Një ndër shqetësimet më të mëdha gjatë pandemisë së COVID-19 është rreziku i infektimit të personelit shëndetësor të përfshirë në kujdesin ndaj pacientëve të suspektuar ose konfirmuar me COVID-19. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) profesionistët shëndetësor të prekur përbejnë rreth 10% të të infektuarve në nivel botëror.1 Përballë këtij rreziku, janë përdorur masat për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, kryesisht përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nga pacientët e infektuar. Sipas rekomandimeve nga OBSH2 dhe nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)3 përdorimi i maskave është konsideruar zgjedhje e parë. Gjatë pandemisë së COVID-19, është evidentuar një mungesë e tyre në nivel botëror, sidomos në strukturat shëndetësore me kapacitete të ulëta.4
Për personelin shëndetësor në kontakt të drejtperdrejtë me pacientët pozitiv COVID-19, OBSH rekomandon së bashku me pajisjet e mbrojtjes personale, përdorimin e maskave kirurgjikale kur nuk aplikohen procedurat që gjenerojnë aerozol, dhe të maskave respiratore me filter kur këto procedura aplikohen. Barriera fizike e mundësuar nga maskat kirurgjikale dhe maskat respiratore, mund të parandalojë kalimin e virusit nga mjedisi i jashtëm në traktin respirator, duke zvogëluar transmetimin e virusese respiratore, si SARS-CoV-2.2
Pavarësisht përdorimit të gjerë në të gjithë botën dhe prodhimit sipas teknikave të standardizuara, nuk ka ende studime dhe të dhëna të mjaftueshme për efikasitetin dhe sigurinë e maskave për mbrojtjen e personelit shëndetësor, kryesisht për mjekët dhe infermierët ndaj SARS-CoV-2.2
- Një përmbledhje e literaturës shkencore me meta-analizë mbi efikasitetin e përdorimit të maskave në parandalimin e trasmetimit të viruseve respiratore, si betakoronaviruset, raportoi reduktimin me 80% të rrezikut të infektimit të personelit shëndetësor (OR=0.20; 95% CI = 0.11–0.37), si në vendet perëndimore (OR = 0.11; 95% CI = 0.02–0.51) dhe ato aziatike (OR = 0.21, 95% CI = 0.11–0.41).5 Në këtë meta-analizë u përfshi edhe një studim rast-kontrolli mbi SARS-CoV-2, i cili raportoi se në 213 mjekë dhe infermierë që nuk përdorën maskën u infektuan 10 individë, përkundrejt asnjë të infektuari në grupin prej 278 mjekëve dhe infermierëve që perdoren maskën N95.6
- Një tjetër meta-analizë e studimeve klinike të randomizuara, që krahasojnë efikasitetin e përdorimit të llojeve të ndryshme maskave, tregoi se përdorimi i maskave respiratore N95 nuk ka diferencë domethënëse në pakësimin e rrezikut të trasmetimit të virusit krahasuar me maskat kirurgjikale. Megjithatë, ata treguan se nën eksperimentimin laboratorik, maskat N95 performuan më mirë sesa maskat kirurgjikale në disa aspekte kryesore: kishin më pak depërtim në filter dhe më pak rrjedhje të brendshme kur përdoren në manekina. Pavaresisht funksionimit më të mirë nën simulim laboratorik te maskës N95, nuk ka ndonjë diferencë domethënëse midis N95 dhe maskave kirurgjikale në parandalimin e sëmundjeve të mësipërme kur përdoret në mjediset klinike.7
Cili është dallimi mes maskave kirurgjikale dhe maskave N95?
Maskat kirurgjikale ndihmojnë në mbrojtjen e përdoruesit nga ekspozimi ndaj mikroorganizmave dhe grimcave të mëdha në ajër, ndërsa maskat N95 filtrojnë grimcat me diametër mesatar 3 mikrometër. Maskat N95 janë maska respiratore me filtra dhe konsiderohen të tilla sepse mund të filtrojnë të paktën 95% të grimcave të ajrit. Këto maska janë aprovuar nga Instituti Kombëtar i SHBA për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (NIOSH), i cili i klasifikon në nëntë kategori (N95, N99, N100, P95, P99, P100, R95, R99, dhe R100), në varësi të efikasitetit minimal të filtrimit të filtrit me 95%, 99% dhe 100%, përkatesisht. Emërtimet me shkronja nënkuptojne rezistencën ndaj vajit: N-jo rezistent ndaj vajit; R-disi rezistent ndaj vajit; dhe P-fortësisht i qëndrueshëm ndaj vajit dhe mund të përdoret për mbrojtje nga aerosolet jooile dhe vajore.
