Analizë e përgatitur nga:
Erand Llanaj MPH, MSc, PhD
Sindroma e ashpër respiratore akute e shkaktuar nga koronavirusi SARS-CoV-2, ka shkaktuar më shumë se 2.7 milionë raste deri më datë 24 Prill, duke marrë 191,000 jetë anembanë botës! Përvoja nga shtete si Kina, Italia, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë treguar se edhe kapacitetet e sistemeve shëndetësore të vendeve me burime të bollshme mund të ‘përmbyten’ dhe përballen me sfida madhore shëndetësore.
Në mungesë të terapive apo vaksinave, ndërhyrje të tilla si gjurmimi epidemiologjik i rasteve, karantina dhe distancimi fizik e social janë ndër masat e disponueshme dhe të prekshme që janë marrë nga vende të ndryshme. Kohëzgjatja, intensiteti dhe ashpërsia e këtyre masave do të varet drejtpërdrejtë nga vala e parë goditëse dhe dinamikës së mëtejshme të transmetimit të SARS-CoV-2.
Përgjatë fazës së parë ose ‘dallgës së parë’ shumë vende, përfshirë dhe Shqipërinë, kanë adaptuar masa strikte distancimi social dhe disa vende, si Kina, janë duke i hequr këto masa në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pas mbërritjes së kurbës (=lakut) epidemike në fazën e pjerrjes për së poshtmi. Megjithatë, për të adresuar mundësinë e një rikthimi të frikshëm të infeksionit, mund të nevojitet zgjatje ose vendosje e herë-pas-hershme e masave shtrënguese, me periudha të caktuara ‘zbutje’ të tyre, sipas ecurisë në terren të dinamikës së infeksionit. Duke qenë se evolucionarisht SARS-CoV-2 është ‘kushëriri’ gjenetik i SARS-CoV-1 të mëparshëm që shkaktoi SARS-in në 2003, ai mund të ndjekë hapat e këtij të fundit pas valës së tij të parë goditëse dhe mund të eradikohet (=eliminohet tërësisht) nëpërmjet masave në kohë dhe me intensitet të shëndetit publik. Megjithatë konsensusi i gjerë që ekziston në komunitetin shkencor nuk e mbështet këtë skenar për momentin.
Kështu që, trajektorja tjetër potenciale e situatës mund të jetë ajo e gripit sezonal dhe ne si glob do të përjetojmë potencialisht një endemicitet të infeksionit, i cili do të fillojë të qarkullojë në mënyrë periodike ose stinore pas valës së parë goditëse. Kjo është një mundësi në tavolinën aktuale epidemiologjike.
Një skenar i tillë mund të reflektohet dhe të evidentohet me shfaqjen e mëparshme të koronaviruseve njerëzore me origjinë zoonotike p.sh. koronavirusi human HCoV OC43 ose ndonjë tjetër koronavirus që infekton njeriun. Mirëpo, të dallosh se cili prej skenarëve mund të shpaloset është pika kyçe që do të ndihmojë në identifikimin e saktë dhe të kohëduhur të përgjigjes efektive dhe të qëndrueshme të shëndetit publik ndaj SARS-CoV-2.
Përhapja pandemike dhe post-pandemike e SARS-CoV-2 do të varet drejtpërdrejtë prej faktorëve të tillë si:
- shkalla e variacionit sezonal në transmetim,
- kohëzgjatja e imunitetit të përftuar nga personat të cilët e kanë kaluar,
- natyra ndër-imunitare ndërmjet SARS-CoV-2 dhe koronaviruseve të tjera,
- intensiteti
- marrja në kohën e duhur të masave të kontrollit dhe parandalimit.
SARS-CoV-2 i përket familjes së betakoronaviruseve, gjini kjo që përfshin koronaviruse të tillë si SARS-CoV-1, MERS dhe dy koronaviruse të tjera të identifikuar, HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1.
