Cilat janë infeksionet që mund të rrezikojnë jetën e nënës dhe fetusit? A është pjesë dhe SARS-CoV-2?

grua shtatzene

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Julia Daragjati, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Momenti kur zbulon, se së shpejti do të bëhesh prind… një histori, e lashtë sa vetë njerëzimi. Një fazë e re, një aventurë e re… e panjohur, plot emocione, pritshmëri, fantazi, pyetje, shqetësime… shëndetësore, ekonomike…

Në ditët e sotme, një ndër shqetësimet kryesore për ato që presin të bëhen nëna është parandalimi i sëmundjeve infektive tek foshnja e tyre. Për këto shqetësime, zgjidhja më e mirë për një shtatzëni pa probleme dhe më të sigurtë, është kryerja e testimeve depistuese serologjike. Gruaja shtatzënë duhet të mbikëqyret nga mjeku i saj gjinekolog dhe njëherazi të ndjekë këshillat shëndetësore shoqëruese, e veçanërisht në këtë kontekst parandalimi i sëmundjeve infektive është shumë i rëndësishëm.

Emergjenca e pandemisë në të cilën ndodhemi, ka frikësuar shumicën e njerëzve anë e kënd globit (por sidomos nënat e reja) në lidhje me infeksiozitetin e koronavirusit të ri SARS-CoV-2. [1], [2], [3], [4].Faktet e deritanishme tregojnë një përqindje të lartë të mos transmetimit të virusit SARS-CoV-2 me rrugë vertikale.

Cilat janë infeksionet që mund të rrezikojnë jetën e nënës dhe fetusit? Si dhe kur mund të manifestohen?

Disa infeksione gjatë shtatzanisë zhvillohen pa simptoma klinike ose pa dëmtime për nënën dhe fetusin. Disa të tjera mund të jenë të rrezikshme për fetusin, veçanërisht në fazat e para të zhvillimit të tij.

Infeksionet më të zakonshme të transmetueshme gjatë shtatzënisë janë:

  • Toksoplazmoza
  • Citomegalovirus
  • Parvovirus B19
  • Virusi i Rubeolës
  • Sifilizi
  • Variçela
  • HIV dhe Hepatiti B/C të cilat transmetohen më rrallë përmes rrugës transplacentare.

Rreziku për të pasur një efekt të padëshirueshëm për fetusin ulet ndërkohë që shtatzënia përparon. Shqyrtimi i hershëm i infeksioneve të mësipërme rekomandohet prej udhëzimeve të gjinekologjisë dhe obstetrikës veçanërisht në tremujorin e parë të shtatzanisë sepse:

  • tremujori i parë i shtatzanisë është periudha më delikate në zhvillimin embrional (organogjenezë)
  • placenta arrin pjekurinë e plotë vetëm në muajin e katërt (duke ushtruar një funksion mbrojtës kundër patogjenëve).

Duhet theksuar se gjatë shtatzënisë, ndjeshmëria ndaj infeksioneve (veçanërisht atyre virale) është më e madhe. Ndër shumë ndryshime fiziologjike që pëson nëna, një nga më të rëndësishmet ndodh në sistemin e saj imunitar1,2. Ky suseptibilitet më i lartë për SARS-CoV-2 nuk është provuar, prandaj nëna duhet të ndjekë udhëzimet që ndjek gjithë popullata.

Si transmetohen infeksionet nënë-fetus?

Infeksionet e ndryshme mund transmetohen nga nëna tek fetusi nëpërmjet mënyrave të ndryshme në varësi të mekanizmave që përdorin organizmat patogjenë.

  1. Transmetimi transplacentar ose vertikal: mund të ndodhë në çdo kohë para lindjes. Patogjeni tejkalon barrierën placentare dhe bën të mundur infektimin e fetusit.
  2. Transmetimi ashendent ose me ngjitje: zakonisht shkaktohet nga bakteret e florës vaginale, të cilat ngjiten nga kanali vaginal deri në mitër dhe shkaktojnë inflamacion të membranave fetale (korioamniositis).
  3. Transmetimi perinatal: ndodh gjatë lindjes atëherë kur foshnja kalon kanalin e mitrës dhe bie në kontakt me sekrecione të infektuara vaginale.

Pasojat tek fetusi varen nga lloji i patogjenit dhe tek periudha gestacionale (periudha e kohës që përshkruan se sa e gjatë është një shtatëzani) në të cilën ndodh infeksioni. Pasojat mund të përfshijnë: infeksione neonatale simptomatike ose asimptomatike, vonesë rritjeje intrauterine, lindje e parakohshme, në rastet më të rënda edhe keqformime kongjenitale apo aborte spontane1,2.

