“Baby blue” ose Maternity blue, është një reagim emotiv negativ që shfaqet brenda 10 ditëve nga lindja e fëmijës. Simptomat kryesore janë: gjendje e humorit shumë e ulët, trishtim pa arsye, irritim i shpejtë, kriza të qarit pa arsye dhe gruaja e sheh veten në një situatë “jashtë realitetit” normal me të cilin ishte mësuar. Pediatri dhe psikoanalisti i njohur Donal Winnicott e ka përkufizuar këtë sindromë si gjendje melankonie (në fakt termi “blu” i atribuohet gjendjes së melankonisë), që manifestohet disa ditë pas lindjes, i karakterizuar nga një shqetësim i brendshëm tranzitor. Sindroma blu konsiderohet nga specialistët e mirëqënies mendore si reagim normal psikologjik, falë, jo vetëm ndryshimeve hormonale pas lindjes, por edhe ndjesisë së boshllëkut që lë dalja në jetë e një foshnje: papritur lehona gjendet me barkun e “boshatisur”. Vërtet një fëmijë ka ardhur në jetë, por ama fëmija “i ëndrrave” i imagjinuar për 9 muaj “nuk ekziston më”!
Si kapërcehet kjo fazë?
Përderisa ky shqetësim është tranzitor dhe i lehtë nuk është i nevojshëm një trajtim farmakologjik, por këshillohet mbështetje nga të afërmit dhe nga partneri. Ky moment kalon natyrshëm nëse afër lehonës qëndrojnë njerëz që e kuptojnë gjendjen e saj. Prandaj është shumë i rëndësishëm informimi paraprak jo vetëm i nënës së re, por edhe i partnerit. Zakonisht kurset parapërgatitore të paralindjes janë një ndihmë shumë e rëndësishme. Gjithashtu një dietë ushqimore e pasur me vitamina dhe daljet ne ajër të pastër kanë një efekt pozitiv. Moringa oleifera është një bimë natyrore anti-stres, e cila rregullon nivelin hormonal duke lehtësuar relaksimin. Studimet tregojnë se ndër të tjera kjo bimë përmban edhe triptofan, një tip aminoacidi që ndihmon organizmin të prodhojë serotoninën, hormoni i humorit të mirë. Nënë të mira nuk lindim, por bëhemi! Prandaj nuk duhet të ngurrojmë të kërkojmë ndihmë dhe të ballafaqohemi me nënat e tjera, duke e ndarë me të tjerët këtë eksperiencë unike.