Refuzimi i vaksinave, pavarësisht vënies në dispozicion të tyre, rrezikon të hedhë poshtë të gjitha arritjet e deritanishme për luftimin e sëmundjeve që mund të parandalohen. Vaksinimi është një ndër metodat më ekonomike për të parandaluar një sëmundje. Aktualisht parandalohen 2-3 milion vdekje në vit dhe mund të parandalohen edhe 1.5 milion vdekje të tjera, në qoftë se do arrinim një mbulim global me vaksina. Vaksinimi përfaqëson një ndër arritjet më të mëdha mjekësore që janë bërë, duke i dhënë kështu një shpresë njerëzimit për të jetuar.
Pavarësisht kësaj, vaksinimi, në ditët e sotme, po perceptohet si i pasigurtë dhe i panevojshëm nga një numër i madh njerëzish, të cilët po mbajnë një qëndrim refuzues ndaj tij. Si rezultat i këtij perceptimi, vitet e fundit njerëzimi ndodhet përpara kërcënimit serioz të suksesit të vaksinimit.
Po paraqesim si shembull rastin e fundit të epidemisë së fruthit, cili ka njohur një rritje globale të rasteve me 30 %. Si rezultat i kësaj rritjeje në shumë vende, të cilat ishin shumë pranë eliminimit të kësaj sëmundje, është regjistruar një rikthim të këtyre rasteve. Vetëm në Europë janë raportuar rreth 53 0000 raste në vitin 2018, krahasuar me 23 000 raste që ishin në vitin 2017. Arsyet e kësaj rritje sigurisht që janë më komplekse dhe jo gjithmonë lidhen me hezitimin për t’u vaksinuar, por ky hezitim përbën një nga shqetësimet më serioze të sistemeve shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Arsyet pse njerëzit, në mënyrë të qëllimshme, refuzojnë vaksinat janë komplekse. Një ndër to mbetet, pa diskutim, mungesa e besimit. Bazuar në këtë fakt, punonjësit e shëndetësisë kanë përgjegjësinë të këshillojnë dhe të bëhen ndikuesit kryesorë në vendimarrjen e njerëzve për t’u vaksinuar dhe në mënyrë të veçantë për të vaksinuar fëmijët e tyre. Ata duhet të shpërndajnë në popullsi udhëzimet e duhura duke i shoqëruar gjithmonë me informacione të sakta dhe të besueshme në lidhje me vaksinat. Pasojat e mosvaksinimit janë shumë të rënda për shëndetin publik dhe është detyrë e politikave të sistemeve shendetësore nxitja e fushatave të sensibilizimit Pro vaksinimit.
Një ndër objektivat kryesore të OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për vitin 2019 është nxitja e vaksinimit dhe përhapja e tij edhe në vende ku nuk e ka mbulimin e duhur. Si reagim ndaj këtij objektivi, shumë vende të botës kanë ndërmarrë fushata sensibilizimi për popullsitë e tyre.