Djegiet njihen si aksidentet më të shpeshta, që mund të ndodhin në ambientet e shtëpisë apo të punës. Ato jo gjithmonë vinë nga një burim zjarri, por edhe nga avuj, lëngje ose objekte të nxehta, nga elektriciteti, si dhe nga substanca kimike që janë pjesë e pastruesve të zakonshëm. Në raste të tilla është e rëndësishme të veprojmë në mënyrën dhe në kohën e duhur, për të minimizuar efektet e dëmshme dhe afatgjata në lëkurë.
Së pari, personi i dëmtuar ose personat rreth tij duhet të vlerësojnë dhe përcaktojnë nevojën për të lajmëruar urgjencën ose për t’u paraqitur në spital. Ky vlerësim bëhet në varësi të shkakut të djegies dhe sipërfaqes së përfshirë në djegie. Rastet më të përgjithshme, kur ndihma e specializuar është e nevojshme mund të jenë:
- Kur ka djegie nga lëndë kimike apo burim elektriciteti.
- Kur në dëmtim përfshihet një sipërfaqe e lëkurës më shumë se 5 cm.
- Kur ka flluska relativisht të mëdha ose të shumta në pjesë delikate të trupit si: fytyra, duart, krahët, këmbët dhe organet gjenitale.
- Kur personi i dëmtuar është foshnje apo i moshuar.
Në rastet më të lehta, që njihen si djegie e shkallës së parë dhe të dytë dhe përfshijnë zona të kufizuara të lëkurës, në momentin e parë mund të mjaftohemi me trajtimin e tyre në kushtet e shtëpisë.
- Në rastin e djegieve të shkallës së parë dëmtohet vetëm shtresa sipërfaqësore e lëkurës e cila skuqet, fryhet pak dhe jep dhembje të lehta.
- Në rastin e diegieve të shkallës së dytë lëkura dëmtohet më në thellësi dhe mund të formohen flluska.
Në të dy këto raste ndihma e parë që mund të japim në shtëpi përfshin:
- Vendosjen e sipërfaqes së djegur në ujë të rrjedhshëm e të freskët (jo të ftohtë) për 10-15 minuta. Kujdes! Nuk duhet të përdoret akulli.
- Heqja e unazave, rrobave apo objekteve të tjera, që mund të jenë mbi apo afër zonës së djegur.
- Në qoftë se vërejmë se një rrobë apo diçka tjetër që është ngjitur me lëkurën e përfshirë në djegie nuk shkëputet lehtë, nuk duhet ta heqim me forcë, sepse duke bërë këtë veprim mund të shkëpusim dhe pjesë të lëkurës.
- Në asnjë rast të mos i shpojmë flluskat që mund të formohen në sipërfaqen e dëmtuar.
- Të aplikojmë një krem hidratues ose një xhel për djegie, sipas udhëzimeve përkatëse.
- Në raste dhembjesh mund të përdorim një qetësues të lehtë (paracetamol ose ibuprofen).
Nuk rekomandohet trajtimi i djegieve me mjekime popullore pa njohur shkallën e djegies, të cilën e percakton vetëm mjeku. Në disa raste, në vend që ta përmirësojmë situatën, mund ta përkeqësojmë atë me një trajtim të papërshatshëm.
Duhet të theksojmë faktin se djegiet e shkallës së dytë ndahen në sipërfaqësore dhe të thella, prandaj në këto raste, pasi kemi marrë ndihmën e parë në shtëpi, duhet të kontaktojmë me mjekun dermatolog. Ai përcakton saktë shkallën e djegies dhe rekomandon mjekimet e duhura për të pasur një shërim të shpejtë dhe sa më pak pasoja e shenja për lëkurën.