Përgatitur dhe përshtatur në shqip nga:
- Ambra Hyskaj
Recensent:
- Erand Llanaj, MPH, MSc, PhD
Transmetimi i infeksioneve, si në rastin e koronavirusit të ri COVID-19, nga kafshët te njerëzit kërcënon mirëqenien e njerëzve, zhvillimin ekonomik dhe integritetin e ekosistemit në tërësi. Ndërveprimi i njerëzve me kafshët e egra, bagëtitë dhe speciet e tjera, shton rrezikun për ‘kapërcime’ evolucionare të patogjenëve, duke i dhënë mundësinë këtyre mikroorganizmave të fitojnë aftësi për të infektuar njeriun. Infeksionet (virale, bakteriale, mykotike, parazitare, etj.) të cilat transmetohen nga kafshët te njeriu, quhen përmbledhtazi infeksione ose sëmundje zoonitike (ose thjesht zoonoza).
Në rastin e zoonozave, bagëtitë janë ato të cilat shërbejnë shpesh si një “urë epidemike” mes kafshëve të egra dhe infeksioneve humane. Sa për perspektivë, rreth 60% e gjithë sëmundjeve infektive në njerëz janë zoonoza1. Në të njëjtën kohë, zoonozat përbëjnë 70% të gjithë librarisë së sëmundjeve të njohura infektive.1 Zoonozat virale më të dëgjuara për publikun, të shfaqura vitet e fundit janë Ebola, gripi i shpendëve, sindroma respiratore e Lindjes së Mesme (ang. Middle East Respiratory Syndrome- MERS), virusi Nipah, sindroma respiratore akute (SARS), virusi Zika, dhe, tani, SARS-CoV-2 – ky i fundit është shkaktari i sëmundjes infektive të quajtur COVID-19.
Të gjitha këto viruse kanë, mes të tjerave, një element të përbashkët: lidhjen me veprimtaritë njerëzore me ndikim të gjerë. Për ta kuptuar më mirë, se çfarë do të thotë ‘veprimtari njerëzore me ndikim të gjerë’, po e ilustrojmë me disa shembuj. Shpërthimi i Ebola-s në Afrikën Perëndimore ishte një rezultat, që vinte, mes të tjerave, si pasojë e shkatërrimit të pyjeve dhe shpyllëzimit – fenomen i cili çoi në reduktimin e afërsisë mes kafshëve të egra dhe vendbanimeve njerëzore në këtë rajon. Kjo solli shtim të ndërveprimit mes specieve të cilat kishin ndërveprim më të pakët më parë. Jo vetëm kaq, emergjenca e gripit të shpendëve lidhej ngushtë me prodhimin intensiv në fermat e shpendëve, ndërsa infeksioni nga virusi Nipah lidhej me prodhimin intensiv të thertoreve të derrave dhe punishteve masive të frutave në Malajzi.
Nxitësit e emergjencës së sëmundjeve zoonotike janë ndryshimet në mjedis – të shkaktuara kryesisht nga veprimtaria e njeriut. Këto ndryshime variojnë nga mbipërdorimi i sipërfaqeve të tokës e deri te ndryshimi i klimës, shpyllëzimi, ndryshime te speciet bartëse të patogjenëve (qofshin kafshë apo edhe njerëz), si dhe ndryshime të vetë patogjenit, që mund të evoluojë për të shfrytëzuar mbartës të rinj.2
Rast studimi: Lakuriqët e natës dhe viruset e lidhura me ta.
Shpesh dëgjojmë se shpyllëzimi dhe përshtatja e hapësirave të mjedisit për jetesën e njerëzve çon në zhdukjen e specieve. Disa studime tregojnë se kjo nuk ndodh vetëm për lakuriqët e natës, përkundrazi ata gjejnë strehë dhe adaptohen në këto mjedise të reja. 3, 4
Si arrijnë ta bëjnë këtë?
Çdo specie ka nevoja themelore për të mbijetuar, si ushqyerja dhe strehimi. Disa lloje lakuriqësh nate (insektovore– ushqehen me insekte) gjuajnë insektet, të cilat tërhiqen nga dritat e shtëpive të ndodhura pranë habitatit natyror të tyre.
Lloje të tjera (frugivore – ushqehen me fruta) gjejnë ushqimet e tyre në zonat bujqësore të krijuara dhe mirëmbajtura nga njeriu. Mes tyre ka dhe shumë lakuriqë nate, të cilët kanë gjetur strehë në ndërtesa të banuara nga njerëzit. Për rrjedhojë, kemi një rritje të mundësive të transmetimit të viruseve nëpërmjet kontaktit lakuriq nate- njeri, lakuriq nate- kafshë të tjera- njeri, apo edhe kontakti indirekt përmes urinës apo feçeve të lakuriqëve të natës.3, 4, 5
Pra si pjesë e ndryshimeve në mjedis, shpyllëzimit dhe zgjerimit të zonave bujqësore kemi një ndryshim të dinamikës së transmetimit të viruseve të lakuriqëve të natës. 6
Çfarë dimë mbi origjinën e COVID-19?
