Periudha e inkubacionit të COVID-19 bazuar në raportimet publike të rasteve të konfirmuara: Vlerësim dhe Zbatim

Periudha e inkubacionit të COVID-19

Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:

  • Aldi Pupuleku, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Qëllimi i këtij studimi ishte vlerësimi i kohëzgjatjes së periudhës së inkubacionit (periudha prej ekspozimit ndaj virusit deri në zhvillimin e simptomave) të COVID-19 dhe përshkrimi i implikimeve potenciale në shëndetin publik. Kuptueshmëria mbi monitorimin aktiv të një pacienti të infektuar me SARS-CoV-2 është veçanërisht e rëndësishme për departamentet shëndetësore/sistemet shëndetësore që kanë burime të kufizuara.

Në studim u përfshinë 181 individë (kombësi të ndryshme) prej disa provincave të Kinës (përjashtuar provincën Hubei), që rezultuan pozitiv në testin për COVID-19 (periudha e raportimit: 4 Janar – 24 Shkurt 2020). Mosha mesatare e individëve ishte 44.5 vjet. Në shumicën e rasteve, individët kohët e fundit kishin udhëtuar ose jetuar në Wuhan, ndërsa pjesa tjetër kishte qenë e ekspozuar ndaj njerëzve simptomatikë. Rezultatet u vlerësuan duke përdorur intervale besimi (IB) 95%.

Inkubimi dhe shtrimi në spital

Midis individëve të cilët zhvilluan simptomat në komunitet, koha mesatare prej zhvillimit të simptomave dhe shtrimit në spital ishte:

  • 1.2 ditë ~ IB[0.2 – 29.9] ditë

Llogaritja e periudhës mesatare të inkubacionit (prej ekspozimit deri tek zhvillimi i simptomave):

  • <2.2 ditë në më pak se 2.5% të subjekteve.
  • 2.2 ditë ~ IB[1.8 – 2.9]ditë në 2.5% të subjekteve.
  • 11.5 ditë ~ IB[8.2 – 15.6]ditë në 95% të prekjeve.

Pra, duke ndjekur këtë model, periudha mesatare e inkubacionit ishte 5.1 ditë.

Vlerësimet u përsëritën, duke përfshirë vetëm pacientët që manifestuan ethe (për të zvogëluar pasigurinë e subjekteve që shfaqin dhimbje të fytit dhe kollë të shkaktuar nga patogjenë të tjerë).

Në këtë rast:

  • periudha mesatare e inkubacionit ishte 5.7 ditë IB[4.9 – 6.8]ditë.

Në ditën e 12-të pas ekspozimit:

  • 97.5% e subjekteve pësuan ethe.

Në përgjithësi, periudha mesatare e inkubacionit të COVID-19 duket të jetë afërsisht 5 ditë, shumë e ngjashme me atë të SARS.

Monitorimi aktiv dhe karantina

Gjatë monitorimit aktiv të pacientëve me rrezik të lartë (1 në 100 mundësi të shfaqjes së simptomave), numri i infeksioneve simptomatike që pritet të mos identifikohen është si më poshtë:

  • 21.2 raste për 10.000 individë (në risk të lartë) të monitoruar – në 7 ditë monitorim aktiv
  • 1 rast për 10.000 individë (në risk të lartë) të monitoruar – në 14 ditë monitorim aktiv.

Autorët gjithashtu vlerësuan se numri i pritshëm i personave të infektuar dhe që do të zhvillonin simptoma pas 14 ditësh të monitorimit aktiv ose karantinës do të ishte 101 raste për 10.000 individë (të infektuar me rrezik të ulët, të mesëm dhe të lartë).

Si përfundim, mund të thuhet se koha e monitorimit aktiv rekomanduar nga Qendra për Parandalim dhe Kontrollin e Sëmundjeve (U.S) ka qenë e mirëmbështetur prej fakteve dhe evidencave shkencore. Gjithësesi, sugjerohet që periudha e karantinës të zgjasë më shumë se 14 ditë në rastet kur ekzistojnë arsye bindëse për zgjatjen e kësaj periudhe.

Mos identifikimi i një rasti simptomatik do të çonte në një skenar shumë më të rrezikshëm dhe më të kushtueshëm, veçanërisht për profesionistët e kujdesit shëndetësor, të cilët, në kushte mungese për përdorimin pajisjeve vetjake mbrojtëse, do të ndodhen të ekspozuar prej individëve pozitivë për COVID-19.

Artikulli origjinal i botuar në 10 Mars 2020: S. A. Lauer, K.H. Grants, Qifang, F. k. Joenes, Q. Zheng, H.R. Meredoth, A.S. Azman, N.G.Reich, Justin Lessler (2020) The Incubation Period of Coronavirus Disease 2019 (COVID-19) From Publicly Reported Confirmed Cases: Estimation and Application. Annals of Internal Medicine.