsyeja, pse ky protokoll trajtimi është menduar për individët që vuajnë nga pagjumësia, pavarësisht nga origjina e këtij çrregullimi (nëse është pagjumësi psikofiziologjike apo nëse shkaktohet nga një gjendje mjekësore dhe/ose psikologjike).
Pagjumësia mund të jetë pasojë e problemeve neurologjike, kardiovaskulare, pulmonare, të trejtjes, endokrine, muskulo-skeletrike, të aparatit riprodhues dhe psikologjike.
Studime të shumta kanë treguar që, edhe kur është pasojë e një gjendje të caktuar shëndetësore, trajtimi i pagjumësisë ka efekte pozitive jo vetëm në cilësinë e gjumit, por edhe në shkaktarin primar të saj. Rezultatet e arritura nga trajtimi mund të ndikojnë në lehtësimin e simptomave dhe në mënjamimin e përkeqësimeve apo rikthimeve të mundshme.
CBT-I konsiston në ndërhyrjet e mëposhtme:
1. Komportamentale
- Teknika e kontrollit të stimujve (Bootzin,1972)
- Teknika e kufizimit të gjumit (Glovinsky e Spielman,1991)
2. Konjitive
- Terapia konjitive (Morin 1993)
- Teknika e kontrollit konjitiv (Morin, Espie, 2004)
- Teknika e qëllimit paradoksal (Espie, 1985)
3. Psikoedukimi për gjumin, pagjumësinë dhe higjienën e gjumit.
Përse janë të nevojshme teknikat e çlodhjes?
Shpesh njerëzit që vuajnë nga pagjumësia, ndeshin vështirësi në çlodhje përpara se të shtrihen apo në momente të tjera gjatë ditës. Të shumta janë teknikat e qetësimit që mund të përdoren në kuadër të trajtimeve të integruara jo farmakologjike të pagjumësisë.
Teknikat e çlodhjes përfshijnë një sërë ushtrimesh që mund të realizohen si në grup ashtu edhe vetëm dhe kanë si objektiv përqendrimin e vëmendjes dhe qetësimin në mënyrë progresive të pjesë të ndryshme të trupit. Bëhet fjalë për një stërvitje, e cila ka si qëllim t’i mësojë individët si të njohin dhe të reduktojnë tensionin muskulor dhe problematika të tjera fizike që përgjithësisht shoqërojnë periudhat me stres dhe gjendjet e ankthit. Në momentin që pacientët i përvetësojnë këto teknika, mund t’i ushtrojnë dhe në mënyrë të pavarur individualisht në situata të ndryshme gjatë ditës.
Praktikimi me rregullsi i teknikave të çlodhjes krijon një gjendje qetësie. Gjendja e qetësisë është e domosdoshme për të lehtësuar dhe zbutur gjendjen e hiperaktivitetit, i cili është faktori kryesor i nxitjes dhe rezistencës së pagjumësisë.