Simptomat gastroenterologjike dhe otorinolaringologjike (ORL) që shoqërojnë pacientët e dyshuar ose të konfirmuar me COVID-19.

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Manol Jovani, MD MPH

Recensent:

  • Erand Llanaj, PhD

Simptomat gastroenterologjike:

Pavarësisht se simptomat respiratore janë më të pranishme tek pacientët me COVID-19, këta pacientë mund të kenë edhe manifestime të tjera, shtesë, në fazat e hershme të sëmundjes, të cilat mund të shfaqen pavarësisht simptomave respiratore. Virusi SARS-CoV-2, i njohur gjerësisht si koronavirusi i ri, mund të jetë i pranishëm në feçet e pacientëve me COVID-19 [1]. Pra, përveç transmetimit ajror, mund të haset transmetimi fekalo-oral (edhe pse më pak i mundshëm se ai ajror), në rast se pacienti nuk shfaq simptoma respiratore, të tilla si kolla apo temperatura [6]. Kjo shton rëndësinë e pastrimit të kujdesshëm të duarve dhe të distancimit social [1].

Studimet e deritanishme, kanë raportuar nivele të ndryshme të incidencës së simptomave gastroenterologjike. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë se këto të fundit shoqërojnë simptomatologjinë e COVID-19, dhe madje mund të ekzistojnë edhe pa praninë e simptomave respiratore. Këto gjetje sugjerojnë se prania e simptomave gastroenterologjike mund të krijojë nevojshmëri për testim tek këta pacientë, për të cilët mund të dyshohet për COVID-19 dhe më tej të izolohen.

Në një studim në Kinë, në të cilin hulumtuesit vëzhguan 204 pacientë të shtruar në spital, pasi ishin konfirmuar me COVID-19, vunë re se 51% e tyre shfaqën një ose më shumë simptoma gastroenterologjike. Ndër këto simptoma, më të shpeshtat ishin:

  • mungesa e urisë (79%),
  • diarreja (34%),
  • të vjellat (4%) dhe
  • dhembja e barkut (2%) [2].

Madje gjashtë pacientë (3%) kishin simptoma gastroenterologjike, por jo simptoma respiratore [2].

Në një tjetër studim në Kinë, ku u analizuan të dhënat e 1141 pacientëve të konfirmuar me COVID-19, rreth 16% kishin vetëm simptoma gastroenterologjike. Tek këta të fundit, simptomat më të zakonshme ishin:

  • mungesa e urisë (98%),
  • ndjesia e të përzierit (73%),
  • të vjellat (65%),
  • diarreja (37%) dhe
  • dhembja e barkut (25%) [3].

Studimet e sipërpërmendura kanë kufizimet e tyre metodologjike.

Gjithsesi, këto studime raportojnë një nivel më të lartë të incidencës së simptomave gastroenterologjike, krahasuar me një studim të mëparshëm në Kinë, në të cilin u analizuan të dhënat klinike e 1099 pacientëve të shtruar e të konfirmuar me COVID-19 [4]. Në këtë studim simptomat e raportuara gastroenterologjike ishin të kufizuara vetëm  tek:

  • Ndjesia e të përzierit (=nauzeja) e të vjellave (në 5% të pacientëve) dhe
  • Diarre (në 4% të pacientëve)[4].

Në literaturë deri tani, ka pasur raportime për pacientë, tek të cilët testimi për praninë e virusit SARS-CoV-2 ka rezultuar negativ në mostrat nazofaringeale, por pozitiv në mostrat fekale [5]. Madje ka raportime rastesh, tek të cilat manifestimi i parë i sëmundjes kanë qenë treguesit e shtuar të hepatitit akut (=dëmtimit të papritur të mëlçisë), pa prani të ndonjë manifestimi tjetër, shtesë [7].

Në përmbledhje, vihet re se simptomat gastroenterologjike nuk duhet të nënvlerësohen, veçanërisht tek pacientët pa simptoma respiratore.

