Etapat Emocionale të Pandemisë

etapat e pandemise

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Ina Mexhitaj, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Në këto kohë pandemie, shumica prej nesh ndihen të ç’orientuar e të paqartë për të ardhmen e për veprimet që duhet të ndërrmarim në lidhje me veten, familjarët dhe shoqërinë tonë. Ky është momenti që të gjithë të sensibilizohemi e të pranojmë gjithçka që e ardhmja mund të na servirë. Gjithashtu është e rendësishme të kuptojmë se ndjenja stresi, mërzie, zemërimi apo agresiviteti mund të na shoqërojnë përgjatë kësaj periudhe, për shkak se një pjesë e jona ka qenë larg familjes e të afërmeve, një pjesë mund të ketë pësuar humbje të njerëzve të dashur, mund të kemi qenë financiarisht jo të përgatitur. Por kjo është diçka normale, e të gjithë ne jemi të prekur. Gjithashtu duhet të çojmë në mendje se e ardhmja nuk do të jetë më njësoj. Një tjetër realitet është duke na pritur! Për një pjesë tonën, ky panik mund të jetë amplifikuar  edhe sepse kjo si temë është trajtuar shumë gjerë e shumë shpesh në media. Ashtu siç tregohet edhe prej figurës së mëposhtme, Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore ka identifikuar 6 etapa të ndryshme nëpër të cilat ne si individë apo si shoqëri mund të kalojmë gjatë dhe pas kësaj pandemie.

Figura e adaptuar fillimisht nga Zunin & Myers e DeWolfe, D. J., 2000 ‘Manuali i trajnimit për shëndetin mendor dhe punonjësit e shërbimeve njerëzore në katastrofa të medha’ (Edicioni ë dyte, HHS Publikim No. ADM 90-538) si dhe nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Abuzimi me Substancat dhe Administrata e Shërbimeve Shëndëtsore Mendore, Qendra për Shërbime të Shëndetit Mendor, Rockville, Maryland, USA (linku original këtu)

Etapa e parë: është identifikuar si koha para pandemisë. Kjo etapë karakterizohet më tepër nga frikërat e para për shkak të paqartësisë mbi të ardhmen dhe të panjohurën. Kjo situatë u bë pandemi në një kohë shumë të shkurtër dhe situata që krijoi ishte vështirësisht e kuptueshme jo vetëm nga publiku por edhe nga komuniteti shkencor. Këto paqartësi reflektohen gjithashtu në frikërat që ne ndjejmë në lidhje me situatën duke i kanalizuar ato si frikëra fizike, emocionale apo financiare. Të luftuarit kundra këtij virusi të ri, të mos pasurit kontroll të plotë mbi mënyrat e mbrojtës prej këtij virusi dhe sidomos pranimi me vështirësi i situatës në të cilën ndodhemi, natyrshëm krijojnë dëshpërim për një pjesë të madhe njerëzish. Etapa e para e pandemisë mund të zgjasë disa ditë, javë ose muaj.

Etapa e dytë: konsiderohet si etapa më e shkurtër e të gjitha fazave dhe ndryshe e quajmë faza e impaktit. Kjo etapë karakterizohet nga reagime emocionale shumë intensive, duke filluar me ç’orientim, mungesë besimi e deri në shok apo panik. Zakonisht përgjatë kësaj etape ne mundohemi të mbrojmë veten dhe familjarët tanë. Kur familjarët nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi, është e natyrshme që fokusi të drejtohet tek mendimi i personave jo të pranishëm dhe gjithashtu shpesh na ndodh që të mendojmë për zgjidhje alternative.

Etapa e tretë: është ajo të cilën mund ta quajmë “heroike” dhe është e karakterizuar nga një aktivitet i lartë mendor por në përgjithësi ky aktivitet nuk përkthehet në produktivitet. Gjatë kësaj etape ndodh rritja e mendimit altruist i drejtuar për komunitetin dhe personat që janë në nevojë. Fatkeqësisht, serioziteti dhe konsiderimi i rrezikut mbi situatën minimizohen krahasuar me fillimin. Kjo gjë shton përsëri riskun për infektimin e njerëzve me virusin. Edhe kjo etapë kalon shumë shpejt dhe pasohet menjëherë nga etapa e katërt.

Etapa e katërt: ose ndryshe e quajtur edhe si “muaji i mjaltit”, karakterizohet nga një ndryshim i menjëhershëm i emocioneve, duke sjellë rritjen e optimizmit. Në këtë fazë, ndihma komunitare dhe ajo institucionale vihen menjëherë në dispozicion. Gjithashtu, persona të afektuar më parë prej virusit zgjedhin të japin mesazhe sensibilizuese për personat e tjerë duke transmetuar eksperiencën e kaluar. Kjo etapë zgjat vetëm pak javë.

Etapa e pestë: e ashtëquajtura si etapa e zhgënjimit, përfshin veprimtari të ndryshme me karakter inventarizues (mundësive, ndihmave dhe limiteve të tyre). Gjatë kësaj faze, optimizmi jo realist (fillestar) kthehet në një ndjenjë zhgënjyese, pasi masat e ndërmarra, stresi, gjërat e planifikuara për t’u bërë natyrshëm lodhin njerëzit. Një boshllëk/panevojshmëri lind përsa i përket nevojave të kërkuara individuale apo komunitare. E gjitha kjo manifestohet nga ndjenja e braktisjes. Kjo ndodh veçanërisht kur popullsia i rikthehet aktiviteteve të mëparshme jetësore. Kjo periudhë, mund të zgjasë muaj apo edhe vite, dhe ndihet edhe më shumë e pranishme kur rivjen në mendjen njerëzore (p.sh. gjatë përvjetorëve të kujtesës së ngjarjes së ndodhur).

Etapa e gjashtë: dhe e fundit, fillon zakonisht në përvjetorin e epidemisë dhe është e karakterizuar nga një ndjenjë e përgjithshme rigjenerimi e rindërtimi (në nivel individual apo komunitar). Të gjithë mundohen që në këtë fazë të rindërtojnë jetën e tyre dhe t’i rikthehen jetës ‘normale të re’ duke vazhduar të pranojnë situatën në të cilën u ndodhën më parë. Një pjesë e jona, këtë rikthim e ka më të vështirë për shkak të pasojave më të thella që situata mund të na ketë lënë. Kalimi i kësaj faze mund të kërkojë edhe vite.

Sidoqoftë, hapat e ndërmarra prej individëve apo shoqërisë sonë, luajnë një rol vendimtar në mënyrën se si ne do të rindërtojmë të ardhmen tonë dhe të vendit në të cilin jetojmë. Shumë nga ne jemi në gjendje të rikuperojmë veten më shpejt se të tjerët. Kjo duhet të na sensibilizojë për të dhënë ndihmë kur është nevoja dhe kur na ndodhen mundësitë, pikërisht sepse një pjesë e jona janë më të rriskuar fizikisht, emocionalisht apo financiarisht. Duke pasur në vëmendje arsyet e sipërpërmendura dhe situatën në të cilën ndodhemi, le të bëhemi humanë, pozitivë, ndihmues për ata që kanë më shumë nevojë. Jemi të gjithë NJË!