Hipertensioni arterial (=tensioni), diabeti, astma dhe sëmundjet e zemrës janë disa prej kushteve shëndetësore që, gjithsecili që po lexon këtë tekst, me siguri njeh dike që vuan prej tyre. Ky grupim kushtesh shëndetësore lidhet me të ashtuquajturat ‘kushte shëndetësore ekzistuese’, të cilat e shtojnë rrezikun për të përjetuar simptomatologji më të ashpër dhe gjendje klinike që mund të jetë e nevojshme për stafin e kujdesit shëndetësor t’ju vendosi nën oksigjenim ose nën ventilim (invaziv ose joinvaziv në varësi të situatës).
Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) ka vendosur në dispozicion të dhëna për të krijuar një ide për rrezikun që i kanoset gjithsecilit që ka një kusht shëndetësor ekzistues (figura më poshtë).
Mbi 80% e rasteve të raportuara të infektuara me koronavirusin e ri janë raste me aspak ose pak simptoma, dhe vetëm 15 individë nga çdo 100 individë të infektuar mund të kenë nevojë për oksigjen dhe 5 individë nga çdo 100 individë të infektuar mund të kenë nevojë për ventilim. Koronavirusi i ri infekton çdo njeri pa dallim, por diskursi aktual është përqendruar tek rastet spitalore, kryesisht të rënda tek të moshuarit dhe/ose individët me kushte shëndetësore ekzistuese, për të parë vdekshmërinë – nivelin e secilës Organizata Botërore e Shëndetësisë e përditësoj sot në 3.4% (që do të thotë se probabiliteti për tu shëruar = 96.6%).
Normalisht që kjo shifër është një mesatare për të gjitha grupmoshat dhe është më e ulët për grupmoshën 0-60 (nga 0.02% deri në1.3%) dhe më e lartë për grupmoshën 60+ vjeç (nga 3.6% deri në 14.8% për grupmoshën 80+ vjeç). Hulumtimet e (https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa2002032), tregojnë se COVID-19 është pak më i ashpër se gripi sezonal dhe më i shpeshtë tek të rriturit sesa tek fëmijët.
Në studimin më të hollësishëm të publikuar deri tani, vihet re se shumica dërrmuese e rasteve jo të ashpra – mbi 60% – ishin adoleshentë dhe të rritur të moshave 15 deri në 50 vjeç, gjë që sugjeron se kjo grupmoshë e kalon shumë më lehtë infeksionin COVID-19.
Nga një kampion prej 1099 pacientësh të infektuar me koronavirus, 163 ishin raste të raportuara si të ashpra, nga të cilat 41% e tyre ishin 20-50 vjeç, 31% ishin 50-64 vjeç dhe 27% mbi moshën 65 vjeç – të dhëna këto të cilat tregojnë se grupmosha 0-14 vjeç nuk preket nga simptomat e rënda. Rast fataliteti (numri i individëve të infektuar që vdesin) ishte 1.4% (shih figurën më poshtë për më tepër detaje).
Megjithatë këto shifra duhet të kuptohen në kontekst.
Së pari, rastet e raportuara e të studiuara ishin vetëm rastet e hospitalizuara (=të shtruara në spital) të cilat zakonisht kanë simptomatologji më të rëndë në përgjithësi.
Së dyti, individët që e kaluan COVID-19 vetë në shtëpi ose që e kaluan lehtë nuk u futën në studim.
Së treti, të dhënat u mblodhën në një situatë emergjente (ku kishte më shumë se 50,000 raste në të gjithë vendin) dhe qëllimi ishte gjenerimi i të dhënave klinike sesa gjenerimi i të dhënave sistematike.
Si përfundim, parametrat e ashpërsisë së sëmundjes varen nga konteksti.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që ekziston mundësia që ky shpërthim epidemik të menaxhohet më mirë dhe të krijohet një lehtësim i përgjithshëm në popullatën shqiptare. Paniku dhe mbipopullimi i spitaleve e qendrave shëndetësore është një nga faktorët më madhorë që mund të ndikoj në degjenerimin e situatës në çdo moment.
