Ndotja e ajrit, sipërfaqeve dhe paisjeve mbrojtëse personale prej SARS-COV-2 nga mjedisi i pacientëve simptomatikë

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:

  • Aldi Pupuleku, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Rrugët e transmetimit dhe nivelet e ndotjes/kontaminimit mjedisor të koronaviruseve janë akoma të panjohura plotësisht. Prandaj, Ong et al. hetuan ndotjen e ajrit dhe sipërfaqeve në dhomat e 3 pacientëve me SARS-CoV-2 para dhe pas operacioneve të pastrimit.

Ajri u analizua në dhomën dhe paradhomën e secilit prej pacientëve, ndërsa ndotja sipërfaqësore u vlerësua në 26 vende të ndryshme brenda dhomës, paradhomës dhe banjos. Gjithashtu u analizuan edhe pajisjet mbrojtëse personale (MMP) të veshura nga stafi. Mbledhja e kampioneve u bë pas operacioneve ditore të pastrimit për 2 pacientë ndërsa për pacientin e tretë u bë përpara pastrimit. Prania e virusit dhe ngarkesa virale u përcaktuan me anë të metodës Real-time PCR.

Të gjitha mostrat e analizuara për dy pacientët pas pastrimit ishin negative.

Ndërsa, për sa i përket pacientit të tretë (mostrat e marra para pastrimit ditor) 13 rezultate ishin pozitive në 15 vende në dhomë (përfshirë karriget dhe çelsat e dritës pas shtratit), 3 nga 5 në banjë (përfshirë dorezën e dyerve dhe lavamani) ndërsa sipërfaqet e paradhomës dhe korridorit ishin negative. Për më tepër, vetëm një rezultat mbi MMP u gjet pozitiv i gjendur/lokalizuar tek maja e këpucëve. Të gjitha kampionet e ajrit ishin negative.

Në përgjithësi ndotja e mjediseve është shumë e madhe, por të gjitha tamponet e kryera pas operacioneve të pastrimit ishin negative, duke sugjeruar që praktikat e deritanishme të pastrimit (500 ppm i diklorizocianuratit të natriumit për sipërfaqet dhe 1000 ppm për dyshemetë) janë efektive.

Megjithë ndotjen e lartë të mjediseve, kampionet e ajrit kanë qenë gjithmonë negative. Sidoqoftë, në rastin e pacientit të tretë, daljet e shkarkimit të ajrit dolën të ishin pozitive 2 herë nga 3 në total, kjo ndoshta për shkak të zhvendosjes së spërklave në ventilator gjatë rrjedhës së ajrit.

Një kampion i marrë nga këpucët u gjet pozitiv, por rreziku i transmetimit nga këpucët duhet të konsiderohet i ulët, siç dëshmohet nga rezultatet negative të marra në paradhomat dhe korridoret.

Ky studim gjithashtu pati kufizimet e veta për shkak të gjendjes emergjente në të cilën u krye:

1) qëndrueshmëria e virusit në sipërfaqet e kontaminuara nuk është analizuar;

2) numri i rasteve të studiuara ishte i vogël dhe teknikat e përdorura janë jo konsistente për të gjitha rastet e studiuara;

3) vëllimi i ajrit i analizuar përfaqëson vetëm një pjesë të ajrit të përgjithshëm, për më tepër, ndryshimet e ajrit në dhomë mund të kenë ulur ngarkesën virale.

Si përfundim, ndotja e lartë e ambienteve nga pacientët simptomatikë SARS-CoV-2 sugjeron që mjedisi paraqet një mjet të mundshëm transmetimi të virusit. Është e nevojshme që në mënyrë rigoroze të respektohen rregullat për pastërtinë e dhomave dhe higjenën personale.

Artikulli origjinal i botuar në 4 Mars 2020: Ong SWX, Tan YK, Chia PY, et al. Air, Surface Environmental, and Personal Protective Equipment Contamination by Severe Acute Respiratory Syndrome Coronavirus 2 (SARS-CoV-2) From a Symptomatic Patient. JAMA. Published online March 04, 2020.