Çfarë është ky koronavirus i ri?
Koronavirusi i ri është një lloj virusi me formë kurore i cili nuk ishte identifikuar më parë të njeriu deri në dhjetor të vitit 2019 në Ëuhan të Kinës . Koronavirusi që po qarkullon tani e kanë quajtur SARSCoV-2 dhe sëmundjen që ai shkakton COVID-19. Ai i përket së njëjtës familje të viruseve SARS – Cov dhe MERS -COv por është i ndryshëm nga ato. Koronaviruset janë zoonotike, që do të thotë se transmetohen ndërmjet njerëzve dhe kafshëve. Hulumtime të detajuara kanë konfirmuar se SARS-CoV transmetohej nga macet e egëra civet tek njerëzit dhe MERS-CoV nga devetë te njerëzit. Shumë koronavirue të njohur janë duke qarkulluar tek kafshët dhe ende nuk kanë infektuar njerëzit.
A infekton vetëm të moshuarit?
Pikë së pari ky infeksion është i shërueshëm – deri tani janë shëruar rreth 55% e individëve të konfirmuar të infektuar botërisht. Individët e të gjitha moshave janë në rrezik për t’u infektuar prej koronavirusit të ri SARSCoV-2. Personat më të ndjeshëm ndaj ashpërsimit të simptomave në rast se infektohen janë të moshuarit dhe individë me kushte shëndetësore ekzistuese të tilla si (astma, diabeti, sëmundjet e zemrës).
Si transmetohet?
Dinamika ekzakte që shpjegon mënyrën e transmetimit është akoma për t’u përcaktuar. Në përgjithësi viruset respiratore, sic është dhe SARSCoV-2, transmetohen përmes spërklave (pikave) të cilat dalin nga person i infektuar kur ai kollitet apo tështin ose përmes një objekti të kontaminuar me këtë virus. Transmetimi kryhet vetëm me kontakte të afërta me personat e prekur. Këto kontakte janë:
- Përmes pështymës, pikave apo spërklave që dalin duke teshtirë apo kollitur
- Kontakte të afërta
- Me anë të duarve, si p.sh. duke prekur me duar të kontaminuara (me virus, ende të palara/papastra) gojën, hundën apo sytë.
Çfarë kuptojmë me kontakte të afërta?
Sipas QEKPS (Qëndrës Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve), kontakte të afërta konsiderojmë rastet:
- Personel shëndetësor ose person tjetër i ngarkuar të kujdeset për individëve të dyshuar ose të konfirmuar me koronavirus , apo personel i cili analizon gjakun e personave të mësipërm.
- Kontakti fytyre-fytyrë apo qëndrimi në të njëjtin mjedis të mbyllur me një rast të dyshuar apo të konfirmuar me këtë virus, si p.sh në ashensor.
- Të jetosh në të njëjtën shtëpi me individ të dyshuar apo të konfirmuar me virus,
- Të kesh udhëtuar në të njëjtin rresht apo dy rreshta më lart ose më poshtë me persona të dyshuar apo të konfirmuar me COVID-19. Nëse individi i dyshuar apo i konfirmuar me COVID-19 mund të ketë lëvizur në brendësi të avionit atëherë edhe udhëtarët e tjerë konsiderohen të ekspozuar ndaj virusit
Cilat janë simptomat e COVID-19?
Simptomat e raportuara deri tani variojnë nga të lehta deri në të ashpra dhe përfshijnë:
- Temperaturë
- Kollë
- Vështirësi në frymëmarrje
Dhe në rastet më kritike paraqiten me pneumoni, insuficenc të veshkave dhe vdekje.
Nëse mendoni se keni pasur kontakte të afërta me individë të infektuar apo që kanë ardhur nga zona të infektuara dhe paraqisni këto simptoma atëherë duhet të telefononi menjëherë numrin e vënë në dispozicion nga emergjenca kombëtare 127, dhe të informoheni për hapat e mëtejshëm. Sipas të dhënave të deritanishme të OBSH (Organizata Botërore e shëndetësisë) personat e infektuar me koronavirus të cilët shfaqin simptoma janë shkaktarët kryesorë të përhapjes së virusit.
Sa përqind e rasteve me COVID -19 paraqesin simptomatologji të ashpërsuar?
Për COVID-19, të dhënat tregojnë se:
- 80% e infeksioneve klasifikohen si të buta ose pa simptoma (=asimptomatike).
- 15% kanë infeksione të rënda që kërkojnë oksigjen
- 5% klasifikohen si infeksione kritike, të cilat kanë nevojë për ventilim klinik.
Për COVID-19, kuptueshmëria aktuale epidemiologjike sugjeron se mosha e tretë (65+ vjeç) dhe kushtet shëndetësore kronike ekzistuese shtojnë rrezikun për një infeksion më të ashpër.