Ankthi është një reagim i lindur dhe fiziologjik, që organizmi krijon përballë gjendjeve të kërcënimit ose të rrezikut. Është një reagim i domosdoshëm, sepse ka mundësuar mbijetesën e llojit. Ky reagim përfshin aktivizimin e menjëhershëm dhe të njëkohshëm të disa funksioneve vegjetative, siç janë: përshpejtimi i rrahjeve të zemrës dhe i frymëmarrjes, rritja e pranisë së oksigjenit në shumë organe, rritja e sasisë së gjakut pranë muskujve duke i tkurrur, rritja e nivelit të vëmendjes dhe të vigjilencës. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që quhet përgjigje ‘sulm-ikje’, sepse finalizohet me një përgjigje të shpejtë ndaj rrezikut që kanoset, përmes ikjes nga kërcënimi ose, kur ikja është e pamundur, përmes sulmit ndaj burimit të rrezikut.
Ky reagim është normal kur gjendemi përballë një rreziku real, që kërcënon mbijetesën tonë, por bëhet problematik kur tejzgjatet, aktivizohet shumë lehtë ose në mungesë të një kërcënimi.
Shumë situata të jetës së përditshme mund të aktivizojnë reagimin ‘sulm-ikje’. Probleme ndërpersonale, performance e pune mund të perceptohen si një rrezik për mbijetesën tonë.
Pak ankth është normal dhe mund të shtojë reagimet tona në situata të dyshimta (si të ecurit natën vetëm) ose në situata të rëndësishme, kur kërkohet një performancë e lartë.
Studimi i Yerkes e Dodson ka treguar se me praninë e niveleve të ulëta të ankthit edhe performanca është e ulët. Me rritjen e ankthit rritet dhe performanca, deri në një pikë, në të cilën, ndërkohë që ankthi vazhdon të rritet, performanca nis të bjerë. (Fig. 1).
Niveli optimal i ankthit, që mundëson një performancë më të lartë, është ai që ndodh normalisht përpara një provimi ose një interviste të rëndësishme pune. Ai përfundon në një kohë të shkurtër dhe na lejon një performancë optimale.
Problemi qëndron kur ankthi rritet shumë. Vija e padukshme, që ndan ankthin fiziologjik nga ai patologjik, është shumë e hollë dhe në individë të ndryshëm mund të ndryshojë në periudha të ndryshme të jetës.
Mund të themi që Ankthi bëhet patologjik kur nuk ka një shkak real dhe aktivizohet nga parashikimet e situatave hipotetike të rrezikut, të cilat kanë një mundësi shumë të vogël të ndodhin. Mund të bëhet problem kur fillon të kushtëzojë e të kufizojë mënyrën e jetesës dhe veprimet e përditshme, duke kaluar më shumë kohë në gjendje ankthi, sesa duke shijuar jetën.