Çfarë dihet? Gratë shtatzëna me COVID-19 dhe foshnjat e nënave me COVID-19.

grua shtatzene

Pas marrjes së kërkesave të shumta nga HEDA Albania për shëndetin e grave shtatzëna me COVID-19 dhe foshnjat që lindin nga këto nëna, po ju paraqesim të dhënat nga studimet më serioze deri tani, të publikuara në prestigjiozet The Lancet (e gjeni këtu) dhe Frontiers (e gjeni këtu) të cilat ekzaminojnë manifestimin e COVID-19 tek gratë shtatzëna në dy perspektiva: njëri nga perspektiva e gruas shtatzënë me COVID-19 dhe tjetri nga perspektiva e foshnjës së lindur nga një nënë shtatzënë me COVID-19.

Analizat e mëposhtme janë konsultuar me burime zyrtare të OBSH-së.

Perspektiva shëndetësore e nënës shtatzënë me COVID-19:

Studimi mbi ecurinë shëndetësore dhe përjetimin e COVID-19 nga gratë shtatzëna me COVID-19 është realizuar në 9 gra shtatzëna të cilat janë konfirmuar me test laboratorik se kanë pneumoni të shkaktuar prej COVID-19. Karakteristikat klinike të tyre gjatë shtatzënisë ishin të padallueshme me ato të grave me COVID-19 të cilat nuk ishin shtatzëna (verifikoni këtu). Asnjë nga nënat shtatzëna nuk agravoj në pneumoni të rëndë apo gjendje kritike për jetën, dhe asnjë nuk humbi jetën deri në momentin që po shkruaj.

Një aspekt interesant për tu përmendur për këto 9 paciente tregon se nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se nënat shtatzëna me COVID-19 shfaqin simptoma apo reagim të ashpër me pneumoni të rëndë dhe që mund të çojë në efekte anësore për bebet apo fetusin si pasojë e transmisionit vertikal intrauterin (nëna-fëmija).

Në përgjithësi, gratë shtatzëna janë veçanërisht më suseptibël (=më të ndjeshme për t’u prekur) ndaj mikrobeve që prekin rrugët e frymëmarrjes dhe pneumonive, për shkak të adaptimeve fiziologjike gjatë shtatzënisë (p.sh. zhvendosja e diafragmës sipër, shtimi i konsumit të oksigjenit, edema përgjatë traktit respirator, etj.) dhe gjendjes së imunosupresuar (=imunitet të dobësuar) – elementë që mund ti bëjnë nënat hipoksike (=nuk ju mjafton oksigjeni). Për të bërë një paralelizëm, gripi Spanjoll i vitit 1918 vrau rreth 2.6% të popullsisë globale, por 37% të grave shtatzëna (verifikoni këtu). Gratë shtatzëna kishin rrezik të shtuar për komplikime gjatë raportimeve të pandemisë H1N1  të gripit të ‘derrave’ në 2009 dhe kishin katër herë më shumë nevojë për shtrim në spital se popullata e përgjithshme (Rreziku relativ (RR)=4.3, Interval besimi 95%: 2.3-7.8) (verifikoni këtu). Një studim tjetër raportoi se rreth 50% e grave shtatzëna që zhvillonin SARS gjatë epidemisë së SARS-it kishin nevojë për terapi intensive dhe rreth 33% e grave shtatzëna me SARS kishin nevojë të domosdoshme për ventilim mekanik – niveli i vdekshmërisë ishte rreth 25% për këto gra.

Këto të gjitha i përmenda për të bërë kontrastin dhe paraqitur (ndoshta me shumë kujdes) lajmin e mirë për 9 gratë shtatzëna me COVID-19 që u trajtuan në studimin aktual që po analizojmë. Duke qenë se SARS-CoV-2 (virusi që shkakton COVID-19) ka një afërsi evolucionare rreth 85% me SARS-in (verifikoni këtu, këtu, këtu dhe këtu), asnjë nga 9 pacientet nuk patën simptoma të pneumonisë së rënduar. Megjithatë, edhe pse këto gjetje janë pozitive, duhet të kuptojmë se bëhet fjalë vetëm për 9 gra shtatzëna (dikush do thotë është më mirë se zero dhe ka të drejtë) por gjetjet në vazhdim do të tregojnë për magnitudën e vërtetë tek kjo kategori popullsie.