SARS-CoV-1 dhe MERS-i shkaktojnë infeksion respirator të ashpër me nivel rast-fataliteti që sillet rreth vlerave 9% dhe 36% respektivisht, por me një transmetueshmëri të kufizuar, krahasuar me armikun tonë aktual. HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1 zakonisht shkaktojnë shpërthime epidemike sporadike stinore çdo vit kryesisht në periudhë dimri, por jo vetëm. Dinamika e këtyre viruseve është e përngjashme me atë të gripit sezonal, por jo e njëjtë. Imuniteti i HCoV-OC43 dhe HCoV-HKU1 duket se reduktohet në nivel vjetor, ndërkohë që infeksioni nga SARS-CoV-1 mund të shkaktojë imunitet me kohëzgjatje më të madhe. Betakoronaviruset mund të shkaktojnë përgjithësisht përgjigje imunitare kundër njëri-tjetrit: infeksioni nga SARS-CoV-1 mund të prodhojë antitrupa neutralizues për betakoronavirusin HCoV-OC43 dhe infeksioni prej këtij të fundit mund të gjenerojë antitrupa neutralizues kundër SARS-CoV-1 te strehuesit e prekur.
Ndërkohë që hulumtimet për të kuptuar spektrin e sëmundjes së SARS-CoV-2 po vazhdojnë me intensitet, evidencat shkencore të botuara së fundmi, sugjerojnë se shumica e rasteve me COVID-19 kanë një simptomatologji të lehtë në të moderuar me një hasje më të pakët të infeksionit në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Për momentin, niveli rast-fatalitetit nga COVID-19 orbiton mesatarisht rreth vlerave 0.1% dhe 5%, gjë që sugjeron ashpërsi më të pakët krahasuar me SARS-CoV-1 dhe MERS, por jo krahasuar me HCoV-OC43 de HCoV-HKU1. Niveli i lartë i infeksiozitetit të SARS-CoV-2 e bën këtë virus më të vështirë për tu vënë nën kontroll me metodat klasike të testimit intensiv, izolimit të rastit dhe gjurmimit të kontakteve të afërta, krahasuar me SARS-CoV-1 dhe MERS.
Testimi intensiv dhe gjurmimi i rasteve për momentin janë arma më e fortë e përpjekjeve për ta vënë nën kontroll këtë virus, në vende si Singapori apo Hong Kongu. Në shumë vende të tjera qeveritë kanë aplikuar distancimin social ose fizik, duke mbyllur shkolla, institucione dhe biznese ose duke kufizuar grumbullime njerëzish. Qëllimi i këtyre strategjive është sheshimi i kurbës (=lakut) epidemike dhe suksesi i distancimit social mund të përcaktohet prej shkallës së përdorimit të kapaciteteve të kujdesit intensiv të një vendi.
Karantina, vetë-izolimi, izolimi dhe kufizime të tjera gjithëpërfshirëse, janë për shumicën e njerëzve në botë, një ndryshim rrënjësor i stilit të përditshëm të jetesës dhe ky stil i të jetuarit është kthyer në ‘normalen e re’ në këtë periudhe. Përgjatë kësaj “normale të re” natyrshëm shumicës prej nesh i lind mendimi mbi kohën dhe mënyrën se si sakrificat tona kolektive do të përkthehen për të sjellë sërisht “normalen e vjetër”.
Cila do të jetë strategjia e daljes nga izolimi për Shqipërinë, Europën, botën?
Pyetja ende nuk ka marrë një përgjigje, por nëse shpresoni t’i riktheheni jetëve tuaja të mëparshme, duhet të dini se ka lajme të mira dhe jo të mira: rikthimi do të ndodhë, por jo domosdoshmërisht shpejt. Të jeni të bindur se nuk ka këshilltar qeverish dhe kërkues shkencor në botë, që të mos jetë duke konsideruar strategjitë e mundshme të daljes nga ky izolim. Megjithatë, natyra dhe jetësimi i këtyre strategjive në vende të ndryshme, kohëzgjatja deri në momentin e implementimit, dhe efektiviteti i tyre janë ende të paqarta …për këdo! Përveç kësaj, ekziston rreziku që të vihet në pikëpyetje përpjekja për një koordinim në nivel kombëtar, rajonal apo ndërkombëtar dhe kjo mund të vendosë në një pozitë shumë të pafavorshme vende të caktuara por edhe vetë njerëzimin!
Karantina dhe/ose izolimi në masë – masa të cilat i kanë marrë shumica e shteteve në botë – kanë demonstruar efektivitet të jashtëzakonshëm afatshkurtër.
Këto masa kanë reduktuar konsiderueshëm numrin e rasteve të infektuara me virusin e SARS-CoV-2, duke frenuar përhapjen e mëtejshme. Kjo ka bërë të mundur :
- uljen e nivelit të rritjes së infeksionit COVID-19 dhe
- shmangien e skenarit apokaliptik eksponencial.
