‘Kalimi i pikut’ është një koncept, i cili nuk bazohet në numrin e rasteve, viktimave dhe numrin e personave ‘të shëruar’. Ky koncept e ka bazën dhe mund të shqyrtohet në trendet ose prirjet që ka shpejtësia e rritjes së kurbës ose pjerrësia për lehtësi, në momentin fillestar pas shfaqjes së rasteve të para.
Shqipëria ka arritur të shmang një skenar apokaliptik ku individët që do të kishin nevojë për hospitalizim (=shtrim në spital) nuk do të kishin mundësi për të marrë shërbim dhe ne sot do të ishim duke riorganizuar sistemin e varrimeve dhe do të merreshim me koordinimin e varreve masive – siç po ndodh ne shtete të tjera. Shanset që ne e kemi kaluar pikun janë ende të panjohura. Ajo që mund të thuhet me siguri është që kurba shqiptare epidemike ka mbërritur në një fazë stacionare, me luhatje të përditshme lart-e-poshtë, por që trendi (=prirja) e përgjithshme është lineare, gjë që sugjeron se jemi në fazën e stabilizimit e jo të fillimit të pjerrjes për së poshtmi (=pra kalimit të pikut). Këto koncepte mund të bëhen më të prekshme e të vlerësohen duke përdorur kujdesshëm modele dhe simulime epidemiologjike, por përllogaritjet dhe ekuacionet janë po aq të vlefshme sa supozimet mbi të cilat ato bazohen. Këto modele mund të prodhojnë rezultate me një nivel të lartë pasigurie.
Modelet më serioze e të kujdesshme kanë projektuar një kohëzgjatje deri në 18 muaj. Megjithatë, nëse i lexoni me kujdes raportet dhe shpjegimet e tyre, thuhet qartë që ‘natyra rastësore e proceseve shoqërore prodhon një spektër tepër të gjerë të rezultateve të mundshme’. Pra, ndryshime shumë të vogla si marrja e masave qoftë edhe një ditë më parë ose më vonë, krijojnë pasoja të paparashikueshme. Për më tepër, modelet dhe simulimet nuk janë tërësisht të pavlefshme, pasi mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm informues, që ndihmojnë në kuptimin e asaj se çfarë mund potencialisht të ndodhë në skenarin më të keq dhe më të mirë të mundshëm.
Sa më shpejt t’i kuptojmë këto skenarë, aq më e informuar është vendim-marrja jonë kolektive. POR, modelet nuk mund kurrsesi të zëvendësojnë punën në terren dhe hulumtimin e situatës reale. Pra kemi arritur të stabilizojmë gjendjen, por a e kemi kaluar ‘të keqen’ apo jo kjo nuk varet vetëm nga një grumbull shifrash! Në situatën aktuale, të dhënat janë si ajo shtylla e ndriçimit që has natën duke shkuar për në shtëpi, shtylla është aty të ndriçojë vendin ku ndodhesh, që të dish se ku je, por nuk të tregon se ku duhet të shkosh!