Standardi Evropian (EN 149: 2001) i klasifikon maskat respiratore me filtër në tre klasa: FFP1, FFP2 dhe FFP3 me efikasitete minimale të filtrimit prej 80%, 94% dhe 99%, përkatësisht. Maskat respiratore FFP2 janë afërsisht ekuivalente me maskat N95.8 Maskat N95 prodhohen me një hapësirë të quajtur “hapësira e vdekur” për të mbrojtur më mirë përdoruesin nga grumbullimi i konsiderueshëm i dioksidit të karbonit. Maskat N95 gjithashtu ndryshojnë në jetëgjatësi dhe pastërti, në pjesën më të madhe për shkak të lagështirës, temperaturës dhe shkëmbimit të gazeve. Prandaj, është gjithashtu e rëndësishme të merren parasysh nëse kushtet e brendshme të maskës përbëjnë ndonjë rrezik për përdoruesit, veçanërisht nëse mbahen për periudha të gjata.9 Sipas një studimi lagështia relative në hapësirën e vdekur të maskës N95 u rrit me kalimin e kohës, duke arritur nivele deri në 93% pas vetëm 60 minutave përdorimi dhe temperatura u rrit afërsisht 3°Celcius brenda 60 minutave. Përveç diskomfortit, këto ngritje të temperaturës dhe lagështisë gjithashtu përkeqësojnë efikasitetin e filtrit, ndaj keshillohet të nderrohen.10
Duke marrë në konsideratë të dhënat jo përfundimtare të literaturës shkencore, për të patur një efikasitet të plotë të maskave për personelin shendetësor, OBSH rekomandon përdorimin e tyre të vazhduar përgjatë gjithë turnit, dhe implementimin e masave të tjera jo-farmaceutike parandaluese sikurse higjena e duarve dhe distancimi fizik midis personelit shëndetësor në mjediset brenda spitalore me frekuentim të lartë.2
Bibliografia
- World Health Organization (WHO). Over 10 000 health workers in Africa infected with COVID-19. 23 July 2020 https://www.afro.who.int/news/over-10-000-health-workers-africa-infected-covid-19
- World Health Organization. (2020). Advice on the use of masks in the context of COVID-19: interim guidance, 5 June 2020. World Health Organization. https://apps.who.int/iris/handle/10665/332293.
- Center for Disease Control and Prevention. Strategies for Optimizing the Supply of Facemasks. 28 June 2020. https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/hcp/ppe-strategy/face-masks.html
- Rational use of personal protective equipment for coronavirus disease (COVID-19) and considerations during severe shortages. Geneva: World Health Organization; 2020 (https://www.who.int/publications-detail/rational-use-of-personal-protective-equipment-for-coronavirus-disease-(covid-19)-and-considerations-during-severe-shortages, accessed 4 June 2020).
- Mingming Liang, Liang Gao, Ce Cheng, Qin Zhou, John PatrickUy, Kurt Heiner, Chenyu Sun. Efficacy of face mask in preventing respiratory virus transmission: A systematic review and meta-analysis. May 2020. Travel Medicine and Infectious Disease. https://doi.org/10.1016/j.tmaid.2020.101751
- Wang X, Pan Z, Cheng Z. Association between 2019-nCoV transmission and N95 respirator use. J Hosp Infect. 2020;105(1):104-105. doi:10.1016/j.jhin.2020.02.021
- Long Y, Hu T, Liu L, et al. Effectiveness of N95 respirators versus surgical masks against influenza: A systematic revieë and meta-analysis. J Evid Based Med. 2020;13(2):93-101. doi:10.1111/jebm.12381
- Shu-An Lee,Dong-Chir Hëang,He-Yi Li, Chieh-Fu Tsai,Chun-Wan Chen, Jen-Kun Chen. Particle Size-Selective Assessment of Protection of European Standard FFP Respirators and Surgical Masks against Particles-Tested with Human Subjects. 2016. Journal of Healthcare Engineering. https://doi.org/10.1155/2016/8572493
- P.Bradford Smith, Gina Agostini, John C.Mitchell. A scoping review of surgical masks and N95 filtering facepiece respirators: Learning from the past to guide the future of dentistry. 2020. Science direct. https://doi.org/10.1016/j.ssci.2020.104920
- Raymond J. Roberge, Jung-Hyun Kim, Aitor Coca.Protective facemask impact on human thermoregulation: An overview. The Annals of Occupational Hygiene. 2012, https://doi.org/10.1093/annhyg/mer069