KORONAVIRUS : Si t’ua shpjegoj situatën fëmijëve?

Në këto ditë që jemi të bombarduar nga informacione të shumta rreth koronavirusit shumë prindër (edhe vetë të shqetësuar) gjenden përballë problemit se si të komunikojnë me fëmijët rreth këtij argumenti.

Si mund t’ja shpjegojmë alarmin për koronavirusin një fëmije?

Si mund të sqarojmë masat parandaluese e shqetësimet, por edhe përshkallëzimin e situatës çdo ditë, kur edhe të rriturit nuk kanë përjetuar kurrë më parë një gjë të tillë?

Psikologët janë këtu për t’ju ndihmuar.

Në rradhe të parë prindërit duhet të përpiqen të menaxhojnë frikën e tyre e pastaj atë të fëmijëve. Të thuash që nuk kam frikë, kur në të vërtetë kemi frikë, kjo është e gabuar.

Sjellja e të rriturve është shumë e rëndësishme, sepse nuk është e thjeshtë të transmetosh qetësi e siguri kur je i shqetësuar për shëndetin e të dashurve të tu. Një ankth që mund të transmetohet edhe pa qenë të vetëdijshëm. Për këtë, të rriturit duhet të mësojnë të menaxhojnë ankthin e tyre, sepse nëse nuk jemi në gjendje të kontrollojmë panikun, fëmijët tanë do e kuptojnë shpejt. Duhet të vëmë
në zbatim disa strategji që ulin stresin, si për shembull: të përqendrohemi te frymëmarrja jonë ose të spostojmë vëmendjen tek gjërat që na bëjnë të ndjehemi mirë.

Fëmijëve u duhen dhënë shpjegime reale e të thjeshta, sigurisht të përshatshme për moshën,
por nuk duhet dhënë ideja e minimizimit të problemit e as e të ndjerit i plotfuqishëm.

Është më mirë të jemi të qartë e të themi të vërtetën, që jo çdo gjë që ndodh është në kontrollin tonë. Mesazhi më i rëndësishëm për t’u transmetuar është:

Është një moment i vështirë, secili nga ne duhet të bëjë më të mirën e duhet të kemi besim e të jemi mirënjohës atyre që po punojnë për të zgjidhur problemin.

Duhet të tregojmë që mbrohemi nga frika duke përdorur mendimin praktik.

Fëmijët mësojnë nëpërmjet modelimit e imitimit. Është e rëndësishme që fëmijët të shohin prindërit, që, edhe pse të frikësuar, nuk tregojnë ankth.

Prindërit fillimisht duhet të vetëqetësohen. Për shembull, duke i thënë fëmijës: “Jam i shqetësuar, për këtë motiv po i laj ose po i dezinfektoj duart me gel ose alkool”. Ky veprim bëhet përpara fëmijës, si një gjest natyral. Bëjeni gjithmonë përpara fëmijës me qetësi dhe ngadalë duke e shoqëruar dhe atë të bëjë të njëjtën gjë. Këto janë veprime që mund t’i kthejmë në lojë, duke u dhënë atyre përgjegjësi të vogla por të rëndësishme e duke i bërë të ndjehen të përfshirë, por mbi të gjitha duke i bërë të ndjehen më pak të pafuqishëm.

Pra, ka diçka që mund të bëjmë, edhe pse nuk mund ta eleminojmë.

Kjo është një mënyrë per t’u shpjeguar më të vegjëlve rëndësinë e zbatimit të rregullave me qëllim parandalimin e përhapjes.

Është e rëndësishme të flisni me fëmijët në mënyrë të qetë e direkte, duke gjetur një ekuilibër mes shpjegimeve rreth asaj që ndodh dhe mësimit të rregullave bazë parandaluese.

Por, mbi të gjitha është e rëndësishme të transmetojmë besim, sepse fëmijët nuk presin shpjegimet e të rriturve për të interpretuar botën, por krijojnë idenë e tyre personale. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të flasim me ta, edhe për të shmangur mundësinë që ata të krijojnë një ide të gabuar apo të paqartë.

Mund t’ju vijë në ndihmë të filloni nga një situatë që e njohin më parë, si, p.sh. gripi sezonal, sepse fëmijët mund të kenë pasur familjaritet me disa nga simptomat e tij, mund të kenë kaluar një ftohje, dhimbje fyti apo temperaturë. Ata mund ta kuptojnë lehtë që virusi mund të transmetohet duke pasur kontakte me njerëz të tjerë e duke frekuentuar vende të mbipopulluara.

Psikologu klinik Fabio Celi ka identifikuar pesë pika se si duhet menaxhuar ky moment:

  1. Thuaj të vërtetën, në mënyrën më të thjeshtë, pa shtuar detaje të parëndësishme e me fjalë të përshtatshme për moshën e fëmijës.
  2. Njih emocionet, së pari brenda teje e pastaj tek fëmija yt, qoftë ky fëmijë i vogël apo adoleshent. Mos e moho që ke frikë. Mund të ndryshosh terminologjinë. Mund të thuash që jam i shqetësuar, në vend të “jam i frikësuar”, por nuk duhet të thuash kurrsesi që nuk kam frikë. Sa më shumë të mundoheni ta fshihni frikën tuaj, më shumë ajo do të forcohet e do të kthehet në panik, ankth e terror.
  3. Reflekto e bëje të reflektojë fëmijën tënd mbi faktin që frika mund të jetë e nevojshme. Mund të na shërbejë për t’u mbrojtur e për të kërkuar zgjidhje. Për shembull, frika e infektimit na çon që të lajmë duart më me kujdes. Mund të mësojmë kështu që mos të kemi frikë nga frika.
  4. Dëgjoje fëmijën tënd, lëre të flasë. Jepi mënyrën dhe kohën të shprehet. Kjo nuk është e lehtë, por siç thekson psikologu Celi është thelbi i gjithçkaje. Nëse bën një diskutim rreth 10 min mbi koronavirusin vetëm duke të të dëgjuar, kjo shërben pak. Nuk janë leksionet apo predikimet që na ndihmojnë në menaxhimin e emocioneve.
  5. Provo, me aq sa është e mundur, ta kthesh në diçka pozitive. Për shembull, luajmë bashkë, shohim një film dhe e komentojmë bashkë, pa pasur orën në dorë e pa problemet e përditshme. Të gjithë mund të krijojmë një moment të përbashkët për të lexuar një përrallë e për të kaluar një pasdite të këndshme plot fantazi.

Qëllimi kryesor është të bëni të mundur që fëmijët ta jetojnë këtë periudhe krize në mënyrë më të qetë e më optimiste, duke gjetur mënyra të reja për të mbajtur lidhjet dhe në distancë.

Nuk duhet të transmetojmë ankthe të pajustifikuara ose iluzione joreale.

Nëse arrijmë të bëjmë këtë gjë, do t’u kemi dhënë fëmijëve tanë disa instrumentë për të ardhmen.