Çfarë është ky koronavirus i ri?
Koronavirusi i ri është një lloj virusi me formë kurore i cili nuk ishte identifikuar më parë të njeriu deri në dhjetor të vitit 2019, kur u shfaq në Wuhan të Kinës. Koronavirusi që po qarkullon tani e kanë quajtur 2019-nCov dhe sëmundjen që ai shkakton COVID-19. Ai i përket të njëjtës familje të viruseve SARS – Cov dhe MERS -COv por është i ndryshëm nga ato.
Sa i rrezikshëm është ky virus? A infekton vetëm të moshuarit?
Njëlloj si sëmundjet e tjera respiratore ai mund të shkaktojë nga një rrufë të lehtë, dhembje fyti, temperaturë, kollë deri në simptoma më të rënda si polmonit dhe vështirësi në frymëmarrje. Individët e të gjitha moshave janë në rrezik për tu infektuar prej koronavirusit të ri 2019-nCOV. Personat më të ndjeshëm ndaj ashpërsimit të simptomave në rast se infektohen janë të moshuarit dhe individë me kushte shëndetësore ekzistuese të tilla si (astma, diabeti, sëmundjet e zemrës).
Si mund të dalloj që jam prekur nga koronavirusi dhe si transmetohet ai?
Mund të konfirmohet vetëm me analiza laboratorike dhe transmetohet vetëm me kontakte të afërta me personat e prekur. Këto kontakte janë:
- Përmes pështymës, duke tështirë apo kollitur.
- Kontakte të afërta.
- Me anë të duarve, si psh duke prekur me duar të kontaminuara(me virus, akoma të palara) gojën, hundën apo sytë.
Çfarë kuptojmë me kontakte të afërta?
Sipas ECDC ( Qëndrës Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve), kontakte të afërta konsiderojmë rastet:
- Personel shendetësor ose person tjetër i ngarkuar të kujdeset për individëve të dyshuar ose të konfirmuar me koronavirus , apo personel i cili analizon gjakun e personave të mësipërm.
- Kontakti fytyre-fytyrë apo qëndrimi në të njëjtin ambjent të mbyllur me një rast të dyshuar apo të konfirmuar me këtë virus, si p.sh në ashensor.
- Të jetosh në të njëjtën shtëpi me individ të dyshuar apo të konfirmuar me virus.
- Të kesh udhëtuar në të njejtin rresht apo dy rreshta më lart ose më poshtë me persona të dyshuar apo të konfirmuar me COVID-19. Nëse individi i dyshuar apo i konfirmuar me COVID mund të ketë lëvizur në brendësi të avionit atëherë edhe udhëtarët e tjerë konsiderohen të ekspozuar ndaj virusit.
Nëse mendoni se keni patur kontakte të afërta me individë të tille duhet të telefononi numrin e vënë në dispozicion nga emergjenca kombëtare 127, dhe të infomoheni për hapat e mëtejshëm.
Sipas të dhënave të deritanishme të OBSH ( Organizata Botërore e shëndetësisë ) personat e infektuar me koronavirus të cilët shfaqin simptoma janë shkaktarët kryesorë të përhapjes së virusit. Të dhëna të sakta në kohë reale mbi shkallën e përhapjes globale të këtij virusi, të rasteve të hospitalizuara dhe rasteve të vdekjeve e gjeni në inkun e mëposhtëm.
https://gisanddata.maps.arcgis.com/apps/opsdashboard/index.html#/bda7594740fd40299423467b48e9ecf6
Çfarë masash duhen ndërmarrë për të parandaluar përhapjen dhe
infektimin me koronavirus?
Qëndroni të informuar mbi evolimin e përhapjes së epidemisë dhe merrni këto masa:
- Lajini duart shpesh me ujë me sapun ose me solucion me bazë alkoli.
- Ruani largësi të paktën 1 metër me individët që tështijnë , kolliten apo janë me temperaturë.
- Evitoni të prekni hundën, gojën dhe sytë me duar.
- Përdorni maskë mbrojtëse vetëm nëse dyshoni që mund të jeni prekur nga virusi dhe keni simptoma si kollë apo tështima. Nëse nuk jeni infektuar, vendosni maskë vetëm nëse jeni duke u kujdesur për dikë që është infektuar apo dyshohet të jetë infektuar me koronavirusin e ri.
- Maskat janë efektive vetëm nëse përdoren në kombinim me higjienë personale (duke larë duart me sapun apo duke fërkuar me alkol).
Çfarë duhet të dinë gratë shtatzëna?
Nuk ka të dhëna shkencore që tregojnë se gratë shtatzëna janë më të prirura të infektohen me koronavirusin e ri. Nuk ka të dhëna mbi efektin e këtij virusi në shtatzani( ndërkohë viruset e tjera të kësaj familje si SARS- Cov apo MERS-Cov kanë sjellë aborte spontane). Nga të dhëna shumë të kufizuara është parë që virusi nuk është transmetuar nga nëna te fëmija.
Burimet e Informacionit : WHO, ECDC.