Mund të themi se ky është objektivi fillestar për çdo vend që ka implementuar masa strikte, me qëllim ‘sheshimin e kurbës’. Përqasja e ‘sheshimit të kurbës’ synon parandalimin e një ‘përmbytjeje’ të spitaleve duke shmangur një skenar ku individët e sëmurë, që mund të kenë nevojë për kujdes shëndetësor, të mos e marrin atë… Kjo qasje, gjithashtu na ndihmon të fitojmë kohë për të hulumtuar mënyra se si ta trajtojmë e kuptojmë më mirë infeksionin COVID-19.
Nga ana tjetër, izolimi masiv nuk është një strategji afatgjatë. Të gjitha shoqëritë po e kuptojnë këtë dhe janë të ndërgjegjshme, që izolimi mund të jetë i justifikueshëm dhe i domosdoshëm, por nëse këto masa tejzgjaten përtej kufirit të tolerancës kolektive shoqërore, ekonomike, psikologjike, etj., mund të jetë shumë e vështirë për të rikuperuar më vonë dëmin e shkaktuar.
Gjithashtu ekziston një rrezik i qartë nëse kufizimet do të hiqen menjëherë, në vendet të cilat kanë arritur deri diku të ‘sheshojnë kurbën’, pasi kurba edhe mund të ‘ç’sheshohet’ dhe niveli i infeksiozitetit mund të rifitojë karakter eksponencial.
Me fjalë më të thjeshta: ‘na duhet të dalim nga izolimi dhe këtu nuk ka diskutim, por nuk duam që gjithë sakrificat që po bëjmë, të zhvlerësohen e të lejojmë epideminë të rikthehet përsëri!’
Pra, dy objektivat kryesore për momentin janë:
(1) Të sheshojmë kurbën
(2) Ti japim fund izolimit
Por, këto dy objektiva kanë një konflikt të vogël!
Hartimi i një strategjie që do të na ndihmojë të dalim nga izolimi, shndërrohet në një debat, që lidhet drejtpërdrejt me kohën që do të duhet të vendosim të përfundojmë izolimin dhe masat e mëtejshme që do të duhet të ndërmerren për vënien nën kontroll të infeksionit në periudhën post-izolim. Këtu nuk di ç’të them, por një gjë është shumë e qartë, ne nuk mund të ‘varim shpresat’ e të presim që vaksina të na nxjerrë nga kjo situatë.
Vaksina do të dojë kohë të konsiderueshme, që të zhvillohet në formën e saj më efektive dhe të sigurtë – dhe kështu duhet të ndodhë, pasi nuk mund të nisemi për të prodhuar një vaksinë brenda një kohe të shkurtër dhe pa e testuar me kujdes. Kështu mund të rrezikojmë të bëhemi dëshmitarë të ndonjë katastrofe më të madhe të shëndetit publik, se ajo e COVID-19. Gjithashtu ekziston edhe mundësia që vaksina të mos prodhohet kurrë; ose të prodhohet, por të ndodhë i njëjti skenar si në rastin e AH1N1: vaksina u prodhua, u testua, por nuk u përdor kurrë pasi vendet e vunë me sukses nën kontroll epideminë – pa ndihmën e vaksinës, por me ndihmën e ekipeve të profesionistëve të shëndetit. Madje, pritja e vaksinës, nuk meriton të etiketohet ‘strategji’ në këto momente, pasi nuk është e tillë, por një SHPRESË !!!
Si mund të arrijmë të dalim nga izolimi pa prodhuar një ‘vale të dytë’ të infeksionit tek individët të cilët nuk u ekspozuan ndaj virusit në ‘valën e parë’?
Një ‘valë e dytë’ ka ‘shumë gjasa’ të vijë, por do të jetë më pak e ashpër se ajo e para. Nga përvoja botërore epidemiologjike, pas dallgës së parë, ‘ujërat’ qetësohen dhe ‘dallgët’ e mëvonshme pas-goditëse, janë përgjithësisht më lehtësisht të përballueshme se ajo e para. Një shembull, është virusi Zika, nga i cili u prekën vende të Afrikës Lindore, Azisë Juglindore dhe ato të Amerikës Jugore e Qendrore ndërmjet 2015 dhe 2016. Vala e parë goditëse ishte e fortë, ndërsa shpërthimet e mëvonshme epidemike të virusit Zika kanë qenë më të menaxhueshme e të kontrollueshme, kryesisht për shkak të masave e investimeve të bëra në infrastrukturën e shëndetit publik, për identifikimin dhe kontrollin e epidemisë. Mirëpo ky virus nuk është si Zika dhe këtij virusi të ri i është bashkëngjitur sfida socio-ekonomike e izolimit/karantinës. Rrjedhimisht, strategjitë e daljes nga izolimi/karantina lipsen të integrojnë në vetvete një plan masash për valën e dytë potenciale – për të qenë të sigurtë!
