Të gjithë personat që e kalojnë COVID-19 janë të rrezikuar nga i ashtuquajturi ‘COVID-19 i zgjatur’, që nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i simptomave të sëmundjes edhe pas ‘kalimit’ të saj dhe njëkohësisht një prekje e pothuajse të gjitha organeve në një shtrirje kohore afat-gjatë, sipas një hulumtimi të thelluar ekspertësh – i parë i llojit të vetë.
Dhjetëra mijëra individë kanë raportuar simptoma të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme pas ‘kalimit’ të infeksionit COVID-19 (=d.m.th. dalin negativ me tampon). Fakti i ri që duhet theksuar është se këto shenja (=simptoma) janë të pranishme tek të gjithë raportuesit, pavarësisht nëse kanë pasur nevojë për shtrim në spital ose jo (shihni figurën). Në fakt, fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ushtarakët janë ata më të prekurit nga ky fenomen sipas hulumtimit.
Këto gjetje sfidojnë supozimet e mëparshme, se grupet më pak të rrezikuara për ashpërsim të sëmundjes (dhe vdekje) gjatë fazës së rrezikshme (=akute) të infeksionit COVID-19, kanë gjithashtu më pak rrezik për ‘COVID-19 të zgjatur’. Tashmë nuk mund ta bëjmë më këtë supozim!
Sipas studimit, gjatë kësaj pandemie shumë individë nuk kanë pasur fare vëmendje mjekësore spitalore, testim apo ndonjë dokumentim që konfirmon COVID-19, përveç historive personale. Sipas autorëve të hulumtimit, janë pikërisht këta individë, të cilët mund të kenë vështirësi dhe vuajtje, madje ndoshta më shumë se dikush që ka qenë në kujdesin intensiv për 21 ditë!
Ky rishikim dinamik, i titulluar ‘Të jetosh me COVID’ (=ang. ‘Living with COVID’), i publikuar para pak ditësh nga Instituti Kombëtar i Hulumtimeve mbi Shëndetin në Mbretërinë e Bashkuar, përfshiu një vlerësim të thelluar të hulumtimeve shkencore me pacientë të cilët kanë persistencë (=tej-zgjatje, vazhdueshmëri) të simptomave të COVID-19 pas ‘kalimit’ të infeksionit, me të dhëna të marra, jo vetëm nga spitalet, por edhe nga vetë pacientët nga intervista të drejtpërdrejta.
Autorët kanë dalë në përfundimin se mund të ekzistojnë katër sindroma të veçanta!
Pacientët të cilët e kaluan COVID-19 dhe ju desh ti nënshtroheshin kujdesit intensiv spitalor, potencialisht vuajnë nga ‘sindroma e pas-kujdesit kritik’, në të cilën trupi mund luhatet nga gjendja normale shëndetësore si rrjedhojë e mungesës së lëvizshmërisë gjatë qëndrimit në terapi intensive (si pasojë e terapisë intensive të zgjatur në kohë). Të tjerë mund të përjetojnë këputje post-virale, dëmtime të përjetshme organore ose COVID-19 afatgjatë, që shoqërohet me ‘ulje-ngritje’ të simptomave të cilat ‘lëvizin në pjesë të ndryshme të trupit’.
Zakonisht, pacientët raportojnë simptoma në një pjesë të caktuar të trupit e më pas në një pjesë tjetër, shenja këto të cilat ‘zbehen’, por më pas fillojnë të manifestohen simptoma të reja, në pjesë të tjera të trupit (shikoni figurën). Studiuesit që kanë realizuar këtë studim, sugjerojnë se ka raste që disa individë mund të vuajnë njëherazi nga më shumë se një nga katër sindromat e propozuara dhe kjo gjë që e ndërlikon më tej klinikën dhe menaxhimin e rastit. Ndërkohë që studiuesit paralajmërojnë për rrezikun e mbipërdorimit potencial të termit të ri ‘COVID i zgjatur’, ata bëjnë thirrje për krijimin e një protokolli që përcakton një diagnozë praktike dhe konkrete, që mund të shënohet/indikohet në kartelat e këtyre pacientëve, nëse dyshohet se simptomat lidhen me infeksionin e virusit SARS-CoV-2, pavarësisht nëse kanë dalë ose jo pozitiv.
Kjo gjë mund të ndihmojë në lehtësimin e studimit, në të mirë të këtij fenomeni, në një numër më të madh pacientësh, duke ndihmuar mënyrën se si mund të trajtohen dhe menaxhohen këta individë.
Një fakt interesant është se ata individë të cilët nuk kanë pasur një diagnozë të qartë, kanë raportuar se ‘nuk kanë besuar’ në institucionet e kujdesit shëndetësor, kur ata kanë raportuar gjendjen e tyre. Gjithashtu individë të cilëve u është thënë nga mjeku i familjes se kanë ‘COVID të zgjatur’ në muajin e shtatë (pas infeksionit), kanë telefonuar ambulancën se kanë pasur simptoma të reja, marrje mendsh dhe madje gjendje të fikëti. Mirëpo u është thënë nga shërbimi i emergjencës se e kanë patur nga ‘paniku’!
Ky studim i bërë në Mbretërinë e Bashkuar, njënga vendet të goditura rëndë nga COVID-19, vjen fill pas investimit prej 10 milionë stërlina të deklaruara nga shefi i NHS-së Angleze (Dr Simon Stevens) për ngritjen e klinikave të ‘COVID-it të zgjatur’. Një nga autorët e këtij hulumtimi (Dr. Philip Pearson) shkruan se COVID-i i zgjatur nuk është një gjë, por është një sindromë komplekse (me një numër simptomash) që prek në mënyrë të ndryshme individë të ndryshëm.
Ekipi i HEDA Albania synon që nëpërmjet kësaj përmbledhjeje të këtij dokumenti voluminoz, të ndërgjegjësojë komunitetin shqipfolës për sfidat e reja të COVID-19 dhe nevojën për të investuar në infrastrukturën kërkimore shkencore të shëndetit publik, në mënyrë që të kuptohet se si individët që vuajnë nga këto fenomene shëndetësore mund të ndihmohen.
Për më tepër ju ftojmë të lexoni hulumtimin origjinal në gjuhën angleze këtu: https://evidence.nihr.ac.uk/themedreview/living-with-covid19
dhe përditësimin e thelluar në gjuhën shqipe këtu:
Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19