Në Shkurt 2020, hulumtimi i Zhou dhe bashkëpunëtorëve të tij., demonstroi se SARS-CoV-2 është 96% identik në nivel gjenomik me atë të një koronavirusi të një lakuriqi të natës të identifikuar në 2018. 7 Profesor Andersen dhe ekipi i tij kanë paraqitur, në prestigjiozen NATURE, shpjegime të mundshme, duke theksuar në të njëjtën kohë se përse virusi nuk mund të jetë përhapur apo krijuar nga manipulime laboratorike8. Ajo që shpjegon origjinën e SARS-CoV-2 në këtë hulumtim, mes të tjerave, është përzgjedhja natyrore, gjë që mbështetet nga analizat krahasimore të elementëve të tjerë, veç karakteristikave gjenomike. Ndërkohë, ata sugjerojnë mundësinë që një “stërgjysh” evolucionar i SARS-CoV-2 të jetë transmetuar në njerëz dhe të ketë ndryshuar tipare gjenomike pikërisht brenda organizmit të njeriut – përzgjedhje natyrore në njerëz pas transmetimit zoonitik. 8
Nga ana tjetër, Tao Zhang së bashku me ekipin e tij, kanë propozuar se virusi i njohur Pangolin-CoV është 91.02% identik me SARS-CoV-2 në nivel të plotë gjenomik. 9 Duke u bazuar në këto gjetje, studiues të tjerë kanë parashtruar mundësinë se pangolini (figura më sipër), një specie në zhdukje dhe e përdorur gjerësisht në tregjet e paligjshme të kafshëve të egra dhe në zhdukje (figura më poshtë), mund të jetë copëza e munguar në zinxhirin e transmetimit të virusit i cili me shumë gjasa u përhap nga lakuriqët e natës. 10
Megjithatë, sipas raportit zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rezervuari natyror i virusit është lakuriqi i natës, por mendohet se virusi ka përdorur një kafshë tjetër ndërmjetëse për tu transmetuar te njerëzit. Kjo kafshë ndërmjetëse mund të jetë kafshë e egër, bagëti apo edhe kafshë shtëpiake e paidentifikuar ende. Për momentin pangolini shihet si kandidati më i mundshëm.
Është e kuptueshme se sa me rëndësi është ndërveprimi mes njeriut dhe mjedisit ku ai jeton. Çdo lloj veprimtarie që ne kryejmë përcakton në terma afatgjata shëndetin tonë dhe aftësinë e ekosistemit për të mbështetur mirëqenien tonë si specie njerëzore.
Referencat
- Woolhouse ME, Gowtage-Sequeria S. Host range and emerging and reemerging pathogens. Emerging infectious diseases. 2005 Dec;11(12):1842. 10.3201/eid1112.050997
- UNEP Frontiers 2016 Report. Zoonoses: Blurred Lines of Emergent Disease and Ecosystem Health. 20-30.
- Plowright, R. K., Eby, P., Hudson, P. J., Smith, I. L., Westcott, D., Bryden, W. L., et al. (2015). Ecological dynamics of emerging bat virus spillover. Proc Biol Sci. 282:20142124. doi: 10.1098/rspb.2014.2124
- Afelt, A., Lacroix, A., Zawadzka-Pawlewska, U., Pokojski, W., Buchy, P., and Frutos, R. (2018). Distribution of bat-borne viruses and environment patterns. Infect. Genet. Evol. 58, 181–191. doi: 10.1016/j.meegid.2017.12.009
- Reuter, K. E., Wills, A. R., Lee, R. W., Cordes, E. E., and Sewall, B. J. (2016). Using stable isotopes to infer the impacts of habitat change on the diets and vertical stratification of frugivorous bats in Madagascar. PLoS ONE 11:e0153192. doi: 10.1371/journal.pone.0153192
- Afelt A, Frutos R, Devaux C. Bats, coronaviruses, and deforestation: Toward the emergence of novel infectious diseases?. Frontiers in microbiology. 2018 Apr 11;9:702.
- Zhou P, Yang XL, Wang XG, Hu B, Zhang L, Zhang W, Si HR, Zhu Y, Li B, Huang CL, Chen HD. A pneumonia outbreak associated with a new coronavirus of probable bat origin. nature. 2020 Mar;579(7798):270-3.
- Andersen, K.G., Rambaut, A., Lipkin, W.I. et al. The proximal origin of SARS-CoV-2. Nat Med 26, 450–452 (2020). https://doi.org/10.1038/s41591-020-0820-9
- Zhang T, Wu Q, Zhang Z. Probable pangolin origin of SARS-CoV-2 associated with the COVID-19 outbreak. Current Biology. 2020 Mar 19. https://doi.org/10.1016/j.cub.2020.03.022
- de Sadeleer N, Godfroid J. THE STORY BEHIND COVID-19: ANIMAL DISEASES AT THE CROSSROADS OF WILDLIFE, LIVESTOCK AND HUMAN HEALTH. European Journal of Risk Regulation.:1-23. https://doi.org/10.1017/err.2020.45