Heparinat me peshë të ulët molekulare në trajtimin e pacientit me COVID-19

heparina-covid19

Përmbledhur dhe analizuar nga:

  • Julia Daragjati  PhD
  • Irma Kuka

Çfarë janë Heparinat me Peshë të ulët molekulare (LMWH, nga anglishtja Low Molecular Weight Heparin)?

Ato janë medikamente me veprim antikoagulant. Kjo do të thotë që ato parandalojnë zhvillimin e trombit (mpiksjes së gjakut të formuar në enët e gjakut). Heparinat me peshë të ulët molekulare LMWH përfitohen duke u nisur nga heparinat e pafraksionuara me anë të reaksioneve të depolimerizimit.

Indikacionet kryesore për përdorimin e heparinës janë profilaksia dhe terapia e sëmundjes tromboembolike të venave dhe arterieve. Janë medikamente që merren sipas udhëzimeve të mjekut dhe duhet të përdoren me shumë kujdes pasi si të gjitha medikamentet e këtij lloji, efekti kryesor anësor i tyre është hemoragjia.

  • Cili është arsyetimi i përdorimit të terapisë antikoagulante në pacientët me COVID-19 ?

Faza e parë e infeksionit nga SARS-CoV-2 karakterizohet nga ethe, kollë e thatë dhe simptoma të tjera jo specifike.

Në fazën e dytë, virusi sulmon kryesisht mushkëritë duke shkaktuar një përkeqësim të simptomave të frymëmarrjes. Në këtë fazë mundësohet identifikimi i shenjave opake qelqore të mushkërive (lezioneve tipike të sëmundjes), numri i limfociteve në gjak zvogëlohet dhe rritet prodhimi i substancave që nxisin inflamacionin (faktorët pro-inflamator).

Faza e tretë, e cila fatmirësisht ndodh në një numër të kufizuar njerëzish, paraqitet me një pamje klinike përkeqësuese, e karakterizuar nga një gjendje inflamatore të përhapur e ashtuquajtura “stuhia e citokinave“. Ndërkohë është vërejtur se përkeqësimi i gjendjes inflamatore mund të lidhet me një proces të “hiperkoagulimit“, një fenomen që tregon tendencën e gjakut për të formuar trombe me një frekuencë më të lartë se normalja, që mund të shpie në koagulim intravaskular të diseminuar (KID) dhe  trombozë të venave të thella (TVTH). Për këto arsye, është sugjeruar që heparinat me peshë të ulët molekulare dhe në veçanti ENOXAPARINA, mund të jenë të dobishme për të parandaluar ose ndaluar këtë proces, duke shmangur dëmtimet e rëndësishme që mund t’ju shkaktonte hiperkoagulimi organeve të pacientit me COVID-19.

Kur mund të jetë i dobishëm përdorimi i heparinës me peshë të ulët molekulare (LMWH)?

  • Si profilaksi në fazën fillestare të pneumonisë (faza 2 kur virusi sulmon mushkëritë) të pacientëve të shtruar në spital, për të parandaluar formimin e trombit në vena (=tromboembolizmit venoz).
  • Në fazën e avancuar (faza 3), në pacientët e shtruar në spital, për të përmbajtur fenomenet trombotike që burojnë në qarkullimin pulmonar, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes inflamatore.

Evidencat shkencore që kemi:

Sipas studimit klinik retrospektiv të realizuar në spitalin e Wuhanit, Kinë: është observuar fenomeni i hiperkoagulimit në pacientë të njëpasnjëshëm të prekur nga COVID-19 me gjendje klinike shumë të ashpër.

Nga 449 raste (181  femra  dhe  268  meshkuj, mosha mesatare 65,1 ±12 vjeç) me pneumoni të ashpër nga COVID-19 që u analizuan, studimi sugjeroi që marrja e ENOXAPARINËS për të paktën 7 ditë mund të sjellë avantazh në mbijetesën e pacientëve të rënduar. (99 pacientë u trajtuan me heparinë HPUM).

Prognoza më e mirë u vërenjt në disa pacientë të veçantë si:

  1. Tek ata  që kishin nivele të larta D-Dimerit (markues i dobishëm për të kontrolluar cilësinë e mekanizmave të koagulimit) apo
  2. Përmbushnin kriteret për SIC (sepsis induced coagulopathy)-score: një shkallë që përfshin parametrat laboratorikë dhe klinikë të sepsit që shkakton koagulim.

Këto janë aspekte shumë të rëndësishme që duhen marrë parasysh, përndryshe nëse pacientet nuk i pergjigjen këtyre kritereve mund të kenë hemorragji të rëndë!

Agjencia Italiane e Barnave thekson se përdorimi i Heparinës me peshë të ulët molekulare në pacientët  me COVID-19 bazohet në indikime tepër paraprake (kemi vetëm një studim retrospektiv) dhe kjo terapi duhet të konsiderohet vetëm pas një vlerësimi të kujdesshëm në bazë të rastit.

Referenca:

  1. https://www.aifa.gov.it/documents/20142/1123276/Eparine_Basso_Peso_Molecolare_11.04.2020.pdf/ 
  2. Tang N, Bai H, Chen X, Gong J, Li D, Sun Z . Anticoagulant treatment is associated with decreased mortality in severe coronavirus disease 2019 patients with coagulopathy. J Thromb Haemost. 2020 Mar 27. doi: 10.1111/jth.14817