Vaksina e tuberkulozit, ose BCG (shkurtim i Bacillus Calmette–Guérin) është një vaksinë e cila është përdorur qysh para 100 viteve për të ‘trajnuar imunitetin e lindur’ dhe përgjatë historisë 100 vjeçare është vënë re se ajo ka pasur efekte jo specifike. Këto efekte i referohen ‘përftimit’ të imunitetit për infeksione respiratore të tjera që nuk lidhen me tuberkulozin. Evidencat, gjithashtu tregojnë se incidenca e hasjes (ose numri i rasteve të reja) të koronavirusit në vendet e që kanë aplikuar në masë vaksinën kundër tuberkulozit, është e ulët. Mirëpo kjo lidhje nuk është shkakësore dhe mbetet për t’u provuar.
Nga studimet e bëra vihet re një efektivitet jo specifik më i fortë tek fëmijët, krahasuar me të rriturit. Megjithatë, disa institute kërkimore janë duke e testuar dhe kanë rekrutuar grupe të personelit shëndetësor të cilët në mënyrë vullnetare do e marrin për të parë në vijimësi (me gjasa brenda tre-katër javëve të ardhshme) nëse ka efekt mbrojtës ose lehtësues ndaj infeksionit respirator COVID-19 të shkaktuar prej koronavirusit të ri SARS-CoV-2.
Momentalisht nuk ka evidenca bindëse ta mbështesin tezën se kjo vaksinë mbron nga COVID-19.