Analizë e përgatitur nga: Dr.shk Erand Llanaj dhe Dr.Shk. Aldi Pupuleku
Pandemia aktuale është një demonstrim i qartë i evolucionit në kohë reale. Teoria e evolucionit mund të shpjegojë pjesën më të madhe të asaj që ka ndodhur, si dhe të na ndihmojë të kuptojmë se si do të jetë ecuria në vazhdim, duke qartësuar se cilat strategji të menaxhimit mund të jenë më efektive dhe si mund të përshtasim masat e shëndetit publik për të mbrojtur sa më shumë njerëz dhe pa shkaktuar kosto të panevojshme e të shmangshme. Nga pikëpamja evolucionare është e qartë pse Delta përhapet më shpejt se versioni origjinal i Vuhan-it dhe kjo mund të na sinjalizojë për atë çka mund të presim nga variantet e ardhshme. Përpara se ti hyjmë analizës, është thelbësore të kuptojmë se Delta nuk është fundi i historisë së këtij virusi!
Por çfarë do të ndodhë në vazhdim? Përse kemi variante të reja? Si ta kuptoj evolucionin i virusit?
Evolucioni te viruset është pasojë e mutacioneve (=‘gabimeve’) rastësore gjatë replikimit (=shumimit) që ndodhin në materialin gjenetik (=gjenomin), ku ndodhet ‘receta’ për të ndërtuar kopje të reja të virusit. Shumica e këtyre ‘gabimeve’ kanë efekt neutral, por disa mund të jenë ‘ndihmuese’ për virusin [1], duke i dhënë atij ‘aftësi’ dhe avantazhe të caktuara. ‘Kopjet’ të cilat i japin aftësi të reja virusit, favorizohen dhe të mbijetojnë në ‘brezin’ e ri të kopjeve, përmes procesit të përzgjedhjes natyrore.
Versionet e reja mund të krijohen edhe si rezultat i ri-kombinimit – që s’është gjë tjetër veçse procesi nëpërmjet të cilit viruset përftojnë gjene prej viruseve të tjera ose prej vetë strehuesit [2].
1. Nga pikëpamja fiziologjike evolucioni favorizon versionet e reja që kanë një avantazh mbi sistemin imunitar, duke i dhënë virusit një aftësi konkuruese ndaj përgjigjes imunologjike.
2. Nga pikëpamja epidemiologjike, përgjithësisht mund të presim që variantet e reja të shkaktojnë një kurbë (=lakore) epidemike më të ‘pjerrët’ – pra, versione që prodhojnë më shumë raste dhe më shpejt. Kjo e fundit prodhon dy konkluzione të rëndësishme me rëndësi praktike:
- E para, virusi do të përhapet më ‘lehtë’ – që do të thotë se një individ i infektuar do të ketë gjasa të infektojë më shumë njerëz duke bërë që versionet e ardhshme të kenë një R0 (=numër riprodhues) më të lartë, por R0 e ka një kufi maksimal. Fruthi është një shembull për kufirin e sipërm të R0 me një R0: 16-18.
- E dyta, Ne mund të presim një ‘tkurrje’ të periudhës kohore nga momenti i infektimit deri në momentin që dikush është i aftë të infektojë, ose ndryshe një interval serial më i shkurtër.
Të dyja këto ndryshime të parashikuara përbëjnë një lajm të mirë për virusin, por jo për strehuesin (=njeriun)!
A janë këto arsyet përse Delta përhapet kaq shumë?
Arsyet e mësipërme, shpjegojnë pjesërisht pse Delta është tashmë duke u përhapur shpejt dhe duke zëvendësuar shtamën fillestare të Vuhan-it [3].
Ekzistojnë prova bindëse që tregojnë se Delta tashmë ka një interval serial më të shkurtër ( periudha nga infektimi deri në mometin që dikush mund të infektojë të tjerë), në krahasim me shtamën origjinale [4].
- Kjo mund jetë e lidhur me një ngarkesë virale (=më shumë kopje të virusit) më të lartë në disa individë të infektuar me Delta, krahasuar me versione të mëparshme. Kjo i mundëson Deltës që të ‘transmetohet’ më herët në kohë pas momentit të infektimit [5].
- Gjithashtu një ngarkesë virale më e lartë, mund ta bëjë Deltën që të përhapet edhe gjatë kontaktit të shkurtër me persona të infektuar [6]. Pra, rritet R0 te Delta ( që llogaritet diku ndërmjet 5 dhe 8 individë të infektuar nga një person bartës i Deltës [7]). Kjo e fundit ka implikime edhe për imunitetin e tufës [8]
A do të evolojnë njerëzit në mënyrë që ta ‘mundin’ virusin?
Përgjigja e shkurtër është ‘JO’ sepse:
- Njerëzit nuk riprodhohen me ritme të krahasueshme me viruset, për të grumbulluar mutacione që e luftojnë virusin.
- Nga ana tjetër, virusi nuk e vret shumicën e individëve që infekton dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk vret individët të cilët janë në moshë riprodhuese.
- Rrjedhimisht nuk ka ‘presion përzgjedhës’ për njerëzit që të ndryshojnë dhe të adaptohen gjenetikisht në mënyrë të favorshme.
Lexo edhe:
Gjithçka mbi variantin Delta