Mund të ekzistojnë shumë mënyra për ta bërë këtë, por këtu po japim vetëm tri qasje, që meritojnë vëmendje. Mund ti emërtojmë për lehtësi:
- Strategia e frenimit,
- Strategjia e ndërtimit
- Strategjia e mbrojtjes
I kemi paraqitur përmbledhtazi në skemën e mëposhtme. Pas valës së parë do të duhet të konsiderojmë këto tri strategji, dhe përfundimi i valës së parë është duke ardhur. Kështu që do të duhet të zgjedhim!
1) Strategjia e parë e frenimit luan një rol të rëndësishëm, nëpërmjet izolimit të popullsisë, distancimit fizik dhe mundësimin e hetimit epidemiologjik për identifikimin e vatrave të infeksionit. Strategjia e frenimit ka si qëllim uljen e numrit të infeksioneve të reja (=incidencës) deri pranë zeros, e më pas në heqjen e masave izoluese, por me kusht implementimin e një strategjie agresive për ‘hermetizimin’ e infeksionit. Kjo nënkupton identifikimin dhe diagnostikimin e rasteve të ‘dallgës së dytë’ në kohën duhur, duke i izoluar vetëm këto raste, gjurmuar kontaktet e tyre dhe, nëse është e nevojshme, ndërprerjes së të gjitha mundësive të përhapjes së mëtejshme.
Kjo strategji ka si nevojshmëri ndërtimin e kapaciteteve për kufizimin e përhapjes së virusit dhe gjurmimit të kontakteve me më shumë efektivitet dhe efikasitet në krahasim me menaxhimin e valës së parë. Të priturit gjatë për uljen e nivelit të infeksiozitetit në nivele afër zeros, rrezikon të imponojë izolim afat-gjatë.
2) Me strategjinë e dytë, ndërtimin, mund të fitohet kohë, gjë që i jep frymëmarrje sistemit të shërbimeve shëndetësore për të marrë veten nga ‘vala e parë’ goditëse dhe njëkohësisht për të pasur mundësi e forcë që të përballojë ‘valën e dytë’ potenciale. Në të gjitha vendet e botës në këto momente, faktorët kryesor kufizues të sistemit të shërbimeve shëndetësore janë shtretërit e stafet e njësive të terapisë intensive dhe krijimi i sistemeve të transferimit të njohurive/praktikave të sakta e dhe në kohë, për përballimin e çdo aspekti të epidemisë! Kështu që kjo strategji përfshin izolimin për një kohë mjaftueshmërisht të gjatë, me qëllim rekrutimin dhe ndërtimin optimal të këtyre kapaciteteve, me një heqje të përshkallëzuar të masave kufizuese dhe përballimin e ‘valës së dytë’ goditëse, me shpresë për një nivel vdekshmërie të ulët.
Megjithatë, këtu lindin natyrshëm pyetjet: Si ndërtohen këto ‘sisteme transferimi të njohurive’ dhe cili do të ishte niveli që tregon se këto sisteme janë ‘optimale’? Cili është kapaciteti ‘optimal’ i shërbimit të terapisë intensive? Këto dy pyetje nuk janë dhe aq të thjeshta për tu përgjigjur dhe përgjigjja varet drejtpërdrejtë nga një repertor i larmishëm faktorësh, njohuritë për të cilët nuk i kam të mjaftueshme për ti analizuar, por di të them që një përgjigje e gabuar ndaj këtyre pyetjeve ose mos marrja në konsideratë e këtyre faktorëve, mund të kushtojë jetë njerëzish!