Masat që merren dhe që duhen inkurajuar nga çdo vend janë universale për shpërthimet epidemike:
- Promovimi i higjienës së duarve (shmangni prekjet dhe përqafimet; lani duart me sapun pas çdo kontakti ose me xhel apo preparate me bazë alkooli).
- Promovimi i rregullave bazike të edukatës respiratore (kur kollitemi apo teshtijmë, të vendosim gropëzën e bërrylit para fytyrës ose një kartopecetë, të cilën duhet ta hedhim menjëherë në kosh të mbyllur pas përdorimit).
- Reduktimi i grumbullimit të një numri të madh personash në institucione duke kufizuar aktivitetin e shkollave apo institucioneve të tjera të ngjashme.
- Distancimi social dhe shmangia e takimeve masive, me një numër të madh njerëzish.
- Kufizimi i udhëtimeve për vende që paraqesin rrezikshmëri për popullatën.
- Përgatitja e kushteve për përgjigje dhe karantinë.
Të gjitha këto janë masat (të përmbledhura për lehtësi) që merren nga çdo vend në botë (përfshirë edhe Shqipërinë) dhe që cilësohen në detaje nga udhëzuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët i gjeni këtu nëse jeni të interesuar (https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/technical-guidance).
Ndoshta të gjitha masat janë të kuptueshme dhe të zakonshme, por njëra prej këtyre masave është pazakontë për disa prej jush: karantina! Kjo fjalë nuk duhet të përbëj problem për ju pasi është një masë e zakonshme e aplikuar qysh në mesjetë.
Karantina vjen nga fjala Italiane ‘quaranta’ (shqip. Dyzetë) pasi në Italinë e shekullit të 15, anijet që ankoroheshin në port mbaheshin të izoluara për një periudhë 40 ditore me qëllim parandalimin e përhapjes së murtajës. Sot, izolimi dhe karantina kanë një kuptim të ngjashëm dhe mbeten ende masa efektive për parandalimin e ekspozimit të publikut të gjerë ndaj individëve të infektuar.
- Izolimi, si përkufizim, është ndarja e personave të prekur nga një sëmundje e komunikueshme prej personave jo të sëmurë.
- Ndërkohë karantina, është ndarja dhe kufizimi i lëvizjeve të individëve të cilët janë ekspozuar ndaj një sëmundjeje infektive me qëllim monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Nëse të gjitha masat elementare të sipërpërmendura merren nga një vend atëherë mund të lehtësohet ashpërsia e sëmundjes në nivel popullate dhe me ndihmën e të gjithë komunitetit të bashkuar mund të arrihet të mos mbipopullohet shërbimi shëndetësor nga paniku dhe ta kalojmë këtë valë me një skenar me pasoja minimale. Për më tepër shihni figurën më poshtë.
Cilat janë simptomat më të shpeshta të COVID-19?
Simptomat e raportuara deri tani variojnë nga të lehta deri në të ashpra dhe përfshijnë:
- Temperaturë
- Kollë
- Vështirësi në frymëmarrje
Nëse mendoni se keni pasur kontakte të afërta me individë të infektuar apo që kanë ardhur nga zona të infektuara dhe paraqisni këto simptoma atëherë duhet të telefononi menjëherë numrin e vënë në dispozicion nga emergjenca kombëtare 127, dhe të informoheni për hapat e mëtejshëm.
Nëse jeni duke udhëtuar, punoni në sektorin e kujdesit shëndetësor apo dëshironi të informohenimë hollësisht, po ju paraqesim disa burime informacioni zyrtare e të rëndësishme në lidhje me përgatitjen dhe masat që duhet të merren për COVID-19 në çdo sektor apo situatë(Kliko Këtu).