Testet monitoruese – kompleksi TORCH

Emri i kompleksi TORCH të testeve monitoruese, vjen i bazuar në gërmën fillestare të emrave të patogjenëve të cilët testohen (iniciali i çdo patogjeni si më poshtë):

T – Toksoplazma

O – Other (të tjerë:Parvovirus, Sifiliz, Hepatit)

R – Rubeola

C – Citomegalovirusi

– Herpes

Testi analizon praninë e antitrupave specifikë IgM dhe IgG tek nëna për këto mikroorganizma. IgM tregon një gjendje të infeksionit akut (në zhvillim e sipër), ndërsa IgG quhen ndryshe antitrupat e kujtesës (d.m.th. na tregojnë nëse në të kaluarën ka kaluar ndonjë infeksion i cili mund të ketë prodhuar një përgjigje imunitare).

Testimi TORCH rekomandohet për:

• gratë shtatzëna në tremujorin e parë të shtatzanisë

• gratë që planifikojnë shtatzëninë

• foshnjat e porsalindura që shfaqin simptoma që i atribuohen një prej infeksioneve të zbuluara nga testi1-3

Testi TORCH për një shtatzani të qetë

Në rastin e infeksioneve asimptomatike të Citomegalovirusit dhe Toksoplasmozës, antitrupat IgM mund të vazhdojnë për shumë muaj pas infeksionit dhe një rezultat pozitiv i testit nuk do të thotë që është akoma i pranishëm infeksioni. Për këtë arsye, në rastin e një rezultati pozitiv me IgM të pranishme të anti-citomegalovirusit dhe anti-toksoplazmës rekomandohet të kryhet edhe testi i konfirmimit.

Testi i konfirmimit bazohet në një tjetër teknikë diagnostikuese që ekzekutohet me Western Blot dhe sqaron nëse infeksioni është:

  • i kaluar, pa rrezik për shëndetin e foshnjës
  • në fazën akute (që do thotë foshnja ka nevojë për terapi specifike të barnave menjëherë).

Prandaj, kjo mënyrë është shumë e dobishme për të zvogëluar ankthin dhe shqetësimin e nënës së ardhshme edhe nëse kemi një rezultati pozitiv.3,4

A do jetë SARS-CoV-2 pjesë e TORCH?

Nevojiten më shumë studime në lidhje me transmetimin e SARS-CoV-2 nga nëna tek fëmija, dhe nëse në disa raste mund të transmetohet nga nëna tek fetusi sipas mekanizmave të shpjeguar më sipër, atëherë ky virus duhet të përfshihet në listën e infeksioneve TORCH5. Edhe më shumë fakte janë të nevojshme për të qartësuar infeksionet transplacentare6. Studimet tek gratë që i nënshtrohen lindjes cezariane7 sugjerojnë një infektim gjatë procesit të lindjes, por jo në transmetimin vertikal.

 Referencat:

1.WHO guidelines

https://apps.who.int/iris/bitstream/handle/10665/186171/9789241549363_eng.pdf;jsessionid=8D2684B6C709B649FB86AC245A9A6660?sequence=1

2. Istituto Superiore della Sanità, ISS guidelines https://www.epicentro.iss.it/itoss/pdf/agenda_gravidanza_fisiologica.pdf

3. Neu N, Duchon J, Zachariah P. TORCH infections Clin Perinatol 2015 Mar;42(1):77-103, viii. doi: 10.1016/j.clp.2014.11.001. Epub 2014 Dec 20.

4. Stegmann BJ, Carey JC TORCH Infections. Toxoplasmosis, Other (syphilis, varicella-zoster, parvovirus B19), Rubella, Cytomegalovirus (CMV), and Herpes infections. Curr Womens Health Rep. 2002 Aug;2(4):253-8.

5.  Muldoon KM, Fowler KB, Pesch MH, Schleis MR. SARS-CoV-2: Is it the newest spark in the TORCH? J Clin Virol 2020 Jun;127:104372. doi: 10.1016/j.jcv.2020.104372

6. Kimberlin DW, Stagno S. Can SARS-CoV-2 infection be acquired in utero?: more definitive evidence is needed. JAMA(2020), doi: 10.1001/jama.2020.4868

7. Zeng L, Xia S, Yuan W,Yan K, Xiao F, ShaoJ, Zhou W. Neonatal early-onset infection with SARS-CoV-2 in 33 neonates born to mothers with COVID-19 in Wuhan, China. JAMA Pediatr. 2020; doi: 10.1001/jamapediatrics.2020.0878