3) Strategjia e tretë, mbrojtja, është strategjia që sjell heqjen e masave kufizuese, duke u kujdesur njëkohësisht për ata të cilët kanë rrezik të preken disproporcionalisht dhe që janë potencialisht vulnerabël. Kjo do të thotë që shoqëritë e vendeve të prekura nga COVID-19 të gjejnë mënyra për të garantuar sigurinë shëndetësore për individët e moshuar dhe ata me kushte shëndetësore ekzistuese – që janë dhe dy kategoritë kryesore me gjasat më të larta për të përjetuar ashpërsim të simptomatologjisë dhe shtimin e rasteve fatale.
Kjo strategji kërkon një kapacitet ekonomik dhe profesional shumë të lartë, për të realizuar depistim të gjerë në nivel komuniteti, me qëllim identifikimin e personave të infektuar që përbëjnë rrezik për komunitetin (veçanërisht individët asimptomatik) dhe parandalimin e ardhjes në kontakt të këtyre personave me grupet e sipërpërmendura vulnerabël. Kjo mund të realizohet me sisteme teknologjike dhe sinjalizim anonim të kontakteve të afërta të personave të infektuar ose të dyshuar (figura më poshtë).
Një element që meriton konsideratë është zhvillimi dhe përdorimi i testeve për antitrupa, me qëllim identifikimin e pjesëtarëve në radhët e stafit të kujdesit shëndetësor dhe mjekësor, që e kanë kaluar infeksionin dhe mund të përbëjnë një rrezik më të ulët për infektimin e të tjerëve.
Synimi i përgjithshëm i strategjisë së tretë (mbrojtjes) do të jetë reduktimi i rasteve kritike dhe ulja e vdekshmërisë, duke hequr presionin e madh nga spitalet dhe njëkohësisht duke lejuar konsolidimin e imunitetit të tufës tek segmentet më pak vulnerabël të popullsisë. COVID-19 mund të mposhtë këdo ,edhe në radhët e grup-moshave të reja pa kushte shëndetësore ekzistuese (edhe pse rrallë), por nëse mbrojtja do të arrijë të reduktojë numrin e rasteve në radhët e individëve vulnerabël, shërbimet shëndetësore mund të ri-organizohen për ta adresuar këtë aspekt.
Të zgjedhësh ndërmjet këtyre tri strategjive nuk është e lehtë dhe varet drejtpërdrejtë nga një sërë faktorësh të njohur e të panjohur, veçanërisht shpejtësisë që popullsia e prekur arrin të kalojë kufirin e nivelit të imunitetit të tufës – pikën në të cilën një numër i mjaftueshëm individësh në një popullatë kanë përftuar antitrupa ndaj virusit, që i mundësojnë kolektivisht ndalimin e qarkullimit pa vështirësi nëpër popullatë.
Ende nuk e dimë me siguri nëse infeksioni kalohet apo ka gjasa të ri-infektohemi.
POR, edhe nëse imuniteti është i përkohshëm, nëse një numër i mjaftueshëm individësh arrin të përballet suksesshëm me virusin, imuniteti i tufës mund të ndalojë ose ngadalësojë përhapjen e virusit.
Imuniteti i tufës ka si kusht infektimin e një proporcioni të madh të popullatës dhe ne ende nuk kemi një kuptueshmëri të qartë mbi imunitetin e tufës për rastin e COVID-19 – kështu që kjo na e vështirëson zgjedhjen e një prej strategjive. Mirëpo, imuniteti i tufës kërkon një infektim masiv, që ndoshta do të vendoste në rrezik jetët e shumë personave.
- Të treja strategjitë e parashtruara këtu, mund të mos konsiderohen, të pezullohen përkohësisht ose pjesët e tyre të kombinohen, por nëse ‘vala e dytë’ pas-goditëse del nga kontrolli nevojiten masa dhe strategji të tjera shtesë.
Kjo ndoshta mund të kërkojë cikle të përsëritura të izolimit dhe/ose karantinës, pezullim të tyre e më pas përsëri izolim dhe/ose karantinë. Madje masat edhe kur të hiqen, nuk duhet absolutisht të hiqen të tëra njëkohësisht, por pjesë-pjesë dhe duke monitoruar me kujdes situatën. Nëse do të jemi të suksesshëm në sheshimin e kurbës (të paktën për momentin duket se jemi!), arritje për të cilën meritojmë të jemi të gjithë krenar, nuk mund të rikthehemi në mënyrë akute (=të menjëhershme, të papritur) në ‘normalen e vjetër’ – pasi do të jetë shumë e rrezikshme! Nëse ndalemi dhe i heqim menjëherë masat (dhe jo në mënyrë të përshkallëzuar) atëherë të gjitha sakrificat dhe përpjekjet tona kolektive do të zhvlerësohen menjëherë dhe do të rrezikojmë seriozisht të përjetojmë një ‘valë të dytë’ të rrezikshme goditëse që do të vendosë në rrezik jetët e shumë personave. Ndoshta do të duhet që në momentin e rënies së qëndrueshme të numrit të rasteve, të modifikojmë disa nga masat e distancimit fizik dhe gradualisht të kthehemi në ‘normalen e vjetër’.
