Si ti rezistojmë stresit

Stresi dhe sindromat e ankthit vitet e fundit konsiderohen botërisht si shqetësimet më të përhapura dhe në rritje të vazhdueshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka cilësuar si “e keqja e shekullit”.

Bazuar në statistika mund të themi se tashmë është kthyer në një epidemi.

Shoqata Amerikane e Ankthit dhe Depresionit bazuar në të dhënat burimore dhe në tërësinë e simptomave që merren në konsideratë ka vlerësuar se rreth 18 % e popullsisë amerikane, (40 milion amerikanë) vuajnë nga të paktën një shqetësim i ankthit.  Edhe më pranë nesh, në Itali, përafërsisht 1 në 3 italianë është në situatë ankthi dhe gjatë jetës së tij trajtohet me ansiolitikë (medikamente kundër ankthit).

Sipas një studimi të realizuar nga Instituti Max Planck pranë Universitetit Politektik të Drezdenit, shoqëria  gjendet në një rreth vicioz, sepse kontaktet jetësore dhe profesionale me njerëz që janë në gjendje ankthi shtojnë tek individët “e shëndoshë” nivelet e Kortizolit në gjak.  Ky është hormoni shkaktar i stresit dhe rritja e nivelit të tij në organizëm rrit rrezikun e shfaqjes së patologjisë së ankthit.

Stresi dhe Ankthi shpesh përdoren si sinonime, por në të vërtetë nuk janë të tillë.

Sipas përkufizimit të S.Cohen, stresi psikologjik ndodh kur një individ percepton se “kërkesat e ambientit që e rrethon i tejkalojnë aftësitë e tij përshtatëse”.

Termi Stres do të thotë “shtypje” dhe përdoret në mjekësi si analogji me fizikën, tek e cila shënon shtypjen që i aplikohet një materiali për t’i provuar rezistencën.

Stresi mund të shfaqet në forma të ndryshme, si: lodhje, shqetësime të gjumit, irritim, shtim ose humbje në peshë, dhimbje koke, vështirësi në përqëndrim, ankth, panik etj.

Këto simptoma mund të paraqiten në jetën private ose të jenë të kufizuara në ambientin e punës.

Faktorët stresues mund të jenë:

  • të rëndë dhe akutë (si: humbja e një personi të dashur, një aksident rrugor)
  • të lehtë (trafiku)  
  • kronikë (ambient pune garues, situata familjare të komplikuara, një sëmundje kronike).

Në fizikë termi “elasticitet” shënon aftësinë e një materiali për të përthithur një goditje pa u thyer. Ky term lidhet shpesh edhe me stresin. Pa mbështetjen e një faktori mbrojtës, elementet e jashtme stresuese mund të na “thyejnë”. Por, nëse kemi ndihmë profesionale, mund të arrijmë ta analizojmë situatën në mënyrë alternative, të vlerësojmë strategji të ndryshme “Coping” e të riorganizojmë veprimet dhe pritshmëritë tona.

Këto janë mënyra se si një person në mënyrë elastike (Resilente) arrin të përballojë stresin, qoftë ai edhe kronik.

Kujdes! Kjo nuk nënkupton gjithmonë tolerimin e faktorëve stresues (Stresuesve), pra mosreagimin aktiv ndaj tyre.  Sepse, nëse në çdo situatë stresuese sillemi në këtë mënyrë, në terma afatgjatë mund të kemi pasoja të mëdha.

Stresi mund të nxisë një rreth vicioz i cili mund të sjellë si simptoma ankthi  ashtu edhe pasoja mjekësore.

Ankthi është një gjendje emocionale që lidhet me një situatë alerti (gatishmërie para një rreziku) dhe frike të tepruar që faktikisht nuk justifikohet nga realiteti. Ankthi në vetvete nuk është patologjik, por është një gjendje e aktivizimit të organizmit që na lejon t’i përshtatemi situatave të ndryshme. Ai mund të bëhet patologjik, nëse reagimet tona janë të tepruara krahasuar me rrezikshmërinë dhe rëndësinë e situatës në të cilën ndodhemi. Pra, kur shkalla e reagimeve bëhet pengesë për funksionimin normal të aktivitetit tonë të përditshëm jetësor e shoqëror.

Sensibilizimit dhe informimit për simptomat dhe pasojat e Stresit i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë, sepse ai konsiderohet si një faktor i rëndësishëm rreziku për pothuajse të gjitha sëmundjet.

Marrëdhënia që ekziston mes trurit dhe trupit dhe mbi të gjitha pasojat në nivelin mjekësor dhe fizik të një stresi kronik ose të zgjatur në kohë duhet të njihen dhe të merren në konsideratë në çdo fushatë informimi dhe sensibilizimi.

Shoqëria duhet ta dijë se Stresi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në sistemin imunitar, shton rrezikun e shfaqjes së patologjive kardiovaskulare, diabetit, sëmundjeve inflamatore të sistemit nervor qendror etj.

Shpesh nuk jemi të vetëdijshëm që jemi të stresuar, por nëse i kushtojmë pak vëmendje ndryshimit të disa sjelljeve tona, si: përkeqësimit të cilësisë së gjumit, mungesës së dëshirës për të dalë, rritjes së irritimit në punë dhe në familje; apo edhe simptomave fizike që nuk na rezultojnë me arsye organike, si: dhimbje të shpeshta koke ose gastrit, mund të ngremë dyshimin se janë pasojë e stresit. Njohja dhe identifikimi i këtyre shenjave na ndihmon të kuptojmë e të bindim veten se ka ardhur momenti të kërkojmë ndihmë.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është të mësojmë të dëgjojmë mendimin e njerëzve që kemi pranë, të cilët mund t’i kapin këto shenja tonat përpara nesh.