Në mënyrë të sintetizuar po ju paraqesim bazat e përgatitjes profesionale, fushat e mënyrat veprimit dhe kufijtë e ndërhyrjes të secilit prej këtyre specialiteteve, me qëllimin që të keni një informacion, mbi të cilin të orientoheni për të kërkuar ndihmën e përshtatshme për problematikat tuaja.
- Psikologu
Psikologu është një profesionist që fillimisht ka kryer një cikël studimesh 5-vjeçare në Psikologji, ka vijuar me një praktikë profesionale, në përfundim të së cilës ka kaluar një provim shteti. Me finalizimin e kësaj përgatitjeje profesionale është anëtarësuar në Urdhërin e Psikologut.
Ekzistojnë disa degë të psikologjisë që reflektohen edhe në profilizime të ndryshme, qw janw: psikologu klinik, neuropsikologu, psikologu i punës dhe organizatave, psikologu i zhvillimit dhe edukimit.
Të gjithë psikologët që janë të anëtarësuar në Urdhrin përkatës, kanë kompetenca psikodiagnostike dhe kanë fituar të drejtën të realizojnë teste specifike dhe të kryejnë intervista klinike me qëllimin final përcaktimin e një diagnoze. Gjithashtu, mund të realizojnë takime mbështetëse dhe të ofrojnë këshillime psikologjike.
Psikologu merret me parandalimin dhe mbështetjen e mirëqënies psikofizike, mund të realizojë projekte specifike në fushën e shëndetësisë, të edukimit në shkolla ose të ndihmës në ambientet e punës, me qëllim promovimin e mirëqënies psikologjike dhe parandalimin e shfaqjes së gjendjes së diskomfortit (parehatisë). Ai realizon dhe ndërhyrje nga mosha e zhvillimit, deri në moshën e tretë.
- Psikoterapisti
Psikoterapisti është një profesionist që ka mbaruar studimet në Psikologji ose Mjekësi, i regjistruar në Urdhrin përkatës dhe ka ndjekur një specializim për Psikoterapi. Në Europë këto specializime zgjasin jo më pak se 4 vite studimi. Disa shkolla specializimi u kërkojnë studentëve të ndërmarrin një drejtim psikoterapie dhe analize personale. Gjithashtu, parashikohen mbikqyrje në grup ose individuale me qëllim mbështetjen e psikoterapistin në fushën e trajtimit të rastit dhe planifikimit të ndjekjes së pacientit.
Psikoterapisti trajton shqetësimet psikologjike dhe psikopatologjitë e ndryshme dhe mund të ndjekë një trajtim terapeutik për persona në gjendje jo të mirë shendetësore dhe me problematika psikosociale.
Psikoterapisti ka disa instrumente në dispozicion, që i shërbejnë për ta shoqëruar pacientin drejt mirëqënies psikofizike dhe shërimit të tij. Këto instrumente dallohen në varësi të specializimit të zgjedhur dhe modelit teorik, të cilit i referohet. Ndërhyrjet terapeutike mund të realizohen gjatë gjithë jetës.
- Psikiatri
Psikiatri është një specialist që ka kryer studimet në Mjekësi dhe ka realizuar një specializim në Psikiatri. Trajton psikopatologjitë nga pikëpamja mjekësore duke marrë në konsideratë aspektet nervore dhe biokimike gjatë trajtimit. Ai mund të përshkruajë medikamente për të ndihmuar shërimin e pacientit. Mund të jetë dhe psikoterapist dhe në këtë mënyrë, përveç farmakologjisë, mund të përdorë edhe instrumentet e trajtimit të psikoterapisë.
- Neuropsikiatri
Neuropsikiatri është një specialist i diplomuar në Mjekësi, që ka realizuar një specializim 4-vjeçar në Neuropsikiatri. Ai bën diagnozën, parandalimin dhe trajtimin e shqetësimeve neurologjike dhe psikike në pacientët e moshës 0-18 vjeç. Objekt i punës së tij janë shqetësimet e ankthit, të gjumit, të humorit, të sjelljes, të ushqyerjes, të të mësuarit në shkollë, të të folurit, vështirësitë konjitive e deri tek shqetësimet që lidhen me probleme neurologjike (epilepsi, shqetësime neuromuskulare etj.). Ai, duke qenë një mjek, mund të përshkruajë medikamente.