Në kushtet aktuale të pandemisë COVID-19 dhe me pritjen e rritjes së sëmundshmërisë nga gripi gjatë stinës së Vjeshtë-Dimrit, vaksinimi ndaj gripit, veçanërisht për grupet në rrezik, përbën një rëndësi të veçantë. Vaksina parandalon miliona raste sëmundjesh dhe vdekjesh që lidhen me gripin stinor, por niveli i vaksinimit në botë dhe në vendin tonë mbetet relativisht i ulët për shumë arsye.
Përse njerëzit hezitojnë të vaksinohen?
Çelësi i parandalimit të gripit është vaksinimi! Organizatat shëndetësore më serioze në botë rekomandojnë që vaksina kundër gripit të bëhet tek të gjithë individët që janë 6 muaj ose më të rritur, pa kundër-indikacione ndaj vaksinës.
Një nga legjendat urbane që po qarkullon nëpër rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme, dhe që i bën shumë njerëz të hezitojnë ndaj vaksinës së gripit stinor është miti se ajo mund të shkaktojë gripin! Kjo nuk është e vërtetë për arsyen e thjeshtë se vaksina e gripit stinor përmban shtamë (version) të virusit të gripit që është i ‘vrarë’ (çaktivizuar) dhe që nuk është në gjendje të shkaktojë infeksionin e gripit. Njësoj siç një vaksinë poliomieliti apo fruthi nuk do t’i kalojë fruthin apo poliomielitin një fëmije, ashtu edhe vaksina e gripit nuk shkakton grip.
Nga ana tjetër, ajo që është e vërtetë është se ju mund të ndjeni efektet e ‘instalimit’ të përgjigjes së koordinuar imunitare, por kjo nuk do të thotë se jeni me grip. Në fakt, disa persona (në raste të rralla) mund të ndihen pa qejf pas bërjes së vaksinës së gripit, gjë që mund ti bëjë këta të fundit të mendojnë se u sëmurën prej vaksinës. Një pyetje që lind natyrshëm në këtë rast është:
Pse në raste të rralla disa persona ndihen pa qejf kur vaksinohen?
Të ndjerit pak pa qejf pas bërjes së vaksinës së gripit është një lajm shumë i mirë. Kjo gjendje mund të jetë një shenjë se sistemi juaj imunitar mirë-funksionon! Pse? Sepse në momentin që ju bëni vaksinën e gripit stinor, trupi juaj ‘identifikon’ virusin e çaktivizuar të gripit, si një ‘pushtues’ të jashtëm, të panjohur. Ky nuk është aspak një proces i rrezikshëm, pasi e ndihmon sistemin tuaj imunitar të zhvillojë antitrupa të cilët do ta sulmojnë virusit e vërtetë në mënyrë efektive kur ai potencialisht të infektojë trupin tuaj në të ardhmen (shiko posterin në PDF). Kjo përgjigje natyrale imunitare mund ti bëjë disa njerëz të ndjejnë (në raste të rralla) një formë të lehtë të etheve, dhimbjes së kokës ose dhimbje të lehta të muskujve. Këto efekte mund të ngatërrohen me vetë gripin, por nuk janë gjë veçse përgjigja e natyrshme e trupit të njeriut ndaj vaksinës. Këto simptoma kanë një kohëzgjatje modeste dhe janë shumë herë më të buta, krahasuar me vetë gripin. Gjithashtu vlerësimet më serioze tregojnë se më pak se 2% e individëve që bëjnë vaksinën e gripit mund të përjetojnë këto efekte.
Sa serioze është sëmundja e gripit?
Influenca ose gripi është një sëmundje infektive respiratore e zakonshme, por që mund të bëhet serioze duke këkuar nevojë për shtrim në spital e të çojë deri në vdekje. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se Shqipëria në vitin 2019, gjatë sezonit gripal nuk kishte gjendje epidemike, por aktivitet me intensitet të lartë të gripit. Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme në Shqipëri ,ashtu si edhe në vendet e Rajonit apo më tej vendet Europiane, mbizotëron qarkullimi i virusit të tipit A, nëntipi A/H1 pdm09. Megjithatë duhet të kuptoni që çdo vit situata e gripit stinor është e ndryshme për çdo stinë. Një ndërlikim i rrezikshëm i gripit është pneumonia, e cila mund të rezultojë në rastet kur trupi juaj përpiqet të luftojë virusin e gripit. Ky ndërlikim është veçanërisht i rrezikshëm për të moshuarit, fëmijët e vegjël, ata me sëmundje bashkëshoqëruese dhe ata individë imuniteti i të cilëve nuk funksionon mirë, si për shembull ata të cilët janë nën regjim kimioterapie apo kanë kryer transplant.
Kush e përfiton falas vaksinën e gripit?
Vaksina e gripit në vendin tonë ofrohet falas për grupet me më shumë risk, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor, gratë shtatzëna, personat me diabet, personat me astmë apo sëmundje mushkërore, personat me sëmundje zemre, personat me sëmundje të veshkave dhe të mëlçisë.
Si përfundim, ju NUK mund të infektoheni me grip nga vaksina e gripit! HEDA Albania inkurajon të gjithë që të kryejnë vaksinën e gripit stinor, e veçanërisht grupet në rrezik. Kujdesi nuk vret, neglizhenca mundet!
Për më tepër informacion vizitoni: https://www.heda.al/emergjenca-covid-19
dhe përditësimin shkencor këtu: https://www.heda.al/artikuj/menaxhimi-epidemiologjik-dhe-klinik-i-covid-19
Përgatiti: Ekipi i Zgjeruar Anti-COVID*
* Erand Llanaj, MPH, MSc, PhD (c), Denisa Baci, PhD, Aldi Pupuleku Phd, Julia Daragjati PhD, Mirela Kuka PhD, Livia Tepshi PhD,Teuta Muhollari, MPH, MSc, PhD (c), Ina Mexhitaj, PhD, Irma Kuka MSc, Aseda Tena MSc, PhD (c), Lisiena Hysenaj MSc, PhD, Novrus Caushaj MD, MSc, Edvin Zekaj MD, Geriolda Topi MD, PhD (c), Ambra Hyskaj MPH, MSc, PhD (c), Rigers Gjyli MD, , Hamëz Gacaferri, MD, DPhil (c), Drieda Zaçe, MD, MSc, PhD (c), Ilda Hoxhaj, MD, MSc, PhD (c), Eriona Heta, MSc, PhD, Meri Luka MD, Bledi Masati MD, Nertil Petro MD, Genada Sinani, PhD , Gentian Musa PhD