Ventilimi është procesi gjatë të cilit bëhet i mundur zëvendësimi i ajrit ekzistues në një mjedis të caktuar me ajër të freskët apo të pastër.
Ky proces ka treguar efektivitet në reduktimin e nivelit të transmetimit të virusit në ambjentet e mbyllura si: shtëpi, shkollë, mjediset e punës, restorante, etj.
Fig.1 Ilustrimi i një shembulli ku një person i infektuar (skica e personit në të djathtë) shpërndan grimca ( në ngjyrë lejla tregohen grimcat më të mëdha dhe në ngjyrë të kuqe grimca me madhësi më të vogla). Në praninë e ventilimit tregohet se sasia e grimcave të ngarkuara me virus është shumë më e vogël se në rastin e mjedisit pa ventilim. Burimi: REHVA COVID-19 guidance document
Ekzistojnë tre lloje ventilimi të cilat mund të përdoren në mjedise dhe ndërtesa të ndryshme:
- ventilimi natyror (hapja e dyerve, dritareve)
- ventilimi mekanik (përdorimi i ventilatorëve për lëvizjen e ajrit)
- ventilimi hibrid (i përzier: sistemi do të funksionojë vetëm në mungesë të kushteve për ventilim natyror)
Ventilimi natyror rekomandohet si një nga mënyrat e thjeshta dhe me më pak kosto krahasuar me sistemet e zhvilluara të ventilimit apo edhe sistemet HVAC (sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar).
Në mungesë të sistemeve të ventilimit rekomandohet që ajri në mjedisin e mbyllur të zëvendësohet rreth 6 herë çdo 1 orë. (Organizata Botërore e Shëndetësisë, 2020)
Parimi bazë është shmangia e riqarkullimit dhe zëvendësimi sa më i shpeshtë i ajrit në mjediset e mbyllura.
Sistemet e zhvilluara të ventilimit apo HVAC të cilat përdoren në mjedise apo ndërtesa të mëdha rekomandohet të monitorohen rregullisht dhe nëse do të jetë e nevojshme, të ndërrohen filtrat. Deri më sot, filtrat si MERV 16-16, HEPA janë treguar të jenë efektivë në bllokimin e grimcave të ngarkuara me SARS-CoV-2 (për më shumë informacion mbi sistemet HVAC mund të kontrolloni përditësimin e fundit e lidhur me SARS-CoV-2 këtu)
Këshillat kryesore për uljen e nivelit të transmetimit të virusit në mjediset e mbyllura janë:
- Konsideroni kryesisht përdorimin e ventilimit natyror, hapni dyert apo dritaret nëse është e mundur dhe e sigurt.
- Në rastin e sistemeve mekanike, rekomandohet rritja e përqindjes së ajrit të jashtëm në përputhje me kushtet e temperaturës dhe lagështisë.
- Përmirësimi i filtrave të ajrit në sistemet e përdorura
- Në rastin e përdorimit të sistemeve HVAC, rekomandohet aktivizimi i tyre 2 orë para përdorimit të mjedisit të mbyllur
Burimet e informacionit:
European Centre for Disease Prevention and Control. Heating, ventilation and air-conditioning systems in the context of COVID-19. 10 November 2020. Stockholm: ECDC; 2020
Environmental Protection Agency (EPA). What is a MERV rating? Last updated on August 1, 2019
Hogeling J, Kurnitski J, Floto A, Wargocki P, Buonanno G, Loomans M, Seppänen O, Peccia J, Bahnfleth W, Boerstra A, Bluyssen PM. How can airborne transmission of COVID-19 indoors be minimised?.
World Health Organisation 2009. Natural ventilation for infection control in health-care settings (https://apps.who.int/iris/bitstream/handle/10665/44167/9789241547857_eng.pdf?sequence=1)