1. Është më i zakonshëm nga sa mendohet!
Një në tetë.
Ky është probabiliteti që një grua të mund të preket nga kanceri i gjirit gjatë jetës së saj. Numri i rasteve është në rritje në moshat < 40 vjeç dhe ecuria e sëmundjes është shpesh e keqe. Në këto mosha kanceri lidhet kryesisht me mutacione gjenetike dhe shpesh prek të dy gjinjtë.
2. Nuk bëhet fjalë vetëm për një masë. Ju duhet të njiheni me pamjen dhe ndjesinë e gjinjve në mënyrë të rregullt. Qëllimi është të dini çfarë është normale për trupin tuaj, në mënyrë që të evidentoni nëse diçka ndyshon. Kontaktoni me mjekun jo vetëm kur shfaqet një masë, por për çdo ndryshim të gjirit tuaj.
3. Duhet të bëni mamografi!
Është ekzaminim i rëndësishëm për të zbuluar kancerin në faza të hershme. Sa më e shpejtë diagnoza, aq më të mëdha shanset për mbijetesë.
A është e pagabueshme mamografia në zbulimin e kancerit të gjirit?
Në 1-7% të rasteve rezultatet mund të jenë fals positive.
Rekomandimet për periodicitetin dhe kur duhet të fillohet bërja e mamografisë mund të ndryshojnë. Depistimi me mamografi mund të bëhet në moshat 50-69 vjeç, çdo 1-2 vite.
Në ata që kanë disa faktorë risku si p.sh prezenca e mutacioneve gjenetike BRCA1/2 apo histori familjare mund të kryhet dhe më herët kombinuar me ekografi +/- rezonance magnetike, sipas rekomandimit të mjekut.
4. Historia familjare nuk duhet nënvlerësuar. Të kesh një të afërm të gradës së parë në moshë të re me kancer gjiri ose ovari rrit riskun. Nuk keni histori familjare të kancerit të gjirit?! Ky është një lajm shumë i mirë, por fatkeqësisht nuk të shpëton nga sëmundja. Rreth 90% e femrave të diagnostikuara nuk kanë histori familjare.
5.Asnjë sasi alkoli nuk është e padëmshme. Ju ndoshta keni dëgjuar se të konsumosh një gotë verë mund të reduktojë riskun për kancer, por ky është një mit i vjetër. Alkoli është një faktor risku më lehtë i kontrollueshëm. Një studim ka dëshmuar se një gotë alkol në ditë mund të rrisë riskun për kancerin e gjirit.
6. Obeziteti rrit në mënyrë të konsiderueshme riskun për kancer të gjirit. Të ruash një indeks të masës trupore midis 18 dhe 25 është një nga gjërat më të mira që ju mund të bëni për shëndetin tuaj.
7. Ushqyerja në mënyrë të shëndetshme dhe aktiviteti fizik mund të reduktojnë riskun për kancer gjiri. Lajmi i mirë është se edhe një aktivitet i moderuar mund ta reduktojë riskun. E njëjta gjë vlen edhe për një dietë të shëndetshme e të pasur me fruta dhe perime të freskëta, drithëra e proteina.
8. Trajtimi i kancerit të gjirit ka ndryshuar shumë. Mund t’ju duket “shokuese”, por kanceri i gjirit zakonisht nuk është një ”emergjencë”. E rëndësishme është të gjendet trajtimi i duhur nga ekipi multidisiplinar, jo ai më i shpejti.
9. Bëni kujdes nga terapitë alternative. Shumë gra vonojnë trajtimin mjekësor duke tentuar në fillim trajtimin me terapi alternative. Kjo mund të ketë pasoja tragjike. Është e vërtetë që ju mund të keni kohë të veproni, por nuk duhet të vononi trajtimin pa qenë nevoja, veçanërisht për terapi të paaprovuara dhe të rrezikshme.