Gëzimi i madh për lajmin e ardhjes në jetë të një fëmije pasohet, për muaj me radhë, nga një sërë përgatitjesh. I rëndësishëm është krijimi i hapësirave të nevojshme dhe të organizuara mirë, me qëllim që të lehtësohet mbarëvajtja e aktivitetit të përditshëm. Koha më e përshtatshme për të nisur përgatitjet është muaji i shtatë i shtatzënisë. Nëse shtëpia bëhet gati përpara se fëmija të vijë, do ta përjetoni më të plotë pritjen e ëmbël dhe do të ndiheni më të përgatitur për ndryshimin që do ndodhë.
Disa këshilla për organizimin e hapësirës:
Tavolina për ndërrimin është një objekt që lehtëson punën e nënës. Duke eleminuar qëndrimin e kërrusur, ndihmon në parandalimin e dhembjeve të kurrizit. Një tavolinë prej druri, me dy ndarje poshtë krijon një hapësirë e mjaftueshme për vendosjen e 3-4 shportave, në të cilat mund të bëhet ndarja e pelenave, e kremërave, e pecetave për pastrim dhe e rrobave të lara e të palara. Shportat janë lehta në përdorim, estetikisht të bukura dhe me to arrin të organizohesh shumë mirë.
Krevati portativ, duke qenë lehtësisht i transportueshëm, na mundëson vendosjen e tij në çdo cep të shtëpisë. Gjatë ditës ose në mbrëmbje mund të kemi dëshirë që fëmija të qëndrojë me ne në dhomën e ndenjes. Po me këtë krevat portativ, në darkë, mund ta transportojmë lehtësisht dhe pa e shqetësuar në dhomën e gjumit.
Këndi i argëtimit. Sipas traditës shqiptare është menduar gjithmonë që fëmija nuk duhet të vendoset përpara pasqyrës. Kurse, sipas metodës Montesoriane të Edukimit, këshillohet vendosja e një pasqyre në pozicion horizontal dhe shumë afër dyshemesë. Në dysheme vendoset një dyshek i hollë që i mundëson fëmijës të qëndrojë shtrirë dhe të shohë në pasqyrë. Në këtë mënyrë arrijmë të krijojmë një hapësirë për fëmijën, në të cilën ai është i lirë të lëvizë dhe të shohë lëvizjet e tij. Në këto kushte arrin të përqendrohet dhe të ndjekë lëvizjet e veta, të shohë ambientin përreth nga një kënd tjetër dhe shumë shpejt fillon njohjen e vetes.
Foshnjet kanë nevojë për lëvizje të lira dhe lojë të pandërprerë. Kjo realizohet duke i lënë pak kohë vetëm dhe pa bashkëveprimin e të rriturit. Këtë kohë nëna ose kujdestari mund ta përdorë për veprimtari të tjera, siç mund të jetë përgatitja e një vakti ose larja e rrobave.
Hapësira e krijuar mundëson edhe zhvillimin e “tummy time” që është qëndrimi në bark i foshnjës. Ky pozicion është shumë i rëndësishëm për forcimin e shtyllës kurrizore, për mbajtjen lart të kokës, për forcimin e krahëve dhe këmbëve. “Tummy time” është momenti ideal për të realizuar lojëra bashkëvepruese, në mënyrë që të bëhet sa më argëtues, sepse disa foshnja nuk e pëlqejnë si pozicion. Në ndihmë mund të na vinë edhe shportat, brenda të cilave vendosim lodra, libra etj.
Shkencëtarët kanë zbuluar se deri në moshën 3 muajshe foshnjat arrijnë të dallojnë vetëm ngjyrën e zezë, ngjyrën e bardhë dhe nuancat gri. Në këto kushte mund të përdorim figura ose libra me kontraste bardhë e zi, me qëllim që t’u stimulojmë trurin dhe shikimin. Mund të printojmë foto dhe t’i vendosim në vendet ku fëmija kalon më shumë kohë zgjuar, por nuk këshillohet të vendosen pranë ambientit të gjumit, sepse mund ta shpërqendrojnë, ndërkohë që duhet të flejë.