Të gjithëve na ndodh të sëmuremi e t’i drejtohemi farmacistit për këshilla apo për ekzekutimin e një recete të dhënë nga mjeku. Në vijim po sjellim në vëmendjen tuaj disa këshilla të vlefshme praktike, që ju jepen zakonisht në farmaci. Ato janë shumë të rëndësishme dhe duhen ndjekur me përpikmëri, në mënyrë që të kemi një përdorim të sigurtë të medikamenteve, të mbrojmë të afërmit tanë dhe ambientin:
- Kur përdorni një medikament respektoni dozën, mënyrën dhe kohën e marrjes, sipas përshkrimit të mjekut apo këshillës së farmacistit.
- Mos përdorni medikamente të ndryshme në të njëjtën kohë, pa u këshilluar më parë me mjekun apo farmacistin.
- Mos e ndërprisni asnjëherë një terapi pa e përfunduar. Pasojat mund të jenë serioze.
- Ju kujtoj që disa medikamente, si për shembull ato: në formë koliri (pika për sy), shurupi, apo sprai, kur hapen skadojnë përpara datës që përcaktohet në paketim.
- Në qoftë se keni dyshimin më të vogël, mos hezitoni, por kërkoni këshillën e mjekut apo të farmacistit.
- Ruajini medikamentet në paketimin e tyre origjinal, bashkë me blisterin (zakonisht pjesa ngjyrë alumini ku rreshtohen tabletat).
- Mbajini në shtëpi në një vend të freskët dhe pa lagështirë. Mos i ruani në banjo, as në kuzhinë. Mbajini në frigorifer vetëm nëse përcaktohet në paketimin e medikamentit.
- Kujdes! Mbajini gjithmonë larg vendeve që mund të arrihen lehtësisht nga fëmijët.
- Medikamentet e papërdorura nuk duhet të hidhen në mbetjet urbane. Në vendin tonë nuk ka mbledhje të diferencuar të mbetjeve farmaceutike shtëpiake. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi kontenitor të posaçëm nëpër farmaci, ku të mund të hedhim medikamentet e hapura, të papërdorura apo dhe të skaduara.