Për momentin observimet tek këto 9 gra shtatzëna me COVID-19 tregojnë qartë se:

  • Nuk ka dallime midisi grave shtatzëna dhe jo shtatzëna me COVID-19, madje as me pjesën tjetër adulte të popullatës.
  • Simptomat e grave shtatzëna me COVID-19 në këtë studim ishin ethe, kollë, ndërkohë që dhimbja e muskujve, këputja, fyti i pezmatuar, diarreja dhe marrja e frymës ishin më të rralla.
  • Testet laboratorike treguan se rënia e numrit të qelizave të bardha mund të bie (=leukocitopenia) dhe një nga shenjat e tjera laboratorike ishte rritja e transaminazave (AST dhe ALT).
  • Megjithatë asnjë nga këto simptoma nukishin në mënyrë uniforme tek të nënta pacientet dhe asnjë nga këto simptoma nuk ishin specifike vetëm për gratë shtatzëna me COVID-19.
  • Imazheria e mushkërive CT (skaner) tregoi vlerë të madhe diagnostike pasi kishte saktësi të lartë me një nivel fals-negativiteti (=rastet që janë të sëmura por që diagnostikohen si jo të sëmura) dhe bëhej në kohë të shkurtër.
  • Studiuesit rekomandonin që përveç testeve me acide nukleike  që mbeten standarti i artë për diagnostikimin e COVID-19, të përdoret edhe gjakukomplet, imazheria e mushkërive dhe anamneza (=historia e sëmundjes) së pacientit, së bashku me ekspozimet epidemiologjike dhe simptomat.
  • Një nga foshnjat e lindura nga nëna me COVID-19 ishte rast unik, pasi rezultoi pozitiv 36 orë pas lindjes (verifikoni këtu dhe këtu) Megjithëse shumë nga detajet klinike nuk janë të disponueshme për këtë rast unik gjatë shkrimit të kësaj analize, ekzistojnë dyshime se COVID-19 mund të infektojë foshnjën në uterus (=mitër).

Por, dhe POR i madh, për shkak se studimi është bërë në mjedis spitalor të mbingarkuar me pacientë (në Hubei të Kinës ku shpërtheu CVOID-19) dhe duke qenë se nuk u krijua mundësia të  merreshin mostra të indeve intrauterine apo gjakut kordal, lëngut amniotik apo placentës për këtë rast, nuk mund të konkludohet që COVID-19 kalon nga nëna tek fëmija, pasi ekziston mundësia që mund të jetë infektuar në spital(spekulim). Të nënta gratë shtatzëna të përfshira në studim lindën me lindje cezariane pa komplikacione dhe 6 nga të cilat u testuan mostra të indeve intrauterine, gjakut kordal, lëngut amniotik dhe placentës nuk rezultuan me transmetim vertikal nga nëna tek fëmija.

Mesazhi kryesor: Simptomat e grave shtatzëna me COVID-19 ishin të shumëllojshme, ku simptomat kryesore ishin kolla dhe ethet. Për momentin mund të themi se nuk ka ndryshime (të njohura) ndërmjet manifestimit klinik të COVID-19 ndërmjet grave shtatzëna ose jo dhe të rriturve në moshë riprodhuese. Nuk u konfirmua transmisioni vertikal nga nëna tek fëmija.

Perspektiva shëndetësore e foshnjës të lindur nga një nënë me COVID-19:

Në analizën e dytë do ta shohim problemin nga perspektiva e foshnjës. Për këtë do të marrim studimin e sapo publikuar (16 Mars 2020) ku u përfshinë katër nëna me COVID-19 (verifikoni këtu). Tek një nga nënat fetusi nuk godiste barkun, por ishte gjallë dhe mirë, ndërkohë që një nënë tjetër zhvilloi anemi dhe probleme me frymëmarrjen pasi u shtrua në spital. Nga 4 bebet e lindura, 3  u testuan me leje nga prindërit dhe:

  • Asnjë nga foshnjat e testuara nuk doli pozitiv për virusin SARS-CoV-2.
  • Asnjë nga foshnjat nuk shfaqi shenja serioze klinike respiratore të tilla si kolla, ethet apo diarreja.
  • Dy nga foshnjat kishin një rash (=acarim i lehtë i lëkurës me shenja që i ngjasojnë puçrrave të vogla), shenja këto që u zhdukën vetvetiu spontanisht pa nevojën e trajtimit mjekësor.
  • Një nga foshnjat manifestoi probleme të lehta me frymëmarrjen  dhe u klasifikua si frymë-këmbim i shpejtë i përkohshëm (bë gjuhën mjekësore takipne kalimtare e të porsalindurit) dhe u trajtua me sukses me ventilim artificial jo invaziv (=thjesht maskë oksigjeni pa intubim) për tre ditë. Kjo bebe pas heqjes së oksigjenit, nga gjetjet radiografike të mushkërive nuk ju gjetën dëmtime serioze ose të rëndësishme klinikisht. Për profesionistët, ajo që u pa ishte se luminoziteti i mushkërisë së majtë ishte pak i shtuar dhe tekstura e mushkërisë së djathtë ishte pak e paqartë. Të gjitha këto gjetje u konfirmuan se kaluan brenda 3 ditëve pas trajtimit me cPAP (=terapi me presiont të vazhdueshëm pozitiv në rrugët e frymëmarrjes).
  • Të gjitha bebet janë mirë dhe kanë filluar gjithashtu ushqyerjen me formula nga lindja, deri sa nënat të shërohen plotësisht.

Një shqetësim që është përhapur  në lidhje me COVID-19  është se ai dëmton leukocitet (=qelizat e bardha të gjakut) dhe mund të sjell dëmtimin e shumë organeve duke përfshirë këtu edhe aparatin e
frymëmarrjes (verifikoni këtu). Në studimin me 9 nënat gjaku i marrë me lejë nga
prindërit, prej tre foshnjave ishte brenda çdo parametri normal dhe numri i qelizave të gjakut, si
dhe përqendrimi i hemoglobinës luhatej, por brenda intervaleve normale të referencës
.

Ajo që ka rëndësi epidemiologjike është se dy foshnja shfaqën rash kalimtar direkt pas lindjes. Nëse kjo i atribuohet efekteve të toksinave inflamatore amtare apo jo, është diçka që ka nevojë për studim të mëtejshëm. Megjithatë, gjatë ndjekjes së rasteve të katërta bebet kishin shëndet të mirë dhe po shtonin peshë nga ushqyerja me formula. Këto karakteristika dëshmojnë bindshëm se deri tani mund të themi që nënat shtatzëna me COVID-19 nuk ja kalojnë foshnjës COVID-19.

Për profesionistët të cilët nuk kanë kohë të shkojnë të lexojnë studimin origjinal, në përmbledhje mund të themi se identifikimi i acideve nukleare virale duke përdorur reaksioni zinxhir i polimerazës në kohë reale ose ndryshe RT-PCR është standarti i artë aktual për identifikimin e infeksionit COVID-19. Nga të dhënat paraprake mbi sensitivitetin e RT-PCR-së tregojnë një nivel 71% për COVID-19 (=pra, nga 100 raste të identifikuara me COVID-19, 71 janë pozitivë të vërtetë).

Mesazhi kryesor: Foshnjat e lindura nga nëna me COVID-19 nuk paraqitën simptomatologji të rënduar dhe asnjë nuk rezultoi pozitiv për COVID-19. Simptomat kryesore ishin rash i lehtë dhe tek një nga rastet kishte nevojë për ventilim për 3 ditë. Të gjitha foshnjat gëzojnë shëndet të plotë deri në momentin e shkrimit të këtij teksti.  Nuk u konfirmua transmisioni vertikal nga nëna tek fëmija.

Për ata të cilët dëshirojnë të lexojnë analiza të thelluara në shqip, nga profesionistë, mund ti drejtohen artikujve të tjerë në lidhje me këtë temë duke klikuar Këtu.