Simptomat otorinolaringologjike (ORL)

Duke ju referuar Akademisë Amerikane të Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës (ang. American Academy of Otolaryngology-Head and Neck Surgery – AAO-HNS):

  • Humbja ose dobësimi i papritur i shqisës së nuhatjes ose
  • Humbja ose dobësimi i asaj të shijimit (disgevsia)

mund të konsiderohen si simptoma të COVID-19 dhe mund të kenë nevojë për testim, Ndoshta mund të jetë e nevojshme, që tek kjo kategori pacientësh të konsiderohet izolimi dhe testimi për COVID-19 [9].

Një studim, në të cilin u përfshinë disa qendra spitalore Europiane, raportoi se nga 417 pacientë të konfirmuar me COVID-19,

  • 284 (68%) kishin humbje të nuhatjes (anozmi),
  • 73 (17.5%) kishin dobësim të nuhatjes (hipozmi) dhe
  • 45 kishin ndjesinë e nuhatjes së gjërave të cilat nuk ishin të pranishme në mjedisin e tyre rrethues (fantozmia).

Për sa i përket shqisës së shijimit, 342 pacientë (88.8%) përjetuan dobësim ose ndryshime në shijimin e ushqimeve. Në disa pacientë këto dy manifestime (humbja/dobësimi i shijes dhe nuhatjes) ishin njëkohësisht të pranishme [8].

Individët të cilët mund të përjetojnë dobësim ose humbje të shqisës së nuhatjes apo shijimit rishtas, pra, shenja të cilat nuk i kanë pasur më parë, duhet të kontaktojnë ofruesit e kujdesit shëndetësor për t’u këshilluar. Ndërkohë, pjesëtarët e personelit shëndetësor, të cilët mund të përballen me këto simptoma tek pacientët e tyre, mund ti konsiderojnë ato si një manifestim potencial të infeksionit COVID-19 [9].

REFERENCA

1.      Xiao F, Tang M, Zheng X, et al. Evidence for gastrointestinal infection of SARS-CoV-2. Gastroenterology 2020; Mar 3 [Online ahead of print]. doi: 10.1053/j.gastro.2020.02.055.

2.      Pan L, Mu M, Yang P, et al. Clinical characteristics of COVID-19 patients with digestive symptoms in Hubei, China: a descriptive, cross-sectional,  multicenter study. Am J Gastroenterol 2020 [Online ahead of print].

3.       Luo S, Zhang X, Xu H. Don’t overlook digestive symptoms in patients with 2019 novel coronavirus disease (COVID-19). Clin Gastroenterol Hepatol  2020; Mar 20 [Online ahead of print]. doi: 10.1016/j.cgh.2020.03.043..

4.       Guan WJ, Ni ZY, Hu Y, et al. Clinical Characteristics of oronavirus Disease 2019 in China. N Engl J Med 2020; Feb 28 [Online ahead of print]. doi:   10.1056/NEJMoa2002032..

5.       Lijuan C, Jianghua L, et al. COVID-19 Disease With Positive Fecal and Negative Pharyngeal and Sputum Viral Tests. Am J Gastroenterol 2020;00:1. https://doi.org/10.14309/ajg.0000000000000610

6.       Han C, et al “Digestive Symptoms in COVID-19 Patients with Mild Disease Severity: Clinical Presentation, Stool Viral RNA Testing, and Outcomes” Am J Gastroenterol 2020.

7.       Wander P et al. COVID-19 presenting as acute hepatitis. Am J Gastroenterol 2020. https://journals.lww.com/ajg/Documents/COVID19_Bernstein_et_al_AJG_Preproof.pdf

8.       Lechien JR et al. Olfactory and gustatory dysfunctions as a clinical presentation of mild-to-moderate forms of the coronavirus disease (COVID-19): a multicenter European study. Eur Arch Otorhinolaryngol. 2020 Apr 6. doi: 10.1007/s00405-020-05965-1. [Epub ahead of print]

9.     https://www.mdedge.com/infectiousdisease/article/219556/coronavirus-updates/reports-increasingly-suggest-anosmia/hyposmia