Shanset e suksesit për çdonjërën nga strategjitë janë ende të panjohura. Ato mund të vlerësohen duke përdorur kujdesshëm modele dhe simulime epidemiologjike, por përllogaritjet dhe ekuacionet janë po aq të vlefshme sa supozimet mbi të cilat ato bazohen.
Këto modele mund të prodhojnë rezultate me një nivel të lartë pasigurie. Modelet më serioze e të kujdesshme kanë projektuar një kohëzgjatje deri në 18 muaj. Megjithatë, nëse i lexoni me kujdes raportet dhe shpjegimet e tyre, thuhet qartë që ‘natyra rastësore e proceseve shoqërore prodhon një spektër tepër të gjerë të rezultateve të mundshme’.
Pra, ndryshime shumë të vogla në dukje, si marrja e masave qoftë edhe një ditë më parë ose më vonë, mund të krijojnë pasoja të paparashikueshme. Për më tepër, modelet dhe simulimet nuk janë totalisht të pavlefshme, pasi mund të ofrojnë përsiatje/përafrime të realitetit dhe skenarë të ndryshëm informues, që ndihmojnë në kuptimin e asaj se çfarë mund potencialisht të ndodhë në skenarin më të keq dhe më të mirë të mundshëm. Sa më shpejt t’i kuptojmë këto skenarë, aq më e informuar është vendim-marrja jonë kolektive. Por, modelet nuk mund kurrsesi të zëvendësojnë punën në terren dhe hulumtimin e situatës reale.
Pavarësisht se cila do të jetë strategjia e daljes nga izolimi i valës së parë, jetët tona do të duhet të përshtaten me kushtet aktuale dhe dalja nga izolimi do të jetë një proces provo-dhe-gabo deri sa ta përsosim! Ato janë përshtatur deri diku, edhe pse jo plotësisht. Megjithatë kjo të bën të mendosh:
A duhet të fillojmë ti përshtatemi jetës në kushtet e COVID-19?
Ndoshta në të ardhmen do të kemi një vaksinë apo trajtim, por për momentin duhet të marrim pjesë të gjithë aktivisht në frenimin e infeksionit dhe mbrojtjen e jetës së atyre që janë më vulnerabël. Kjo nuk është hera e parë që njerëzimi përballet me një pandemi. Njerëzit mund të fillojnë të ndihen ndryshe për botën në të cilën po jetojmë, por kjo që po përjetojmë të gjithë në këto momente nuk do të zgjasë përgjithmonë! Këto janë masa të cilat po i ndërmarrim kolektivisht, për të arritur një qëllim të përbashkët, i cili është sheshimi i kurbës për të mbrojtur shëndetin.
Kjo gjendje do të përfundojë, pavarësisht se ne nuk mund të themi me siguri se kur, dhe kur kjo gjendje të përfundojë duhet të reflektojmë si shoqëri për hapat që duhet të ndërmarrim për pandeminë e radhës në të ardhmen nga një SARS-CoV-3 i mundshëm – e të investojmë seriozisht në infrastrukturën dhe kapacitetet e shëndetit publik, sistemit shëndetësor, epidemiologjisë dhe në përgjithësi Shkencës në Shqipëri, pasi është e mundur (figura më poshtë).
Shoqëria jonë është me fat, sepse ka shkencëtarë: mjafton të hapni televizorin apo internetin dhe të krenoheni me thesarin shqiptar shkencor brenda dhe jashtë vendit! Në këto momente, po futemi ngadalë në një epokë tjetër, nëpërmjet portalit ndër-dimensional të COVID-19 dhe po vendosemi përpara zgjedhjes, se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në këtë portal… që kur SARS-CoV-3 i mundshëm apo një pandemi tjetër e radhës të godasë, ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona sikur të mos ketë ndodhur asgjë!
Zgjedhja ende mbetet brenda nesh dhe pyetja që shtrohet është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?