Si mund të dalloj që jam prekur nga koronavirusi dhe sa i rrezikshëm është ky virus?

Pikë së pari ky infeksion është i shërueshëm – deri tani janë shëruar rreth 40% e individëve të infektuar botërisht. Njëlloj si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, ai mund të shkaktojë simptoma të cilat variojnë nga një rrufë të lehtë, dhimbje fyti, temperaturë, kollë, e deri në simptoma më të rënda si acarimi i mureve të alveolave, thellë në mushkëri dhe vështirësi në frymëmarrje. Theksojmë se e vetmja mënyrë për të konfirmuar infektimin apo jo me koronavirus është analiza laboratorike.

Por, nëse mendoni se keni pasur kontakte të afërta me individë të infektuar me koronavirus dhe paraqisni simptomat e lartpërmendura, atëherë duhet të telefononi menjëherë numrin e vënë në dispozicion nga emergjenca kombëtare 127, dhe të informoheni për hapat e mëtejshëm.

Ju kujtojmë se transmetimi i tij realizohet vetëm nga kontakte të ngushta me personat e infektuar. Këto kontakte janë:

  • Përmes pështymës, duke teshtirë apo kollitur.
  • Kontakte të afërta (kliko këtu).
  • Me anë të duarve, si p.sh. duke prekur me duar të kontaminuara (me virus, ende të palara/papastra) gojën, hundën apo sytë.

Për të krijuar një ide më të qartë për rrezikshmërinë e këtij infeksioni viral, shihni figurën më poshtë ku krahasohen infeksione të tjera dhe niveli i rrezikshmërisë së tyre (nga pikëpamja e shpërhapjes dhe fatalitetit).

 

Burimi: www.nytimes.com/interactive/2020/world/asia/china-coronavirus-contain.html

Veprimi kryesor mbetet marrja e masave për të parandaluar shpërhapjen e pakontrolluar
të virusit përmes këtyre hapave:

  • Qëndroni  të informuar mbi ecurinë e përhapjes së epidemisë.
  • Lajini duart shpesh me ujë me sapun për më shumë se 40 sekonda ose me solucion me bazë alkooli për 20 sekonda.
  • Ruani largësi të paktën 1 metër me individët që teshtijnë , kolliten apo janë me temperaturë.
  • Evitoni  të prekni  hundën, gojën dhe sytë me duar.
  • Përdorni maskë mbrojtëse vetëm nëse dyshoni që mund të jeni prekur nga virusi dhe keni simptoma si kollë apo teshtima.   Nëse nuk jeni infektuar, vendosni maskë vetëm nëse jeni duke u kujdesur për dikë që është infektuar apo dyshohet të jetë infektuar me koronavirusin e ri.
  • Maskat janë efektive vetëm nëse përdoren në kombinim me higjienë personale (duke larë duart me sapun apo duke fërkuar me alkool).